E si mundet çdo qeveri, sidomos ajo e korruptuar që sundon sot Ukrainën, të ruajë legjitimitetin? Një skenar i tillë, mund të sjellë ndërhyrjen e Perëndimit. Një ndërhyrje e tillë, nuk do të synojë të zmbrapsë Rusinë, por të mbajë në këmbë shtetin e dështuar ukrainas në kufirin lindor të BE-së.
Mbulimi i medias perëndimore mbi luftën Rusi-Ukrainë, ka ndryshuar dukshëm javët e fundit. Më herët, me disa përjashtime, reportazhet dhe komentet mbështeteshin kryesisht tek burimet zyrtare ukrainase. Për pasojë, artikujt u karakterizuan nga një optimizëm i madh.
Tani ka filluar të zërë vend një pikëpamje më realiste, e nxitur nga disa faktorë:dështimi i kundërsulmit të Ukrainës në verën e vitit të kaluar; sukseset e qëndrueshme dhe në rritje të ushtrisë ruse, si dhe dyshimi i vazhdueshëm mbi ndihmën e vazhdueshme të SHBA-së.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, analistët po shqyrtojnë tani mundësinë e një ngërçi afatgjatë në fushën e betejës. Vitin e kaluar, shumë burime e pranuan se ky skenar ishte më i mundshëm se sa një fitore e drejtpërdrejtë e Ukrainës.
Duke spekuluar më tej, ne mund të nisim të shqyrtojmë jo vetëm mundësinë e një ngërçi, por të një kolapsi të përgjithshëm të linjave mbrojtëse të Ukrainës. Ndonëse asetet e luftës janë gjithmonë të turbullta, ne duhet të marrim parasysh trajektoret që mund të ndjekë kombi ukrainas nëse ndodh ky kolaps. Çfarë mund të presë Ukraina?
Skenari i një ndryshimi të vogël
Një skenar i besueshëm, do të kishte shumë pak ndryshim. Siç e kam theksuar me herët, Rusia kontrollon tashmë mjaftueshëm territor ukrainas për të arritur shumicën e objektivave kryesore që e çuan në këtë luftë.
Forcat ruse kanë nevojë për përparime relativisht të kufizuara për të pushtuar pjesën e mbetur të territoreve ukrainase të Donetskut dhe Luhanskut, gjë që do të përmbushte premtimet e Rusisë ndaj aleatëve të saj në rajonin e Donbassit.
Kontrolli i rajonit Kherson, i ka dhënë mundësi rusëve që të thyejnë bllokadën ndaj Krimesë nga ana e Ukrainës, duke zgjidhur problemet ekonomike dhe të furnizimit me ujë që krijoi ajo bllokadë. Edhe nëse Rusia do ta interpretonte dekretin e saj për aneksimin, si një dokument që kërkon pushtimin e plotë të Khersonit dhe Zaporizhzhias, por edhe Donetskut dhe Luhanskut, pushtimi i ri do të ishte i kufizuar.
Moska nuk ka nevojë të pushtojë pjesë të mëdha të Ukrainës për të përmbushur qëllimet e saj të luftës. Natyrisht, edhe nëse një pushtim i tillë do të ishte i tepërt, synimet e Rusisë mund të bëhen më ambicioze ndërsa situata e saj në front përmirësohet. Ajo mund të joshet të pushtojë territore të tjera pasi të bien kostot e tyre.
Por 2 janë faktorët që i kundërvihen potencialit për një “oreks” të shtuar të Rusisë: kërcënimi i përplasjes direkte me Perëndimin dhe kryengritja e Ukrainës. Së pari, reagimi i Perëndimit mbetet një ndryshore e paparashikueshme. Fitimet e shpejta dhe të mëdha ruse në terren, mund të shtojnë ndjeshëm investimet perëndimore në mbrojtje.
Madje kjo mund të çojë në zbarkimin e trupave të NATO-s në Ukrainë. Në fakt, presidenti francez Emmanuel Macron e la të hapur këtë mundësi. Por aleatët e tij në NATO, nuk janë dhe aq entuziastë për këtë ide. Edhe pse përfshirja e drejtpërdrejtë e NATO-s duket një skenar ende i largët, mos harroni se Perëndimi, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, i kanë kaluar tashmë disa nga “vijat e kuqe” të Rusisë në mbështetje të Ukrainës.
Megjithëse nuk ka gjasa që shohim vendosje trupash pranë vijës së frontit, forcat e NATO-s mund të vendosen fare mirë në qytete si Odessa ose Kiev, duke kufizuar çdo rritje të oreksit të Rusisë. Putin ka një histori të gjatë të sjelljeve të kujdesshme në lidhje me konfrontimet e mundshme perëndimore, ndaj ka shumë pak gjasa që Rusia të rrezikojë luftën e drejtpërdrejtë me forcat perëndimore në një skenar të tillë.
Së dyti, nacionalizmi ukrainas anti-rus është shumë i përhapur në Ukrainën Perëndimore.
Sa më shumë të zhvendosesh në Perëndim, aq më i fortë bëhet ai. Deri tani Rusia ka arritur që të shmangë vështirësitë me kryengritjen guerile, duke administruar territoret e saj të pushtuara me një kosto relativisht të ulët.
Por kjo gjë ndoshta do të ndryshonte nëse Rusia do të pushtonte më shumë territore. Shtrirja gjigante e një pushtimi të tillë dhe një popullatë më armiqësore në këto rajone, do ta bënte më të vështirë dhe më të kushtueshme shtypjen e rezistencës ukrainase.
Duke pasur parasysh se tashmë po bie mbështetja publike në Rusi për qëllime të tilla ambicioze, pushtimet e gjera territoriale do të ishin një barrë e madhe politike në shpinën e Kremlinit dhe jo një aset i dëshirueshëm.
Skenari i një Ukrainë të de-legjitimuar
Megjithatë, në një skenar tjetër të besueshëm, një kolaps i ushtrisë ukrainase do të ishte katastrofik për integritetin e këtij kombi. Dështimi për të ngritur krye kundër Rusisë, do të rrezikonte legjitimitetin e shtetit ukrainas, pasi regjimi aktual e merr legjitimitetin e tij nga apeli nacionalist i rezistencës së tij ndaj Rusisë.
Ajo nuk ka motiv tjetër për të rezistuar, duke pasur parasysh dështimin e saj për të ofruar gjë në ndonjë aspekt tjetër. Revolucioni i Dinjitetit , i njohur gjithashtu si Revolucioni Maidan, ka qenë një katastrofë për ekonominë e Ukrainës. Kaosi i shkaktuar nga trazirat politike ka krijuar një rënie ekonomike të madhe.
Ajo nisi të rimëkëmbjet gradualisht midis viteve 2015-2021, kur produkti i brendshëm bruto për frymë (PBB) arriti nivelet e vitit 2013. Më pas pushtimi i Rusisë në shkurt 2022 shkaktoi një kolaps ekonomik. Pavarësisht ndihmës ekonomike dhe ushtarake nga SHBA, BE, Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) por edhe donatorë të tjerë, ndikimi i pushtimit ishte i rëndë.
Aktualisht PBB-ja për frymë e Ukrainës është më e ulëta që nga viti 2003. Ndërkohë, varfëria ka rritur një nivel rekord. Rezistenca e fortë e Ukrainës, ka nxitur pritshmëri jorealiste se një fitore gjithëpërfshirëse ndaj Rusisë do të sillte suksese të tjera mbresëlënëse.
Populli dëshiron një ndihmë të qëndrueshme nga Perëndimi, integrim të shpejtë në BE dhe përparime të shpejta, të cilat do të rivendosin shpejt ekonominë e Ukrainës në nivelin e saj të mëparshëm, pse jo edhe shumë më lart. Një kolaps ushtarak, do të provonte përfundimisht se diçka e tillë nuk do të ndodhë.
Për më tepër, kjo do të tregonte mungesën e dobisë së vendit si një mjet për t’u përdorur kundër Rusisë, gjë që do të zbehte motivimin e Perëndimit për të vazhduar mbështetjen
e Ukrainës. Në një skenar të tillë, popullsisë së Ukrainës do t’i mbetej vetëm një shpresë:mundësia e një lehtësimi të lehtë dhe gradual të gjendjes së saj të rëndë, pa krenarinë që vjen nga rezistenca ndaj një kundërshtari të fuqishëm.
E si mundet çdo qeveri, sidomos ajo e korruptuar që sundon sot Ukrainën, të ruajë legjitimitetin? Një skenar i tillë, mund të sjellë ndërhyrjen e Perëndimit. Një ndërhyrje e tillë, nuk do të synojë të zmbrapsë Rusinë, por të mbajë në këmbë shtetin e dështuar ukrainas në kufirin lindor të BE-së./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Lini një Përgjigje