TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Mars 2024, 21:12

Bojkot në nivel rekord në zgjedhjet e fundit, a mund të ketë përmbysje në Iran?

Shkruar nga Jawad Iqbal

Bojkot në nivel rekord në zgjedhjet e fundit, a mund të ketë

Regjimi preferon të fajësojë për problemet e vendit forcat e jashtme, pra Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Por edhe kjo është një “muzikë” e vjetër dhe e lodhur që nuk bind askënd dhe aq më pak njerëzit e saj...

Pjesëmarrja e ulët për rekord në zgjedhjet parlamentare në Iran, të cilat u zhvilluan të premten e shkuar, është një goditje tjetër ndaj përpjekjeve të regjimit për të pretenduar se gjithçka në vend është mirë. Raportet e hershme, tregojnë se në zgjedhjet dolën më pak se 41 për qind e qytetarëve me të drejtë vote.

Pra miliona iranianë e kanë refuzuar regjimin, duke zgjedhur të qëndrojnë në shtëpi në vend se të votojnë. Zgjedhjet nuk kanë qenë kurrë një çështje e rezultateve përfundimtare (për grupin e larmishëm të linjave të ashpra fetare dhe konservatorëve socialë të mbështetur nga klerikët në pushtet, fitorja ishte thuajse e garantuar), por mbi atë se sa njerëz do të merrnin mundimin në të vërtetë dhe do të shkonin të votonin.

Pjesëmarrja ka shumë rëndësi për mullahët, sepse procesi zgjedhor ekziston enkas për t’i dhënë regjimit fasadën e legjitimitetit demokratik. Kjo është edhe arsyeja pse javët e fundit autoritetet kanë bërë gjithçka që munden për të rritur numrin e votuesve.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, u ka kërkuar vazhdimisht njerëzve të votojnë, duke e përshkruar atë si një detyrë kombëtare.

“Nëse pjesëmarrja në zgjedhje është e ulët, të gjithë rrezikojmë të dëmtohemi”, deklaroi ai.

Por lutjet e tij u shpërfillën. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, tregoi një zemërim të madh në publik si dhe rënien e besimit ndaj sundimtarëve të vendit. Më shumë se 15.000 kandidatë garuan për një vend në parlamentin prej 290 anëtarësh, i njohur zyrtarisht si Asambleja Islamike Konsultative.

Nga gara u skualifikua paraprakisht cilido që e kundërshton linjën zyrtare.

Këshilli Gardian i Iranit, përgjegjës për mbikëqyrjen e zgjedhjeve dhe zbatimit të ligjeve ndaloi pjesëmarrjen në proces për mijëra kandidatë që janë pro reformave.

Parlamenti iranian mbikëqyr zyrtarisht punën e qeverisë dhe voton ligjet dhe traktatet. Por pushtetin e vërtetë e ka Ajatollah Khamenei. Pra parlamenti, që nuk ka një zë për çështje kritike si ato bërthamore apo politika e jashtme, është aty për të vulosur dëshirat e udhëheqësit suprem.

Kjo është më se e dukshme në fokusin e tij të fundit tek ligjet që rregullojnë mbajtjen e detyrueshme të hixhabit nga gratë pas protestave mbarëkombëtare pas vdekjes brutale të Mahsa Amini në një komisariat policie. Ajo u arrestua për shkelje të kodit të rreptë fetar të veshjes.

Në kundërpërgjigje, autoritetet filluan një goditje brutale për të shuar trazirat në rritje. U vranë rreth 500 njerëz, ndërsa janë arrestuar më shumë se 22.000 të tjerë. Parlamenti, i dominuar nga radikalët, u kundërpërgjigj ndaj protestave duke miratuar ligjet edhe më të ashpra me ndëshkime edhe më të rënda për gratë që shkelin rregullat e mbajtjes së hixhabit.

Zgjedhjet e tjera që u zhvilluan të premten ishin për anëtarët e Asamblesë së Ekspertëve prej 88 vendesh. Ky organ ka si kompetencë emërimin e Udhëheqësit Suprem të vendit. Ky është një tjetër rregullim elektoral, tipik i stilit iranian. Kandidatët për në këtë asamble verifikohen paraprakisht dhe lejohen të garojnë vetëm ata që miraton regjimi.

Makinacionet në prapaskenë kanë marrë një emergjencë dhe rëndësi të shtuar, sepse Ayatollah Khamenei është 84 vjeç dhe me shëndet të dobët. Ka shumë të ngjarë që në një moment dhe shumë shpejt anëtarët e asamblesë të thirren për të zgjedhur pasardhësin e tij.

Ka zëra se Khamenei dëshiron që në pushtet ta pasojë djali i tij Mojtaba, një veprim ky i paprecedentë dhe shumë i diskutueshëm që do ta vendoste Republikën Islamike në rrugën e sundimit dinastik. E tillë është paranoja e klikës në pushtet, kur flitet për mbajtjen e kontrollit të procesit të trashëgimisë, saqë edhe ish-presidentit iranian Hassan Rouhani iu ndalua këtë herë të kandidonte për zgjedhjet e asamblesë.

Herët a vonë, askush nuk është i sigurt nga dyshimet. Atëherë, çfarë ndodh tani? Populli i Iranit i ka dërguar një mesazh të qartë sunduesve të tij, se është neveritur me sundimin e tyre despotik. Shumë iranianë, dhe veçanërisht të rinjtë, besojnë se votimi nuk ndryshon asgjë sa i përket korrupsionit sistematik, keq-menaxhimit ekonomik dhe represionit brutal që janë një tipar i jetës së përditshme nën sundimin e mullahëve.

Në vend ka një pakënaqësi të madhe për ekonominë iraniane në kolaps, me një nivel inflacioni mbi 30 për qind. 1 në 5 të rinj është i papunë. Zemërimi dhe dëshpërimi ndihen kudo. Mullahët nuk ofrojnë asnjë përgjigje të vërtetë përtej goditjeve gjithnjë e më të ashpra për të rivendosur rendin dhe për të mbajtur pushtetin e tyre.

Regjimi preferon të fajësojë për problemet e vendit forcat e jashtme, pra Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Por edhe kjo është një “muzikë” e vjetër dhe e lodhur që nuk bind askënd, dhe aq më pak njerëzit e saj. Pas më shumë se 4 dekadash pushteti absolut, përgjegjësia për vështirësitë e Iranit bie vetëm tek mullahët në Teheran.

Këtë e dinë edhe votuesit. Ndaj bojkoti në masë i zgjedhjeve është e vetmja formë proteste që u ka mbetur nën një regjim që ka dërrmuar të gjitha format e tjera të lirisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Spectator”.

Shënim: Jawad Iqbal, ish-moderator televiziv në Iran dhe bashkëpunëtor i Institutin e Çështjeve Globale në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Lini një Përgjigje