
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi sot në Beograd se Serbia duhet të tregojë seriozisht se është e orientuar strategjikisht drejt Bashkimit Evropian dhe të komunikojë në mënyrë objektive dhe të qartë për BE-në.
Ministria për Integrim Evropian raportoi se Picula tha në një takim me ministren serbe Tanja Miscevic se "mangësi të mëdha ekzistojnë ende në fusha kritike, si sundimi i ligjit, liria e medias, korniza zgjedhore, mbizotërimi i vazhdueshëm i korrupsionit në shumë fusha dhe reforma e administratës publike".
Picula dënoi akuzat e pabazuara kundër BE-së dhe vendeve anëtare të saj se ata janë të përfshirë në organizimin e protestave aktuale të udhëhequra nga studentët në Serbi.
Raportuesi i PE për Serbinë shprehu gatishmërinë e PE për të mbështetur rinisjen e proceseve politike dhe demokratike që lidhen me rrugën evropiane të Serbisë, duke përdorur mjetet dhe iniciativat ekzistuese për të mbështetur demokracinë.
Miscevic theksoi se integrimi evropian është një prioritet kyç i politikës së jashtme të Serbisë dhe se Serbia është e gatshme të përfitojë nga momenti i ri i zgjerimit duke përmbushur detyrimet e saj të anëtarësimit.
Ajo theksoi rëndësinë e Planit të Rritjes dhe Agjendës së Reformës, të cilat renditin masat prioritare për përshpejtimin e procesit.
Picula dhe Miščević diskutuan draftin e Raportit të tij për Serbinë, i cili është në proces të miratimit nga PE.
Picula, i cili do të vizitojë Serbinë deri të mërkurën, sot është takuar me nënkryetaren e Kuvendit të Serbisë dhe kryetaren e Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Elvira Kovaç, si dhe do të takohet edhe me përfaqësues të tjerë të qeverisë, opozitës, mediave dhe sektorit joqeveritar.
Lini një Përgjigje