Lideri kinez Xi Jinping ka zhvilluar një bisedë telefonike me Vladimir Putin ditën e sotme, sipas asaj që u raportua nga televizioni shtetëror kinez, shkruan Bloomberg.
Fokusi kësaj telefonate ishin zhvillimet në Ukrainë.
“Në pasditen e 24 shkurtit (koha lokale), presidenti kinez Xi Jinping pati një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin”, tha kanali në një përditësim të lidhur. Komunikimi midis presidentëve të Rusisë dhe Kinës u zhvillua me iniciativën e palës ruse, vuri në dukje Pekini.
Në të njëjtën kohë, agjencia kineze e lajmeve Xinhua raportoi se Xi i tha Putinit se të dy vendet vazhdojnë të mbajnë marrëdhënie të mira miqësore, të mbështesin njëri-tjetrin dhe të kërkojnë zhvillim të përbashkët.
Në të njëjtën kohë, presidenti kinez shprehu kënaqësinë e tij për lëvizjet që po ndërmerr Moska për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe i theksoi Putinit se marrëdhëniet midis vendeve të tyre nuk preken nga asnjë faktor i tretë dhe nuk diktohen nga ndikimet e jashtme.
Ndërkohë presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin mund të takohen brenda muajit shkurt, megjithëse një takim ballë për ballë do të marrë kohë për t’u përgatitur, është shprehur zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov, sipas agjencive ruse të lajmeve.
Peskov tha se bisedimet SHBA-Rusi që u mbajtën dje në Riad të Arabisë Saudite për paqen në Ukrainë, ishin një “hap i rëndësishëm” drejt arritjes për zgjidhje të luftës.
Kujtojmë se Donald Trump tha gjithashtu se mund të takohet me Putinin këtë muaj, teksa hodhi poshtë shqetësimet e Ukrainës, e cila thotë se është përjashtuar nga bisedimet në Arabinë Saudite për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Takimi në Riad shënoi një tjetër hap të rëndësishëm nga administrata Trump për të ndryshuar politikën amerikane për izolimin e Rusisë.
Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan tha gjithashtu se ai dhe Putin kishin rënë dakord të fillonin negociatat për përfundimin e luftës pasi ai pati një telefonatë me liderin rus.
Lini një Përgjigje