
Djali i bossit të famshëm të drogës Joaquín El Chapo Guzmán i ka shpëtuar sot një aksioni të madh policor. Ai është arratisur përmes një tuneli, njësoj si babai i tij.
41 vjeçari, Iván Archivaldo Guzmán Salazar, është më i madhi nga fëmijët e El Chapos. Ai është lideri i Los Chapitos, një fraksion i Kartelit të fuqishëm të Sinaloa-s, dhe është në listën e trafikantëve më të kërkuar të drogës në Shtetet e Bashkuara. 10 milion $ është shpërblimi që ka ofruar Departamenti i Shtetit Amerikan për çdo informacion që çon në arrestimin e Ivan.
Raportohet se Iván Archivaldo u arratis nga shtëpia në Tierra Blanca përmes një tuneli me bashkëpunëtorët e tij, José Ángel Canobbio Inzunza, Kevin Alonso Gil Acosta, José Alonso Acosta López dhe Gustavo Acosta López. Helikopterët e Ushtrisë Meksikane dhe Gardës Kombëtare zhvilluan kërkime për orë të tëra në të gjithë zonën, por pa sukses. Udhëheqësi i Los Chapitos thuhet se është në situatë kritike sa i takon kartelit të tij. Dy nga vëllezërit e tij janë arrestuar vitet e fundit dhe qëndrojnë në burg në SHBA.
Këtë arratisje, mediat e huaja e kanë krahasuar me atë të babait të tij, 10 vite më parë. Më 11 korrik 2015, El Chapo doli nga burgu Altiplano i Meksikës përmes një tuneli 2.4 km të ndërtuar fshehurazi. I pajisur me ndriçim dhe ajrim, tuneli nga zona e dushit të qelisë së tij të çonte në një shtëpi të vogël aty pranë.
Lini një Përgjigje