Një aksident i rëndë është regjistruar ditën e sotme në Hamburg, Gjermani, ku një autobus është përplasur me një tren në zonën e portit të qytetit. Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën, ndërsa dhjetë të tjerë kanë mbetur të plagosur, bëri të ditur shërbimi zjarrfikës për AFP.
Sipas autoriteteve, të gjitha viktimat ndodheshin brenda autobusit. Përveç burrit që ndërroi jetë në vendngjarje nga plagët e marra, shoferi i autobusit mbeti i bllokuar për një kohë të gjatë në mjet dhe u lirua i fundit nga ekipet e shpëtimit. Dy persona të tjerë janë plagosur rëndë, ndërsa gjashtë pasagjerë kanë pësuar lëndime të lehta.
Disa nga të plagosurit morën ndihmën e parë në vendin e aksidentit, ndërsa një prej tyre u transportua në spital për trajtim të specializuar. Autoritetet konfirmuan se shoferi i trenit nuk ka pësuar lëndime.
Aksidenti ndodhi në një kalim të pambrojtur në qendër të zonës së madhe portuale të Hamburgut, për arsye që ende nuk janë sqaruar. Policia njoftoi se viktima humbi jetën në vendngjarje si pasojë e plagëve të marra nga përplasja.
Operacionet e shpëtimit dhe hetimet po vijojnë, ndërsa departamenti i mjekësisë ligjore i policisë është angazhuar për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit. Ndërkohë, një zonë pritjeje për familjarët e viktimave është ngritur pranë stacionit më të afërt të autobusëve.
Me duhet ne gjuhen shqip ju lutem