TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2023, 18:26

A po synon Prigozhin karrigen e Putinit?

Shkruar nga Pamfleti

A po synon Prigozhin karrigen e Putinit?

Në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Yevgeny Prigozhin ka bërë burg për vjedhje. Sot udhëheq grupin më të fuqishëm mercenar të Rusisë, Wagner. Dhjetëra mijëra pjesëtarë të tij luftojnë për Rusinë në Ukrainë. Aktualisht, janë të përfshirë rëndë në një nga betejat më të përgjakshme për kapjen e Bahmutit – qytet në lindje të Ukrainës. Dhe Prigozhin raporton vazhdimisht për sukseset e luftëtarëve të tij në fushëbetejë.

“Dua t’i përgëzoj të gjithë djemtë që luftojnë, që janë në vijën e parë të frontit ose në spital; ushtarët që luftojnë për atdheun tonë dhe vullnetarët që punojnë në fabrika dhe prodhojnë municione”, ka thënë Prigozhin nga një zonë e Bahmutit.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Wagner komandon 50.000 trupa në Ukrainë dhe është bërë një komponent kyç në këtë luftë. Sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, rreth 80% e luftëtarëve të tij janë të dënuar që janë nxjerrë nga burgjet. Vetë Prigozhin, një biznesmen i pasur, e portretizon veten si nacionalist të drejtpërdrejtë që përpiqet të mbrojë nderin dhe njerëzit e Rusisë.

Disa ekspertë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ai ndihet i nevojshëm dhe i domosdoshëm për presidentin rus, Vladimir Putin, sidomos pas dështimit të ushtrisë ruse në disa beteja në Ukrainë.

Por, a e synon Prigozhin karrigen e Putinit në këmbim? Kështu së paku kanë aluduar dhe spekuluar disa media dhe vëzhgues. Në fund të janarit, gazetari rus, Mikhail Zygar, ka shkruar një opinion për gazetën amerikane New York Times, ku Prigozhinin e ka përshkruar si “konkurrent të rrezikshëm” të pushtetit të Putinit.

“Prigozhin mund ta sfidojë presidentin dhe zoti Putin mund të mos jetë më në gjendje ta kundërshtojë ish-kuzhinierin e tij”, ka shkruar Zygar.

Një tjetër artikull i publikuar në New York Times në muajin shkurt ka cituar disa analistë që besojnë se “Prigozhin mund të kthehet kundër Putinit”. Gazeta amerikane, Newsweek, ka cituar një ekspert të ketë thënë se Prigozhin, përfundimisht, do të ngrihet kundër liderit rus”.

Aktivisti opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky, i cili jeton në mërgim, ka shkuar edhe më larg, duke spekuluar për një juntë ushtarake, që Prigozhin dhe kundërshtarë të tjerë të mundshëm të Putinit do të mund ta drejtonin.

Tani, është fakt që Prigozhin është bërë fytyra e luftës ruse në Ukrainë, sidomos për shkak të taktikave brutale të grupit të tij në fushëbetejë. Por, a përbën ai vërtet kërcënim për fuqinë e Putinit?

Rebekah Koffler, eksperte e inteligjencës amerikane dhe autore e librit “Doracaku i Putinit”, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Nuk besoj se Prigozhin është një konkurrent i rrezikshëm. Ju e dini se Putin e ka rrethuar veten me njerëz jashtëzakonisht besnikë. Këta njerëz, ish-operativët e inteligjencës, e mbrojnë Putinin. Ata, po ashtu, janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një sistem teknik i monitorimit i quajtur SORM”.

Por, Kasia Kaczmarska, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Edinburgut, vlerëson për Exposenë se Prigozhin i duhet Putinit. Sipas saj, është taktikë e presidentit rus që t’i lejojë përçarjet mes ushtrisë dhe mercenarëve, në mënyrë që askush prej tyre të mos forcohet së tepërmi. Kaczmarska thotë se pushteti i Putinit, tash për tash, është relativisht i sigurt.

“Vladimir Putin ka mbështetje popullore pas vetes, ka media dhe makineri propaganduese pas vetes. Janë bërë përpjekje enorme për ta bërë atë aq të rëndësishëm dhe të mbështetur nga popullata ruse. Prigozhin, pa marrë parasysh se sa i fuqishëm është si biznesmen, sigurisht që nuk e ka atë lloj mbështetjeje”, thotë Kaczmarska.

Portali i pavarur rus, Meduza, ka shkruar se Prigozhin planifikon “të nisë një lëvizje patriotike dhe konservatore” që “do të mund të evoluojë në një parti politike” – gjë të cilën Prigozhin e ka mohuar publikisht.

Rebekah Koffler, e cila ka punuar edhe për disa shërbime të CIA-s, thotë se kërcënimi që vjen nga Prigozhini duket më shumë si i sajuar.

“Në bazë të analizave të mia të inteligjencës, Prigozhin nuk ka shanse të bëhet president i Rusisë, e as madje likuidues i madh. Putin do që ai vetë të shihet si likuiduesi kryesor në Rusi. Ai është spiun, operativ i KGB-së, është i pamëshirshëm. Ai nuk do të lejojë që dikush si Prigozhini ta marrë vëmendjen prej tij”, thotë Koffler.

Aktualisht, shton ajo, kolapsi i regjimit të Putinit është thjesht një dëshirë. Skena politike ruse, sipas saj, mbetet e hapur vetëm për aktorët që Putini i toleron. Kaczmarska, nga Universiteti i Edinburgut, pajtohet.

“Konkurrentët kryesorë të Putinit janë në burg. Putin e ka pranuar se [aktivisti opozitar] Aleksey Navalny është një konkurrent shumë serioz. Dhe, kjo është arsyeja përse ai ndodhet në burg”, thotë ajo.  /REL

putin prigozhin karrige rusi

Lini një Përgjigje