TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Janar 2024, 18:49

A mund të shkojë Gjermania drejt shembullit britanik të “Brexit”?!

Shkruar nga Guy Chazan

 A mund të shkojë Gjermania drejt shembullit britanik të

AfD pritet që të fitojë zgjedhjet lokale të shtatorit në landet lindore Saksoni, Brandenburg dhe Turingi, edhe pse në kushtet kur të gjitha partitë e tjera kryesore që refuzojnë të arrijnë një marrëveshje koalicioni me AfD-në, rruga e saj drejt pushtetit mbetet e paqartë.

Nëse do të ngjitet në pushtet, Alternativa për Gjermaninë (AfD), forca politike e ekstremit të djathtë me një rritje të shpejtë vitet e fundit, do të synojë mbajtjen e një referendumi si Brexit mbi qëndrimin ose jo të Gjermanisë në BE. Kështu shprehet udhëheqësja e saj Alice Weidel, që e cilëson si një vendim shumë të drejtë daljen e Britanisë së Madhe nga blloku.

“Brexit është një model për Gjermaninë, shembulli i një vendi vërtetë sovran”- thotë ajo në një intervistë për “Financial Times”. Weidel, lidere e partisë që nga viti 2022, thekson se një qeveri e AfD-së do të synojë fillimisht të reformojë BE-në dhe të zhdukë “deficitin e saj në demokracinë e brendshme”, përfshirë frenimin e kompetencave të Komisionit Evropian, një “qeveri e pazgjedhur me votë”.

“Por nëse nuk është e mundur një reformë e tillë, nëse dështojmë të rikthejmë sovranitetin e vendeve anëtare të BE-së, atëherë duhet t’i lëmë njerëzit të vendosin, ashtu siç bëri Britania. Dhe ne mund të kemi një referendum për Dexit, një dalje të Gjermanisë nga Bashkimi Evropian.

Kjo ide thyen një tabu të madhe në Gjermani, ku partitë kryesore janë shumë pro-evropiane. Kushtetuta gjermane përmban kufizime të forta mbi referendumet kombëtare. Por edhe nëse do të mbahej një i tillë, sondazhet sugjerojnë se një shumicë e madhe e gjermanëve do të votonin për të qëndruar në BE.

Megjithatë, në mesin e votuesve të AfD-së, mbështetja për BE-në është më e dobëta. Weidel flet hapur për këtë plan në kushtet e një rritjeje të madhe të mbështetjes për AfD, e cila aktualisht merr 22 për qind të pëlqimeve në sondazhe, përpara 3 partive në koalicionin e dobët të kancelarit aktual Olaf Scholz, socialdemokratët, të gjelbrit dhe liberalët.

AfD pritet që të fitojë zgjedhjet lokale të shtatorit në landet lindore Saksoni, Brandenburg dhe Turingi, edhe pse në kushtet kur të gjitha partitë e tjera kryesore që refuzojnë të arrijnë një marrëveshje koalicioni me AfD-në, rruga e saj drejt pushtetit mbetet e paqartë.

Shërbimi sekret gjerman ka listuar si problematikë shumë ekstremistë të AfD dhe ka vënë nën vëzhgim disa prej zyrtarëve të saj. Megjithatë, partia ka përfituar nga zemërimi i publikut me Scholz, dhe mënyrën e menaxhimin që i ka bërë një ekonomie në përkeqësim të vazhdueshëm.

Por ditët e fundit, Wiedel është vënë në qendër kritikave pas raporteve mbi një takim të diskutueshëm nëntorin e vitit të kaluar midis ligjvënësve të AfD dhe liderit austriak të ekstremit të djathtë Martin Sellner, ku u diskutua mbi një plan “emigrimi” për të larguar me forcë nga Gjermania miliona njerëz me origjinë emigrante, duke përfshirë madje edhe shtetasit me pasaporta gjermane.

Protesta anti-AfD janë mbajtur në disa qytete gjermane, ndërsa politikanët po lëshojnë alarmin mbi rrezikun që paraqet kjo parti për institucionet demokratike të vendit. Weidel nuk mori pjesë në atë takim, dhe shkarkoi menjëherë një nga ndihmësit e saj më të ngushtë që kishte qenë i pranishëm në të.

Megjithatë, ajo e ka pasur të vështirë të frenojë reagimin e publikut. Lars Klingbeil, udhëheqësi i Social Demokratëve, e akuzoi atë për minimizimin e planit të dëbimit. “Ti je një ujk nën petkun e deles!”- i tha ai gjatë një debati në Bundestag javën e kaluar.

“Por po ta them: fasada jote ka nisur të shkërmoqet. Më në fund njerëzit po e shohin fytyrën e vërtetë të AfD-së”- shtoi ai. Në intervistën e saj, Weidel fajësoi “Correctiv”, gazetën investigative që raportoi fillimisht mbi takimin, duke i cilësuar si “skandaloze” metodat e saj. “Ajo ishte thjesht një përpjekje për të kriminalizuar vetë idenë e riatdhesimit  të ligjshëm të njerëzve që nuk kanë leje të qëndrojnë këtu apo që i nënshtrohen një urdhri dëbimi. AfD është partia që mbështet zbatimin e ligjeve të këtij vendi”, deklaron ajo.

Wiedel thotë se për të koncepti i “emigrimit” nënkupton edhe dëbimin e njerëzve që kanë “fituar në mënyrë të paligjshme shtetësinë përmes pretendimeve të rreme”, ose individëve “me shtetësi të dyfishtë që dyshohen për terrorizëm, apo që janë dënuar për krime të ndryshme”. 

Gjithsesi ajo përjashtoi skenarin e dëbimeve masive. “Nuk mund të bëjmë përgjithësime”- saktëson ajo. Megjithatë shtoi se 1.1 milionë refugjatët ukrainas që ndodhen aktualisht në Gjermani nuk kanë një të ardhme afatgjatë në vend, dhe sipas saj është e gabuar që ata lejohen të përfitojnë ndihmë sociale.

“Është e qartë se kur të përfundojë lufta, të gjithë ukrainasit duhet të rikthehen në shtëpitë e tyre. Ata duhet të jenë aty për të ndihmuar në rindërtimin e vendit të tyre”- thotë Wiedel. AfD u krijua në vitin 2013 nga ekonomistë konservatorë, që ishin të zemëruar me ndihmat që po merrnin disa vende të eurozonës gjatë krizës së borxhit. Por gradualisht u zhvendos djathtas, duke shfrytëzuar një valë zemërimi ndaj politikës së dyerve të hapura të refugjatëve të ish-kancelares Angela Merkel, për të hartuar një platformë të ashpër kundër emigracionit dhe anti-establishmentit aktual.

Weidel, e cila ka një doktoraturë në ekonomi dhe ka punuar për kompani prestigjioze si Goldman Sachs dhe Allianz Global Investors përpara se të hynte në politikë, e udhëheq që nga viti 2017 grupin parlamentar të AfD-së. Në një bashkëjetesë me një emigrante nga Sri Lanka, ajo dallohet në një parti të dominuar nga meshkujt dhe me zakone familjare tradicionale.

Me veshjet dhe bizhutë e saj firmato, pasurinë dhe karrierën në botën e financave, ajo i jep AfD-së “atmosferën e borgjezisë që pëlqehet shumë nga votuesit e klasës së mesme përtej bazës së saj tradicionale të së djathtës”, thotë Hans Vorländer, politolog në Universitetin Teknik të Dresdenit.

Megjithatë, zyrtarët e sigurisë paralajmërojnë se pas këtij imazhi, fshihet një parti që është shumë e infiltruar nga ekstremistët e krahut të djathtë, dhe që po radikalizohet gjithnjë e më shumë. Një gjykatë gjermane vendosi në vitin 2019, se një nga politikanët e saj më të lartë, Björn Höcke, mund të përshkruhet si fashist, duke cituar “fakte të verifikueshme”.

Partitë e tjera janë kundërpërgjigjur ndaj kërcënimit që vjen nga AfD, duke përjashtuar çdo formë koalicioni apo bashkëpunimi me këtë parti. Për pasojë, pavarësisht fuqisë së saj në sondazhe, AfD-ja nuk sundon në asnjë nga 16 qeveritë lokale të Gjermanisë.

Duke folur nga zyra e saj me pamje nga Reichstag, dhe me zhurmën në sfond të protestave antiqeveritare, vetë Weidel e pranoi se AfD nuk mund të vijë në pushtet në Berlin “para vitit 2029”. Por ajo këmbëngul se një rol i ardhshëm i AfD-së në qeveri është diçka “e  pashmangshme”.

Ajo parashikon se Kristiandemokratët e qendrës së djathtë (CDU) do të ishin të parët që do ta braktisnin bojkotin e tyre ndaj AfD-së. “CDU nuk do të jetë në gjendje ta ruajë për shumë kohë distancën nga ne. Zgjedhjet në landin Hesse në nëntor të vitin e kaluar treguan se ne mund të formojmë një shumicë të qartë të krahut të djathtë. Dhe CDU nuk mund të refuzojë ta pranojë këtë në terma afatgjatë, veçanërisht në landet lindore”- thotë ajo. 

E pyetur se cilat do të ishin prioritetet kryesore të AfD-së në qeveri, Weidel tha se do të “vendosë kontrolle kufitare efektive. . . dhe të dëbojnë menjëherë emigrantët e dënuar me burg”. Po ashtu do të reformojë sistemin e taksave, do të zvogëlonte shpenzimet qeveritare dhe do t’i jepte fund zhvendosjes së Gjermanisë nga karburantet fosile drejt energjisë së rinovueshme. “Franca po planifikon 15 stacione të reja të energjisë bërthamore, ndërsa ne po planifikojmë të mbështetemi tek turbinat me erë dhe panelet diellore që as nuk mund t’i prodhojmë vetë”- përfundon ajo. /Përshtati “Pamfleti” nga “Financial Times”

Lini një Përgjigje