
Ponomaryov argumenton se pas dyerve të mbyllura, shumë figura të opozitës ruse e mbështesin rezistencën e armatosur.
Londër - Ilya Ponomaryov është në humor. Duke folur për “The Moscow Times” nga kryeqyteti anglez Londër, ish-ligjvënësi rus i shndërruar në një figurë të diskutueshme të opozitës porosit çaj në restorantin ku u takuam, duke bërë shaka se shijet e tij mbeten të pa ndryshuara pavarësisht helmimit fatal të Alexander Litvinenkos, të cilin e kishte një mik të ngushtë.
Ponomaryov është larguar nga Rusia që nga viti 2016. Në fillim u zhvendos me banim në Kiev pasi u akuzua për përvetësim, dhe më vonë u fajësua për dështim në kryerjen e detyrave të tij. Sot ai pretendon se është zëdhënësi i Ushtrisë Republikane Kombëtare (NRA), një grupim paraushtarak që po përpiqet të rrëzojë nga pushteti presidentin Vladimir Putin.
Kur ishte deputet i Dumës ruse në fillim të viteve 2010, Ponomaryov e sfidoi autoritarizmin e përshkallëzuar të vendit. Ai ishte i vetmi politikan që votoi kundër aneksimit të Krimesë në vitin 2014 dhe të ashtuquajturit “ligj kundër propagandës së homoseksualëve”.
Megjithatë, kritikët e 48-vjeçarit, ish-biznesmen i njohur në fushën e teknologjisë, thonë se edhe ai ishte pjesë e establishmentit gjatë konsolidimit të pushtetit të Putinit. “Me sa shoh, vetëm 20 për qind e popullit rus e mbështet fuqishëm luftën në Ukrainë. 20 për qind janë fuqishëm kundër saj, ndërsa pjesa tjetër është neutrale. Dhe tek ky 60 për qind janë njerëzit tanë”- thotë ai.
Ponomaryov mendon se mënyra për të zhbllokuar potencialin e tyre është pushtimi i Kremlinit. “Nuk ka asnjë rrugë tjetër. Këta njerëz do të dëgjojnë thuajse këdo, për sa kohë që ata janë në Kremlin. Për momentin, duart e tyre janë të lidhura dhe ata nuk e dinë se mund të bëjnë gjëra”- shprehet opozitari rus.
Sot Ponomaryov është pjesë e Kongresit të Deputetëve të Popullit, një parlament rus në hije me qendër në Poloni, por që nuk njihet zyrtarisht nga asnjë shtet. Që nga shkurti i vitit 2022, ai ka qenë anëtar i Forcave të Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës.
Në librin e tij të fundit me titull “A duhet të vdesë Putin? Çfarë na tregon historia mbi rrugën sesi Rusia mund të bëhet demokraci pas humbjes në Ukrainë”, ai argumenton se një grusht shteti i pasuar nga një tranzicion i menaxhuar me kujdes, është mënyra më e sigurt për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme në vend.
Plani i Ponomaryov ka precedentë. Në qershorin e vitit të kaluar, udhëheqësi i një ushtrie mercenarësh, Yevgeny Prigozhin, arriti të pushtonte një seli ushtarake dhe qytetin jugor të Rostov-on-Don duke hasur shumë pak rezistencë. Politikani opozitar thotë për “The Moscow Times” se nuk u shqetësua nga dështimi i kryengritjes së Prigozhin.
“Për ne, gjithçka që ndodhi me Prigozhin ishte shumë pozitive. Sepse Prigozhin na dha një provë. Ai bëri pikërisht atë që kemi thënë ne dhe funksionoi… Pra është ende e mundur”-shprehet Ponomaryov. Ai shton se dëshiron të sulmojë nga lart poshtë, pa marrë parasysh mungesën e pëlqimit popullor.
Ky model ka kundërshtarët e tij, dhe aktivistë të tjerë të opozitës shqetësohen se janë lënë jashtë diskutimeve pakicat etnike dhe lëvizjet ekzistuese të rezistencës në republikat e federatës ruse. Kur u pyet për dekolonizimin, Ponomaryov thotë se thirrjet për t'u shkëputur nga Moska do të duhej të vijnë “nga brenda vetë republikave”.
Ponomaryov e pranon se ai nuk është një ushtarak, por plani i tij varet nga mbështetja ushtarake. Ai pretendon se është në kontakt të ngushtë me 4 batalione vullnetarësh rusë brenda ushtrisë ukrainase që po regjistrojnë “rreth 1000 aplikime në muaj”.
Në intervistat e mëparshme, ai ka qenë i zemëruar mbi refuzimin e tij për të përmendur burimet e tij në NRA, një organizatë që ai e mbështet, por që nuk i është bashkuar. Ai këmbëngul se nevojitet anonimiteti për të mbrojtur NRA. Sepse thotë se “të paktën 12” miq apo kolegë të tij janë vrarë gjatë karrierës së tij politike.
Në vitin 2017, Kievi i dha Ponnomaryov mbrojtje personale pasi ish-ligjvënësi rus Denis Voronenkov u qëllua për vdekje teksa po shkonte ta takonte. Atentati mendohet se u krye nga agjentët e FSB-së ruse. Ndërkohë NRA ka marrë përgjegjësinë për vrasjen e blogerit pro-luftës Vladlen Tatarsky dhe Darya Duginas, vajzës së ideologut të ekstremit të djathtë Alexander Dugin.
Duke dashur të nxisë një grusht shteti ushtarak në Rusi, Ponomaryov shkon përtej disidentëve të tjerë Mikhail Khodorkovsky dhe Garry Kasparov, duke pretenduar se ata ia kanë refuzuar ftesën për një takim të një rëndësie të lartë për shkaqe sigurie. Ponomaryov ishte zëvendës i Khodorkovskit gjatë kohës që drejtonte gjigantin Yukos Oil, dhe të dy mbeten miq të ngushtë pavarësisht dallimeve të tyre ideologjike.
“Unë nuk shoh ndonjë kontradiktë. Pozicioni im politik është shumë më afër atij të Kasparov. Shpresoj që së shpejti të kemi një aleancë publike mes nesh. Po afrohemi çdo ditë e më shumë, tashmë kemi shumë aktivitete të përbashkëta. Garry është kolegu im, ndërsa Khodorkovsky miku im”, thekson ish-deputeti i Dumës ruse.
Kasparov, ish-kampioni i botës në shah, u shpreh kohët e fundit se e mbështet përdorimin e aseteve të ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainën. Por qasja e tij është shumë larg fjalimeve të hapura të Ponomaryov mbi atentate dhe batalionet sekrete. Ponomaryov argumenton se pas dyerve të mbyllura, shumë figura të opozitës ruse e mbështesin rezistencën e armatosur.
“Udhëheqësit e opozitës në mërgim janë më të moderuar sepse ata kanë më shumë për të humbur dhe zakonisht janë më të kujdesshëm. 1/3 janë në favor të rezistencës së armatosur. Por shumë të tjerë më thonë privatisht: “Ilya, ne jemi plotësisht dakord me ty, por nuk mund ta themi këtë publikisht”.
Ponomaryov ka një marrëdhënie jo të lehtë me mbështetësit e kritikut të burgosur nga Kremlini, Alexei Navalny, që e ka origjinën që nga koha kur ishte pjesë e qeverisë. Politikani fajëson njerëzit pranë liderit të burgosur të opozitës për keqinterpretimin e rolit të tij në prezantimin e projektligjit të kufizimit të internetit në Rusi në vitin 2012, që e forcoi censurën në internet.
“Në atë moment, ajo nismë ishte e pamundur të bllokohej. Unë paraqita disa amendamente për të shmangur pjesën më të ashpër. Dhe më vonë, kjo gjë u përdor kundër meje. Ishte një gabim i imi politik. Po të kthehesha pas në kohë nuk do të bëja”- shpjegon Ponomaryov që shprehet i sigurt se ndjekësit e Navalny-t do ta gjejnë një ditë gjuhën e përbashkët me fraksionin e tij të opozitës ruse.
Ponomaryov nuk përpiqet të prezantohet si lideri i ardhshëm i një Rusie demokratike. Ai qesh me krahasimin që i bëhet me Charles de Gaulle, udhëheqësin e qeverisë franceze në mërgim gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Unë nuk kam në plan të kandidoj në asnjë palë zgjedhje në Rusi. E shoh veten si një organizator pas tranzicionit politik. Nëse personi që planifikon hapat që duhen ndjekur në periudhën e tranzicionit merr pjesë në zgjedhje, atëherë ai ka tundimin për t’i rregulluar gjërat në favor të tij, pra për t’i fituar zgjedhjet. Këtu ka një konflikt interesi. Dhe kjo është ajo që ndodhi në vitin 1993 me Boris Yeltsin”.
Për momentin Ponomaryov shfaqet si një figurë sfiduese, por e izoluar. Por gjërat mund të ndryshojnë. Të premten e kaluar Ponomaryov u takua me politikë-bërës të Britanisë, BE-së dhe Ukrainës në një konferencë të mbajtur në Londër mbi sigurinë britanike dhe globale pas luftës Rusi-Ukrainë.
“Putin nuk është aq i fortë sa duket. Ai është i pasur, por paratë nuk mund të blejnë dot miq, të cilët do të luftonin dhe vdisnin për ty. Me to, t’i mund të blesh vetëm partnerë në biznes”-përfundon Ponomaryov. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Moscow Times”
Lini një Përgjigje