TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Tetor 2024, 18:09

A është vërtet kapitalizmi shkaku i pabarazisë globale?

Shkruar nga Kenneth Rogoff

 A është vërtet kapitalizmi shkaku i pabarazisë globale?

Detyra më emergjente me të cilën përballen udhëheqësit perëndimorë, është gjetja e vullnetit politik për t’u dhënë mundësi vendeve që të kenë qasje tek tregjet globale dhe t’i sjellin qytetarët e tyre në shekullin XXI...

Në vitin 2014, bëri bujë në mbarë botën libri “Kapitali në shekullin XXI” i ekonomistit francez Thomas Piketty. Ai i dha një nxitje të mëtejshme debatit publik mbi pabarazinë, dhe një famë shumë të madhe autorit të tij. Piketty kishte të drejtë kur theksoi se debati politik për rishpërndarjen e të ardhurave, është thuajse tërësisht i fokusuar tek shqetësimet brenda një vendi të caktuar.

Por argumenti i tij qendror, sipas të cilit kapitalizmi çon në mënyrë të pashmangshme drejt një pabarazie ekonomike në rritje, bie kur krahasohet situata e fermerëve të varfër në Vietnam me rehatinë relative të qytetarëve francezë të shtresës së mesme.

Në realitet, rritja e ekonomive në Azi dhe Evropën Qendrore dhe Lindore, e nxitur nga tregtia gjatë 4 dekadave të fundit, ka çuar në atë që mund të jetë reduktimi më i madh i pabarazive ndërmjet vendeve në historinë  e njerëzimit.

Përkundër këtij fakti, analistët perëndimorë i kushtojnë rrallë më shumë sesa disa fjalë afro 85 për qind të popullsisë së botës që jetojnë në Jugun Global. Ndërsa filantropë si Bill Gates shpenzojnë burime të konsiderueshme financiare për përmirësimin e jetës në Afrikë, shumica e fondacioneve dhe institucioneve mbeten të fokusuara në reduktimin e pabarazisë brenda vendit të tyre.

Edhe pse të dyja kauzat janë të admirueshme, analistët politikë e injorojnë shpeshherë faktin se sipas standardeve globale, varfëria në ekonomitë e përparuara thuajse nuk ekziston. Natyrisht, fermerët në Indi nuk kanë asnjë ndikim mbi zgjedhjet në SHBA apo tek ato në Evropë, ku fokusi është rikthyer gjithnjë e më shumë tek problemet e brendshme. Sot kandidatët nuk fitojnë duke u zotuar se do të ndihmojnë Afrikën, e lëre më pastaj Azinë Jugore apo Amerikën e Jugut.

Ky ndryshim, ndihmon në shpjegimin se përse inkuadrimi i pabarazisë nga Piketty si një çështje e brendshme, ka pasur shumë ndikim tek progresistët amerikanë dhe indirekt tek lëvizja e ish-presidentit Donald Trump “Të bëjmë Amerikën sërish të Madhe” (MAGA).

Por ky interpretim, anashkalon qindra miliona njerëz që jetojnë në vendet në zhvillim, të cilat janë të cenueshëm nga ndryshimet e klimës. Për më tepër, pavarësisht nga ndikimi i qëndrueshëm i kolonializmit, në shtetet evropiane me një sistem shumë të fortë të  mirëqenies sociale apo në Japoni, ka pak interes për të dëmshpërblyer ish-kolonitë.

Sigurisht, ka një aktivizim të madh për forcimin e rrjetave të sigurisë sociale në vendet e zhvilluara, veçanërisht kur bëhet fjalë për arsimin dhe kujdesin shëndetësor. Megjithatë, nga pikëpamja morale, mbetet shumë e diskutueshme nëse kjo e tejkalon nevojën emergjente për të adresuar gjendjen e vështirë të 700 milionë njerëzve në mbarë botën, të cilët jetojnë në një varfëri ekstreme.

Në fakt, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të ndihmuar vendet në zhvillim. Por burimet dhe mandatet e tyre janë të kufizuara, në një kohë që vendet e pasura priren të mbështesin më shumë politikat dhe nismat që përputhen me interesat e tyre.

Një fushë, ku duket se ekziston një konsensus i gjerë, është nevoja për veprim emergjent kundër ndryshimeve klimatike. Në këtë kuadër, unë kam kërkuar prej kohësh krijimin e një Banke Botërore të Karbonit, e cila do të mbështeste tranzicionin drejt ekonomisë miqësore me mjedisin të vendeve në zhvillim, duke u ofruar atyre ndihmë teknike por edhe financime në shkallë të gjerë kundër ndryshimeve të klimës, mundësisht përmes granteve dhe jo kredive.

Siç e kam argumentuar edhe pak kohë më parë, financimi përmes granteve është veçanërisht i rëndësishëm, duke pasur parasysh një mënyrë tjetër vendimtare për ta reformuar kapitalizmin global:ndalimin e huadhënësve privatë që të paditin shtetet debitore në gjykatat e vendeve të zhvilluara.

Për të tërhequr financime private, vendet në zhvillim duhet të ndërtojnë gjykata të besueshme dhe institucione të tjera demokratike dhe të pavarura. Dhe derisa të arrijnë ta bëjnë këtë, do të duhet të kapërcehet hendeku financiar. Sepse tek e fundit, ulja e varfërisë globale kërkon një hapje më të madhe dhe më pak pengesa tregtare.

Fragmentimi i ekonomisë globale, i nxitur nga tensionet gjeopolitike dhe politikanët populistë që kërkojnë vendosjen e kufizimeve tregtare, përbën një kërcënim serioz për perspektivat ekonomike të vendeve më të varfra të botës. Rreziku që destabiliteti politik në këto rajone, të përhapet edhe në vendet më të pasura, po përshkallëzohet me një ritëm alarmues.

Ai reflektohet tashmë edhe tek debatet gjithnjë e më të ashpra të këtyre vendeve mbi çështjen e migracionit. Ekonomitë e vendeve të zhvilluara kanë në dispozicion 3 opsione, asnjëra prej të cilave nuk fokusohet vetëm tek pabarazia e brendshme.

Së pari, ata mund të forcojnë aftësinë e tyre për të menaxhuar presionet që vijnë nga migracioni, si dhe për t’u përballur me regjimet, të cilat synojnë të destabilizojnë rendin aktual global. Së dyti, ato mund të rrisin mbështetjen për vendet me të ardhura të ulëta, sidomos ato me shumë kapacitete njerëzore, për të shmangur luftën civile.

Së treti, ata mund të dërgojnë qytetarët e tyre për të ndihmuar vendet me të ardhura të ulëta. Shumë qeveri kanë eksperimentuar tashmë me programet që i inkurajojnë të diplomuarit në universitete të kalojnë një vit duke dhënë mësim apo ndërtuar shtëpi në komunitetet e pa privilegjuara.

Dërgimi i studentëve perëndimorë në vendet në zhvillim, qoftë edhe për periudha të shkurtra, do t’u jepte mundësi më të privilegjuarve të mësojnë vështirësitë ekonomike me të cilat përballet pjesa më e madhe e popullsisë së botës, dhe të shohin me sytë e tyre se si jetojnë njerëzit në vendet ku kapitalizmi duhet të përballet ende me pengesa.

Përvoja të tilla, mund të nxisin një ndërgjegjësim më të madh mbi sfidat globale, dhe t’u japin të rinjve një kuptim më të qartë të krizave, të cilat mund të ndikojnë edhe tek jeta e tyre. Kjo nuk do të thotë se pabarazia brenda vendit nuk është një çështje serioze.

Por ajo nuk është kërcënimi më i madh për qëndrueshmërinë dhe mirëqenien e njerëzimit. Detyra më emergjente me të cilën përballen udhëheqësit perëndimorë, është gjetja e vullnetit politik për t’u dhënë mundësi vendeve që të kenë qasje tek tregjet globale dhe t’i sjellin qytetarët e tyre në shekullin XXI./Përshtati Pamfleti nga “Project Syndicate”

Shënim: Kenneth Rogoff, profesor i ekonomisë dhe politikave publike në Universitetin e Harvardit. Ka qenë krye-ekonomist i Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitet 2001- 2003.

kapitalizmi pabarazia globale

Lini një Përgjigje