TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Korrik 2024, 12:25

A e garanton fitoren mbijetesa nga një atentat? Çfarë na tregon historia

Shkruar nga Benjamin Waterhouse

 

A e garanton fitoren mbijetesa nga një atentat? Çfarë na tregon
Donald Trump /

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i mbijetoi një atentati të shtunën e kaluar më 13 korrik në Butler të Pensilvanisë. Kandidati republikan ishte duke deklaruar para mbështetësve të tij, se emigracioni përbën një kërcënim ekzistencial për kombin amerikan, kur nisën të shtënat...

Një plumb goditi veshin e tij të djathtë, dhe ai u shtri me shpejtësi përtokë. U dëgjuan të shtëna të tjera nga një çati rreth 135 metra larg podiumit. Në mesin e turmës së pozicionuar pas Trump, një zjarrfikës i zonës, baba i dy fëmijëve, Corey Comperatore vdiq duke mbrojtur familjen e tij.

Dy spektatorë të tjerë mbetën të plagosur rëndë. Me shpejtësinë që i përshtatet një shoqërie të epokës së internetit, me një ndërlidhje të thellë, pas shprehjes së tmerrit, nisën menjëherë spekulimet mbi motivin e sulmuesit. A ishte akti i një ujku të vetmuar apo një sulm i koordinuar?

A kishte objektiv ideologjik? Dhe për çfarë qëllimi u ndërmor? Disa komplotistë folën për një operacion të inskenuar enkas për ta ndihmuar Trumpin në këtë garë. Të tjerët fajësuan opozitën e pisët nga “e majta”. Ndërsa vazhdojnë hetimet, fotoja e autorit - që u qëllua për vdekje nga snajperët e Shërbimit Sekret brenda pak sekondash nga hapja e zjarrit - u bë shumë e njohur në një vend, ku të shtënat masive janë një dukuri shumë e zakonshme. Corey Comperatore u vra dhe Donald Trump gati u vra nga një mashkull i bardhë 20-vjeçar, të cilin ish-shokët e klasës e përshkruan si një të dëbuar nga shoqëria.

Një përfundim i paramenduar?

Një debat tjetër nisi thuajse paralelisht. Duke pasur parasysh kulturën thellësisht të përçarë dhe shumë të politizuar të Amerikës, u ngrit pyetja se çfarë domethënie ka atentati ndaj Trump për shanset e tij në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës.

Sipas dëshmitarëve, të paktën një nga mbështetësit e Trump nisi të bërtiste menjëherë pas të shtënave “Trump sapo u rizgjodh president!”. Kur presidenti Joe Biden anuloi aktivitetet e fushatës dhe reklamat televizive anti-Trump për një shfaqje uniteti, shumë prej mbështetësve të tij - edhe pse ishin dakord me domosdoshmërinë e këtyre veprimeve  - dukej se po e ndjenin humbjen në zgjedhje.

Përpjekja për vrasjen e ish-presidenti është një ishte histori në vazhdim, dhe me siguri historia e dha gjykimin e saj. U tha se Trump, që kryesonte tashmë në disa sondazhe të rëndësishme, e ka vulosur fatin e zgjedhjeve. Si historian i politikës amerikane, përgjigja ime është: Nuk e di! Dhe as askush tjetër. Ndonëse shumë ekspertë në Instagram, e përdorën historinë për të argumentuar se mbijetesa nga një atentat të garanton me siguri fitoren në politikë, historia nuk e thotë një gjë të tillë. Sepse ne thjesht nuk e dimë se çfarë ndikimi do të ketë kjo ngjarje në garën presidenciale.

Dhuna politike

Mjerisht, ajo që na mëson historia është se Biden gaboi kur tha se “në Amerikë nuk ka vend për këtë lloj dhune”. Ndoshta ai po fliste me aspiratë, për atë që mund ose duhet të ishte e vërtetë. Në realitet, dhuna politike është e ngulitur thellë në jetën publike amerikane, dhe jo vetëm në të kaluarën e largët.

Në vitin 2011, kongresmenia demokrate nga Arizona Gabby Giffords, i mbijetoi një plage me armë zjarri në kokë gjatë të shtënave masive në një ambient të hapur, ku mbetën të vdekur 6 persona.  Ndërkaq në vitin 2017, kongresmeni republikan nga Luiziana, Steve Scalise u qëllua dhe u plagos rëndë, së bashku me disa të tjerë, ndërsa po luante bejsboll.

Historia e gjatë dhe tragjike e dhunës politike, përfshirë atentatet (tentativa dhe të çuara deri në fund) e presidentëve dhe kandidatëve presidencialë, na mëson se është e pamundur të parashikohet se cilat do të jenë pasojat e tyre.

Efekti Regan

Ata që këmbëngulin se Trump do të ketë rritje të mëtejshme në sondazhe, kanë parasysh shembullin e ish-presidentit Ronald Reagan. Në marsin e vitit 1981, pak më shumë se 2 muaj pasi u bë president, Reagan u qëllua në gjoks nga një atentator. I plagosur rëndë, ai u dërgua me urgjencë në spital dhe shpëtoi.

Zëdhënësi i tij për mediat, James Brady, pësoi dëmtim të trurit në atë sulm, që disa dekada më vonë i shkaktoi edhe vdekjen. Pas asaj ngjarje, miratimi publik për Reagan u rrit nga 51 për qind në 67 për qind. Megjithatë, situata e tij ishte shumë e ndryshme nga ajo e Trump.

Në historinë e sondazheve mbi presidentët, pas një ngjarjeje të madhe të anketuarit tubohen shpesh rreth flamurit dhe liderit. Në fakt, në sondazhe u rrit shumë edhe George W.Bush pas sulmeve të 11 Shtatorit 2001, me nivelin më të lartë të të gjitha kohërave:90 për qind. Madje ai theu edhe rekordin e vendosur nga babai i tij 11 vjet më parë, në përfundim të Luftës së Parë të Gjirit.

Reagan ka të ngjarë të ketë përfituar nga një efekt i ngjashëm. Edhe pse ishte tashmë president, të anketuarit lejuan që ndjeshmëria e tyre njerëzore dhe tmerri ndaj ngjarjes të përkthehej në verdiktin e tyre mbi miratimin e punës së tij. Por nuk është e qartë nëse e njëjta dinamikë vlen për një kandidat për president, i cili është vazhdimisht një objektiv i gjykimit të votuesve.

Në fakt, vlerësimi për Reagan ra serish në muajt në vijim, duke shkuar deri në 35 për qind, përpara se të kthehej në rreth 50 për qind, kur ai kandidoi për një mandat të dytë tre vite e gjysmë më vonë.

Atentate të dështuara

Kur flitet për vlerësimin e efektit të tentativave të dështuara për vrasje, rasti i presidentit Gerald Ford e mjegullon jo pak mësimin historik. Një president “në detyrë”, që nuk ishte zgjedhur kurrë as president dhe as zv/president. Ai u emërua për të plotësuar vendin vakant në këtë të fundit, dhe u ngjit në krye kur presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen në gushtin e vitit 1974.

Në shtatorin e vitit 1975, i mbijetoi dy atentateve të ndryshme, me vetëm 17 ditë diferencë nga njëri-tjetri. Megjithatë, vlerësimi në sondazhe u ul, dhe ai e humbi garën përballë Jimmy Carter një vit më vonë. Sa i përket kandidatëve jo në detyrë që i mbijetuan një atentati, një shembull i spikatur ishte guvernatori i atëhershëm i Alabamës, George Wallace.

Një demokrat nga jugu që kundërshtonte integrimin racor, Wallace kandidoi për president si i pavarur në vitin 1968. Katër vjet më vonë, ai kërkoi emërimin e Partisë Demokratike dhe pati një sukses të hershëm në votime. Por më 15 maj 1972, një person e qëlloi me 4 plumba.

Ai mezi mbijetoi dhe e kaloi pjesën tjetër të jetës i paralizuar nga beli e poshtë. Sulmi i dha fund fushatës së tij. Kjo histori e dhunës duhet të na kujtojë, se sondazhet e opinionit publik nuk janë gjëja më e rëndësishme në një moment të tillë. Përkundrazi, rëndësi ka mënyra se si ecën vendi përpara në vazhdën e tentativës për të vrarë Trump.

Ne mund të dëshmojmë fillimin e një përshkallëzimi të dhunës politike, të nxitur nga synimi për hakmarrje. Dhe për fat të keq, një veprim i tillë është plotësisht i mundur. Por ajo na tregon gjithashtu se demokracia dhe vetëqeverisja kushtetuese, nuk mund të funksionojnë nën një klimë të tillë./Përshtati Pamfleti nga “TRT World”

Shënim: Benjamin Waterhouse, profesor i historisë në Universitetin e Karolinës së Veriut në Chapel Hill. Ai është i specializuar në historinë politike, kulturore dhe ekonomike të Shteteve të Bashkuara në shekujt XX-XXI.

mbijetesa atentati fitorja historia

Lini një Përgjigje