Ndërsa Uashingtoni braktis rregullat ndërkombëtare për një imperializëm brutal, elitat e Brukselit janë apatike. Në vend se të shfrytëzojë mundësitë e botës multipolare, Evropa po e kufizon veten në rolin e vasalit. Nëse nuk zgjohet, ajo rrezikon të mbetet një periferi e dobët e një sistemi që po shembet...
Stefën Miller nuk është nga ata që e vlerësojnë mirësjelljen.
“Askush nuk do të luftojë ushtarakisht kundër Shteteve të Bashkuara për të ardhmen e Grenlandës!”, deklaroi ndihmësi i Trump në CNN disa ditë më parë, vetëm pak orë pas rrëmbimit të Nikolas Maduros nga forcat amerikane.
Por, nëse stili agresiv i Miller ishte i njohur, reagimet evropiane tregonin një histori tjetër: ato ishin të shpërndara, konfuze dhe shumë domethënëse.
Kryeministrja e Danimarkës, Mete Frederiksen, hodhi poshtë pretendimet e aneksimit nga Amerika dhe paralajmëroi se agresioni i SHBA-së kundër Grenlandës do të shënonte fundin e NATO-s.
Në një deklaratë të përbashkët, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Italisë, Polonisë, Spanjës, Britanisë dhe vetë Grenlandës riafirmuan angazhimin e tyre ndaj Aleancës Atlantike, duke theksuar se Grenlanda i përket popullit të saj dhe se vendimet në lidhje me ishullin janë vetëm kompetencë e Danimarkës dhe Grenlandës.
Megjithatë, mungonte dukshëm çdo reagim nga udhëheqja institucionale e BE-së. Të njëjtët zyrtarë të Brukselit, që lëshojnë rregullisht paralajmërime të ashpra për kërcënimin e supozuar rus ndaj Evropës, refuzuan të komentonin mbi një kërcënim të qartë të SHBA-së kundër territorit evropian.
Vetëm disa orë më parë, shumica e udhëheqësve evropianë kishin dhënë përgjigje të vakëta ose të tërthorta mbështetëse ndaj agresionit të Trump kundër Venezuelës. Nëse kishte një logjikë, ajo ishte shmangia me çdo kusht e përballjes me Uashingtonin. Ironikisht, të njëjtët udhëheqës u gjendën shpejt përballë perspektivës së një veprimi të ngjashëm të SHBA-së kundër një vendi evropian. Një pushtim i drejtpërdrejtë ushtarak amerikan i Grenlandës mbetet i pamundur, por një “marrëveshje asociimi” e ngjashme me ato që SHBA ka me Mikronezinë është një skenar realist.
Sipas këtij modeli, SHBA do të ushtronte kontroll mbi sigurinë në këmbim të ndihmës financiare, duke e lënë vendin formalisht sovran, por praktikisht të varur. Një marrëveshje e tillë do të konsolidonte kontrollin e Uashingtonit dhe do të dobësonte Danimarkën, duke shfrytëzuar kornizën ligjore të vitit 1951, që tashmë lejon stacionimin e trupave amerikane.
Sekretarja e shtypit, Kerolin Levit, konfirmoi se ushtria mbetet një “opsion”, ndërsa Trump po shqyrton planet e aneksimit. Reagimi i deritanishëm sugjeron se udhëheqësit evropianë mund ta pranojnë këtë realitet.
Pse? Sepse elitat evropiane janë të ngulitura në sistemin transatlantik, nga i cili nxjerrin fuqinë e tyre. Ato janë të gatshme të sakrifikojnë sovranitetin evropian për të mbrojtur këtë sistem. Madje Evropa ka sakrifikuar tashmë interesat e saj thelbësore.
Ajo iu bashkua një lufte të ndërmjetme kundër Rusisë, që shkatërroi Ukrainën dhe dëmtoi industrinë evropiane. Sanksionet goditën më rëndë ekonomitë e kontinentit sesa Rusinë, ndërsa heshtja pas shkatërrimit të gazsjellësit “Nord Stream”- një akt me përfshirjen e mundshme të SHBA-së - flet shumë qartë.
Nëse i pranuan këto, atëherë kontrolli amerikan mbi Grenlandën nuk do të përbënte një ndryshim radikal për ta. Këtu përfundon e famshmja “autonomi strategjike”. Në realitet, qeveritë evropiane e kanë qetësuar sistematikisht Trumpin: nga rritja e shpenzimeve të NATO-s që përfitojnë kontraktorët amerikanë, deri te pranimi i faturës financiare për Ukrainën.
Për elitat qeverisëse të Evropës, NATO nuk ka të bëjë me sigurinë, por me ruajtjen e një arkitekture perandorake ku ato luajnë një rol të nënshtruar, por të privilegjuar. Nga ana tjetër, ekziston një paradoks: udhëheqësit globalistë si Makron apo Merc, edhe pse të përçmuar nga Trump, kanë qenë më mbështetës të agresionit ndaj Venezuelës sesa figurat populiste si Lë Pen apo Orban.
Institucionet e BE-së nuk janë kundërpeshë e SHBA-së, por një shtyllë e saj. Duket se establishmenti i BE-së koordinohet ngushtë me aparatin e sigurisë së SHBA-së për të ruajtur “rendin e bazuar në rregulla” dhe përfitimet që rrjedhin prej tij, edhe kur Trump e trajton Evropën në terma neokolonialë.
Ajo që duhet t’i alarmojë evropianët nuk është kolapsi i NATO-s, por mundësia që Evropa të mbetet e bllokuar në një rol të nënshtruar ndërsa Uashingtoni bëhet më agresiv.
Sulmet ndaj Venezuelës dhe kërcënimet ndaj Grenlandës tregojnë natyrën e re të politikës së jashtme të SHBA-së. Larg braktisjes së hegjemonisë, SHBA-ja po përpiqet ta ruajë atë përmes destabilizimit dhe luftërave periferike, duke hedhur poshtë rregullat elementare ndërkombëtare. Kjo është një përgjigje ndaj krizës së thellë të kapitalizmit amerikan: borxhit në rritje, de-industrializimit dhe erozionit të dollarit.
Përgjigja e SHBA-së nuk është përshtatja me një botë multipolare, por rivendosja agresive e dominimit. Kjo merr formën e imperializmit brutal: sekuestrim burimesh, kontroll i rrugëve detare dhe pretendime territoriale.
Dokumenti i Strategjisë së Sigurisë Kombëtare e thotë qartë: SHBA-ja do të përdorë çdo mjet, përfshirë ushtrinë, për të siguruar pajtueshmërinë e vendeve të tjera. Operacionet e fundit të bombardimeve në shtatë vende, pa autorizimin e OKB-së, janë prova e këtij realiteti të ri.
Uashingtoni po legjitimon një botë të politikës së pakufizuar të pushtetit. Ky ndryshim është veçanërisht i rrezikshëm, sepse veprimet kundër Venezuelës dhe Grenlandës janë lëvizje strategjike kundër Kinës dhe Rusisë. Qëllimi është krijimi i platformave për të projektuar fuqinë amerikane, përpara se balanca teknologjike të ndryshojë përfundimisht.
Elitat amerikane po praktikojnë “qeverisjen me vonesë”, duke zgjatur konfliktet me shpresën e një tronditjeje që do të rivendoste ndikimin e tyre. Megjithatë, kjo strategji është vetë-shkatërruese. Sjellja imponuese gërryen strukturat që mbështetën hegjemoninë pas vitit 1945. Kur një hegjemon sillet si karikaturë imperialiste, ai i nxit shtetet të kërkojnë alternativa.
Trump po i detyron kombet të diversifikojnë rezervat, të largohen nga dollari dhe të krijojnë partneritete të reja. Përfituesit kryesorë janë Kina dhe Rusia. Çdo akt i paligjshmërisë së SHBA-së forcon joshjen ndaj kornizave alternative si BRICS.
Ndërkohë, Evropa rrezikon të garantojë rënien e saj. Duke u kapur pas një sistemi që po shkatërrohet, elitat evropiane po sakrifikojnë autonominë afatgjatë për pushtetin e tyre të përkohshëm. Ato i ekspozojnë shoqëritë e tyre ndaj rreziqeve ekonomike dhe ushtarake pa fituar asgjë në këmbim.
Ndërsa e ardhmja e rendit global mbetet e pasigurt, fati i një Evrope të nënshtruar duket i vulosur. Në vend që të ndërtojë një strategji të pavarur, kontinenti po e lidh gjithnjë e më fort të ardhmen e tij me një hegjemon në krizë.
Ky është një gabim historik: në vend që të shfrytëzojë mundësitë e botës multipolare, Evropa po e kufizon veten në rolin e vasalit. Nëse Evropa nuk zgjohet, ajo rrezikon të mbetet një periferi e dobët e një sistemi që po shembet. Dhe kur ky sistem të bjerë, ajo
do të gjendet pa mbrojtje, pa industri dhe pa zë në skenën globale./ Përshtati "Pamfleti", nga “Unherd”
Lini një Përgjigje