
Mandati i parë i Trump u karakterizua nga përplasjet e brendshme të vazhdueshme dhe shumë të ashpra, se kush do ta kishte vëmendjen e presidentit. Pasoja ishte një kaos i vazhdueshëm, shoqëruar me shumë shkarkime, dorëheqje dhe ndryshime në kabinet.
Donald Trump i fitoi në një mënyrë shumë bindëse zgjedhjet e 5 nëntorit, duke u bërë presidenti i parë që shërben në 2 mandate jo të njëpasnjëshme, që nga Grover Cleveland në fundin e shekullit XIX-të. Sondazhet e nënvlerësuan sërish se sa popullor është ende Trump në elektoratin amerikan, pavarësisht nga të gjitha pengesat, gafat apo dhe skandalet.
Në një kuptim, madhësia e fitores politike të Trump, duket shumë më e madhe se ajo e 2016-ës. Ai u ka mbijetuar përpjekjeve të ndryshme për ta ndjekur penalisht. Ka mposhtur çdo sfidant brenda Partisë Republikane, duke siguruar nominimin zyrtar.
Demokratë janë të dërrmuar nga rezultati shumë i keq në këto zgjedhje, por edhe nga udhëheqja tejet kaotik dhe delegjitimuese që i bënë vendit 4 vitet e fundit. Ata jo vetëm që nuk e kundërshtuan vendimin e Joe Biden për të kandiduar sërish pavarësisht moshës së tij të madhe, por puçi i tyre i vonuar politik kundër tij në verë, ishte i çrregullt dhe i çorganizuar.
Për më tepër, ndodhi shumë vonë dhe i turpëroi të gjithë ata që ishin të përfshirë në të. Është e sigurt se brenda Partisë Demokratike do të nisë një periudhë akuzash dhe hedhje faji, e cila mund të zgjasë shumë. Pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë, Trump ia ka dalë të shuajë çdo shenjë rebelimi në parti.
Por edhe përballë asaj që në sipërfaqe duket si një numër kushtesh politike shumë të favorshme, pritshmëritë për administratën e ardhshme Trump, janë në rastin më të mirë të përziera. Pasi ai do të ketë sërish përballë një armik, që nuk është asnjëherë i përulur apo çorganizuar nga rezultati i zgjedhjeve: ”shtetin e thellë” dhe shërbimin civil.
Mandati i parë i Trump u dëmtua shumë, si nga zënkat brenda administratës së tij (si për shembull konflikti me John Bolton), ashtu edhe midis administratës së tij dhe gjeneralëve, profesionistëve dhe burokratëve që mbajnë në këmbë institucionet kryesore të sigurisë, brenda dhe jashtë Amerikës.
Në shumë raste, Trump i humbi betejat. Kështu, ai donte një tërheqje më të hershme të SHBA-së nga Siria, por u pengua dhe u diktua nga zyrtarët ushtarakë, të cilët në teori duhej vetëm të zbatonin urdhrat që merrnin nga presidenti. Në raport me këtë aparat, Trump nuk ka ndonjë avantazh të qartë sot në krahasim me vitin 2016.
Duke pasur parasysh në mendje një politikan më reflektues, mund të jetë joshëse të mendosh se përvoja e të qenit i sabotuar në heshtje nga njerëzit që ke në varësi, do ta bënte Trumpin jo vetëm më të moshuar por edhe më të mençur. Megjithatë stili tejet kaotik i Trump për të trajtuar çështjet e personelit, vazhdoi edhe gjatë mërgimit të tij të përkohshëm në Mar-a-Lago.
Debatet rreth të ashtuquajturit “Projekti 2025” i Fondacionit Heritage (synimi më i rëndësishëm i shpallur i të cilit është përgatitja e administratës së re Trump për një përballje të vërtetë me “shtetin e thellë”), e detyroi Trumpin që ta denonconte atë në mënyrë të përsëritur, gjë që çoi në dorëheqjen e drejtorit të “Projektit 2025”, Paul Dans.
Pikëpamja makiaveliste e trajtimit të besnikëve nga ana e Trump, është se kjo ishte një lëvizje marketingu për të fituar zgjedhjet. Sigurisht, disa nga idetë e “Projektit 2025” ishin paksa shumë vanitoze. Duke u denoncuar publikisht, ata në fakt bënë një “kokë turku”`` e vlefshme për kauzën më të madhe.
Ndërsa planet dhe përgatitjet për një betejë me “shtetin e thellë”, mund të ruhen dhe zbatohen në kohën e duhur. Por një këndvështrim tjetër, pretendon se konsideratat politike afatshkurtra, fuqizuan shumë një fraksion njerëzish problematikë, që i hoqën pushtetin një fraksioni tjetër. Kështu, mandati i parë i Trump u karakterizua nga përplasjet e brendshme të vazhdueshme dhe shumë të ashpra, se kush do ta kishte vëmendjen e presidentit. Pasoja ishte një kaos i vazhdueshëm, shoqëruar me shumë shkarkime, dorëheqje dhe ndryshime në kabinet.
Për një fare kohe, një figurë si Steve Bannon ishte shumë pranë Trump. Por neveria e ndërsjellë ndaj dhëndrit të Trump, Jared Kushner, është tashmë një çështje publike (e përmendur nga vetë Kushner në librin e tij). Në fund Kushner e fitoi atë përballje dhe Bannon u mënjanua.
Fakti që Kushner, një figurë e urryer nga shumica e bazës së mbështetësve të Trump dhe Bannon, tolerohet apo edhe respektohet, nuk kishte shumë rëndësi për rezultatin. Faktori i vërtetë i dukshëm në fatin e “Projektit 2025”, nuk është aq shumë se presioni i jashtëm (përfshirë reklamat politike të demokratëve), sesa pasja e një ndikimi vendimtar brenda botës së Trump. Kjo e fundit mbetet shumë e përçarë. Çdo justifikim, çdo shkak për t’u zënë mjafton që një grup oborrtarësh të përpiqen të mbrohen dhe sulmojnë rivalët, që presin me durim para zyrës së Trump. Intrigat e pallatit, dhe jo makinacionet e gjeneralëve si Mark Milley, kryetari i atëhershëm i shefave të përbashkët të shtabit të ushtrisë, që tani e konsideron Trumpin si “fashist deri në palcë”, e dominuan periudhën midis viteve 2016-2021.
Dhe sipas të gjitha shenjave, asnjëra nga këto nuk ka ndryshuar shumë. Në rastin më të keq - dhe kjo ka shumë të ngjarë - situata vetëm sa është përkeqësuar pasi Trump është plakur, teksa servilët që e rrethojnë, kanë pasur disa vite në dispozicion për të përmirësuar aftësitë e tyre manipuluese.
Po si është situata në raport me “shtetin e thellë”? Në fakt, gjërat këtu kanë ndryshuar, edhe pse është e vështirë të thuhet nëse Trump do të përfitojë apo jo nga këto zhvillime. Kur hyri për herë të parë në Zyrën Ovale në vitin 2016, ai shkaktoi një lloj reagimi autoimun nga sistemi politik amerikan.
Trump ishte një i huaj, ndaj aparati shtetëror amerikan dhe burokracia federale - ashtu si çdo organizëm i shëndetshëm - kërkuan mjete të ndryshme për të rivendosur homeostazën. Por kjo gjë ngjau në vitin 2016. Në vitin 2024, perandoria amerikane është shumë e sëmurë, madje deri në pikën e vdekjes së ngadalë.
Defiçiti federal ka dalë tërësisht jashtë kontrollit. Borxhi kryesor i qeverisë amerikane ka arritur në thuajse 36 trilion dollarë (sa për krahasim borxhi kombëtar i Rusisë është vetëm 288 miliardë dollarë, dhe në reduktim të vazhdueshëm). Pagesat e interesit për këtë borxh, janë rritur përtej kostos totale vjetore të ushtrisë amerikane.
Metafora e një sëmundjeje në trupin politik amerikan, mund të zgjerohet më tej. Kur trupi i një njeriu preket nga kanceri, qelizat e shëndetshme dhe funksionale, zëvendësohen ngadalë nga qelizat malinje. Megjithatë, asnjë qenie njerëzore nuk ka arritur ndonjëherë në pikën, ku 100 për qind e trupit përbëhet nga qelizat kancerogjene.
Sepse trupi ndalon së funksionuari (vdes) shumë kohë përpara këtij momenti. Po ashtu, asnjë qeveri njerëzore apo sistem politik, nuk do të arrijë kurrë në pikën ku 100 për qind e të ardhurave të saj të shpenzohen për shlyerjen e borxhit. Sistemi politik shembet gjithmonë shumë kohë përpara.
Në vitin 2022, më pak se 10 për qind e të ardhurave federale të SHBA-së duhej të shpenzoheshin për shlyerjen e borxhit. Sot, kjo shifër është rreth 23 për qind, dhe po rritet me shpejtësi. Ndërkaq po amortizohen edhe krahët e tjerë të shtetit, teksa fuqia perandorake amerikane është në rënie të fortë në rajone si Lindja e Mesme.
Nën sfondin e kësaj krize akute, ngrihet pyetja nëse “shteti i thellë” do ta luftojë apo jo Donald Trumpin, njëlloj si në vitin 2016. Në atë kohë, “sistemi imunitar” federal bëri një përpjekje të ndershme për të dëbuar ndërhyrësin e huaj. Sot, ai mund të jetë shumë i dobësuar nga kriza për të bërë shumë përpjekje kundër presidentit të ri.
Por një “shtet i thellë” i dobët, nuk nënkupton domosdoshmërisht një aparat që është i lehtë për t’u kontrolluar nga Trump apo dikush tjetër. Mund të nënkuptojë edhe një gjendje që është në thelb e pakontrollueshme. Superfuqitë e dikurshme, kanë shfaqur simptoma të ngjashme.
Në vitin 1789, në pragun e revolucionit të saj katastrofik, Franca vuante nga probleme ekonomike dhe ushtarake të mëdha, që e çuan në pragun e falimentimit. Por kjo për shkak të një borxhi të jashtëzakonshëm prej 36 trilion dollarësh, apo për një defiçit buxhetor federal vjetor që i afrohet 2 trilion dollarëve.
Dhe as nuk falimentoi ndërsa po përpiqej të mirëmbante 11 aeroplanmbajtëse bërthamore, shtabet e komandës ushtarake në çdo cep të globit (si dhe hapësirën e jashtme), apo gati 800 baza ushtarake në mbarë botën. Por edhe pse problemet e Francës ishin në një shkallë më të vogël se ato të Amerikës, Franca u zhyt në fillim në stanjacion, pastaj në trazira, dhe më pas revolucion. Sepse për aq sa kishte pasur në të vërtetë një “shtet të thellë” në formën e tij primitive dhe absolutiste, ai shtet kishte pushuar së funksionuari. Franca nuk mund të ecte përpara, nuk mund të kthehej mbrapa, s’mund të vazhdonte të qëndronte siç ishte, por as nuk mundej ta reformonte veten.
Presidenti i porsazgjedhur Donald Trump, ndodhet sot në një gjendje shumë më të vështirë se Luigji XVI dikur. Ashtu si Trump, edhe Luigji XVI u dëmtua shumë nga grindjet midis njerëzve më të afërt të. Vëllezërit, gruaja, këshilltarët, ministrat e tij: që të gjithë rivalizuan se kush do të kishte vëmendjen kryesore të mbretit.
Dhe ndërsa një fraksion e mposhti tjetrin, politika mbretërore vazhdoi të luhatej shumë, derisa u shemb. A do ta njohin Trump - apo njerëzit përreth tij - këtë rrezik dhe do të bashkohen, duke lënë mënjanë interesat e veçanta ose ambiciet e tyre për reformimin e shërbimit civil, në mënyrë që të stabilizohet një sistem perandorak, i cili tani po del me shpejtësi jashtë kontrollit?
Ironia e çdo lloj lufte që Trump mund t’i shpallë “shtetit të thellë” në SHBA, mund të jetë se në fund sistemet dhe institucionet që ai dëshiron të ndryshojë, do të ketë reshtur së funksionuari siç duhet./Përshtati "Pamfleti" nga “New Statesman”
Lini një Përgjigje