TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Nëntor 2024, 13:02

A do pësojë Amerika fatin e Bashkimit Sovjetik në drejtimin e dytë nga Trump?

Shkruar nga Harold James
A do pësojë Amerika fatin e Bashkimit Sovjetik në drejtimin e
Donald Trump

Amerika dukej e destinuar të mbetej në një fazë të ngjashme me Bashkimin Sovjetik në vitet e fundit. Rënia e BRSS ndodhi në dy faza.

Në vitin 1987, historiani Paul Kennedy botoi librin e tij me shumë ndikim “Ngritja dhe rënia e Fuqive të Mëdha”, që trajtoi në veçanti problemin e tejshtrirjes perandorake, dhe e përfundonte analizën me një shqyrtim të situatës në Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, dy fuqitë e mëdha botërore të kohës.

Por brenda pak vitesh, Bashkimi Sovjetik u shemb, duke e lënë SHBA-në si fuqinë e vetme plotësisht dominuese në botë. Megjithatë, duke pasur parasysh ngjarjet e kohëve të fundit, mund të ketë ardhur koha që të rimerret në dorë libri i Kennedy dhe të shqyrtohen sërish leksionet e tij.

Në korrikun e vitit 2020, në mesin e pandemisë së Covid-19, unë shkrova një koment me titull “Amerika e sotme, si Bashkimi Sovjetik në grahmat e fundit”. Ne po i afroheshim fundit të mandatit të parë të presidentit Donald Trump, dhe unë kisha frikë se SHBA-ja ishte futur në një gjendje realisht të pashpresë.

Edhe pse vendi zotëronte ende shumë talent dhe energji, sistemi i tij politik ishte jofunksional. Dy partitë kryesore i zgjidhnin kandidatët e tyre presidencialë në mënyrë jodemokratike (ka degraduar procesi i primareve) dhe çeqet me para për stimulimin e konsumit, dukej se ishin bërë metoda e preferuar për të fituar popullaritet politik.

Në këtë kontekst, kalimi nga Trump tek Joe Biden solli pak ndryshim. Amerika nuk kishte një shtet një partiak të stilit sovjetik, megjithatë as nuk ishte një demokraci të gjerë ndërpartiake apo brendapartiake. Votuesit ndiheshin ende shpresëplotë, dhe shpenzimet e mëdha shiheshin ende si çelësi i suksesit zgjedhor dhe stabilitetit social.

Amerika dukej e destinuar të mbetej në një fazë të ngjashme me Bashkimin Sovjetik në vitet e fundit. Rënia e BRSS ndodhi në dy faza. E para me një gerontokraci të palëvizshme, që i la vendin një përpjekjeje të keqkuptuar për reforma radikale, të cilat rezultuan shkatërruese.

Kur Konstantin Chernenko u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste në vitin 1984, ai ishte 72 vjeç. Kishte pasuar në detyrë një Leonid Brezhnev po të moshuar, dhe një Yuri Andropov të sëmurë. Pastaj erdhi Mikhail Gorbachev, i cili premtoi të reformonte Bashkimin Sovjetik duke këputur zinxhirët e burokracisë së vjetër me Perestrojkën (reformën ekonomike) dhe Glasnostin (hapjen dhe transparencën).

Por përpjekja për të fshirë mendimet e vjetra çliroi forcat centrifugale, veçanërisht nacionalizmat deri atëherë e shtypura, të cilët shpejt e dërrmuan Bashkimin Sovjetik. Sot shumë analistë, sidomos në Rusi, po e përdorin këtë analizë për SHBA-në. Figura të shquara e krahasojnë Trumpin me Gorbachev, reformat e të cilit e shkatërruan BRSS.

Ndërsa Trump është shumë më i moshuar se Gorbachev 4 dekada më parë, edhe ai e paraqet veten si dikush që do të prishë sistemin aktual. Pasi e ka maskuar projektin e tij revolucionar gjatë fushatës, Trump po i bën tani të qarta synimet e tij. Ashtu si çdo lëvizje e suksesshme politike, “Make America Great Again” (MAGA) e Trump-it mbizotëroi duke ndërtuar një koalicion.

Amerikanët e shtresës së punëtorëve (duke përfshirë një numër më të madh votuesish aziatikë, hispanikë dhe zezakë) të cilëve u pëlqeu mesazhi anti-sistem i Trump-it, u bashkuan me sipërmarrës të teknologjisë me shumë ndikim, super të pasur, që kanë idetë e tyre se si ta transformojnë vendin.

Nuk është për t’u habitur që ky koalicion po tregon që tani plasaritje. Problemi më i madh është se shumë nga mjetet juridike të propozuara nga Trump do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në inflacion, i njëjti problem që fundosi edhe presidentin Joe Biden.

Tarifat e reja më të larta, do të rrisin menjëherë koston e jetesës, dhe çdo përpjekje serioze për të grumbulluar dhe dëbuar 11 milionë emigrantët e paligjshëm do të shkaktojë mungesa të reja të fuqisë punëtore në bujqësi, ndërtim dhe qendra të rëndësishme të shpërndarjes.

Po ashtu, edhe reduktimi i burokracisë në mënyrën që parashikojnë Elon Musk dhe Vivek Ramaswamy - përmes Departamentit të ri të Efiçencës Qeveritare (DOGE) - do të nxirrte në rrugë një numër të madh amerikanësh. (S’ka gjasa që ata të nxitojnë të nisin punë në bujqësi me paga të ulëta).

Kështu, ndërsa një e ardhme më e ndritur, mbetet vetëm një premtim i paqartë, janë lehtësisht të dukshme kostot vuajtjet e pritshme. Ata që flasin për Silicon Valley, ëndërrojnë të çlirojnë Inteligjencën Artificiale nga kufizimet për të rritur produktivitetin, dhe rrjedhimisht të ardhurat e punëtorëve me kualifikim më të ulët.

Në pamje të parë, ideja nuk është absurde. Ka të dhëna empirike që AI  ka përshpejtuar rritjen në disa sektorë si ai i shërbimit ndaj klientit. Edhe përfitimet në fusha të tjera, si kujdesi shëndetësor dhe kujdesi për të moshuarit, janë qartësisht të mundshme.

Por as kjo filozofi revolucionare “përshpejtuese” dhe as zbatimet e saj të mundshme, nuk janë testuar në shkallë të gjerë. Për më tepër, vizioni i Silicon Valley mbështetet në një botë të lidhur globalisht, në të cilën SHBA-ja ka qenë lojtarja dominuese.

Kështu, ndërsa Musk është plotësisht dakord me projektin e Trump për një ndryshim të fortë të qasjes së SHBA-së ndaj ekonomisë globale, paradoksalisht vizioni i tij kombinon teknologjinë me statuskuonë “globaliste”. “Biznesi si zakonisht po e çon Amerikën drejt falimentit! Ndaj në një mënyrë a tjetrën, ne kemi nevojë për ndryshim”-thotë ai.

Musk e përshëndeti me të drejtë terapinë e shokur të presidentit argjentinas Javier Milei për eliminimin e tarifave dhe hapjen e ekonomisë së vendit. Por që të gjithë e dimë se fjala e preferuar e Trump është “tarifa”. Mbetet të shihet se si do të zgjidhet kjo kontradiktë.

Në një këndvështrim më optimist, shkëputja e SHBA-së nuk mund të provokojë një kolaps të tregtisë globale në nivelin e Depresionit të Madh. Kjo sepse Amerika zë vetëm 13.5 për qind të importeve në botë. Sigurisht, vendet e tjera mund të hakmerren ose thjesht të përpiqen të imitojnë Trumpin.

Por sa më kaotik të jetë Trump, aq më pak ka gjasa që të gjejë imitues. Për këtë mjafton të shihni efektin parandalues që pati Brexit tek euroskeptikët e tjerë, apo se sa të interesuar ishin shumica e shteteve pasardhëse sovjetike që të adoptonin një mentalitet të ndryshëm. Pra, një pjesë e koalicionit Trumpian e do globalizmin, ndërsa pjesa tjetër e refuzon.

Ironia është se kampi i fundit, do të ndjejë dhimbjen më të madhe nga përpjekjet për t’u vetë-izoluar. Nëse zbatohet, axhenda e Trump do të mbjellë në mënyrë të pashmangshme farat e një vale të re pakënaqësie, proteste dhe teorish konspirative. I njëjti përshkrim, vlen edhe për përvojën post-sovjetike në vitet e fundit të shekullit XX.

Ndryshimi i menjëhershëm dhe i shpejtë çoi vetëm në përçarje, dhe të gjithë ata që u dëmtuan prej tij, iu bashkuan grupit të ardhshëm të të mënjanuarve. Një dinamikë e ngjashme, duket sepo përhapet sot edhe në SHBA. Ose të paktën kështu shpreson Rusia e sotme./ Përshtati "Pamfleti" Nga “Project Syndicate”

Shënim:Harold James, profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Prinston, SHBA.

shba ish-bashkimi sovjetik

Lini një Përgjigje