TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Nëntor 2024, 09:40

Si po përgatitet Perëndimi të kundërveprojë ndaj fushatës sabotuese të Rusisë

Shkruar nga Mark Galeotti

Si po përgatitet Perëndimi të kundërveprojë ndaj

Shërbimet sekrete të Kievit, kanë kryer një sërë sulmesh ndaj objektivave ushtarake ruse, zyrtarëve dhe nxitësve të zëshëm të luftës. Për shembull këtë muaj, një oficer i marinës ruse u vra nga shpërthimi i një bombe të vendosur nën makinën e tij në Krime.

Kur një avion transporti i kompanisë DHL, u rrëzua të hënën teksa po i afrohej aeroportit të Vilniusit në Lituani, duke vrarë një nga pjesëtarët e ekuipazhit, aksidenti u duk si pasojë e një defekti teknik.

Por duke qenë se ka dyshime të forta, se Rusia ka pasur dorë tek një sërë ngjarjesh të tjera, me shpërthime pajisjesh në fluturimet e DHL por dhe në shumë magazina verës që shkoi, në mënyrë të pashmangshme shumë njerëz supozuan se ngjarja e rëndë ishte inskenuar sërish nga Moska.

Vitin e kaluar, rusët i shtuan ndjeshëm aktivitetet e tyre përçarëse në Evropë, nga sulmet kibernetike deri tek atentatet, me synim kaosin dhe një klime terrori dhe frike. Në shkurt të këtij viti, një dezertor rus u qëllua për vdekje në Spanjë, në atë që duket të ketë qenë një vrasje e porositur nga Moska, por e kryer nga krimi i organizuar.

Ndërsa në mars, kriminelë të rëndomtë të punësuar nga inteligjenca ushtarake e Rusisë, GRU, dogjën magazinat në pronësi të Ukrainës në Leyton, në lindje të Londrës. Po ashtu, Moska është akuzuar për një seri të mëvonshme zjarrvëniesh në të gjithë Evropën mbi çdo gjë, nga qendrat tregtare polake, deri tek një fabrikë gjermane.

Në korrik, autoritetet amerikane dhe gjermane, njoftuan se kishin parandaluar planin e Rusisë për të vrarë Armin Papperger, kreun e kompanisë së madhe të prodhimit të armëve Rheinmetall, një mbështetës i hapur i Ukrainës. Edhe pse rrethanat mbeten ende të paqarta, dy kabllo nënujore të telekomunikacionit në Baltik u këputën ditët e fundit në mënyrë misterioze.

Të dhënat e para flasin sërish për një sabotim. Siç e paralajmëroi ministri i kabinetit britanik Pat McFadden në Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s mbajtur në Londër këtë javë, Rusia e ka zgjeruar fushatën e sulmeve kibernetike. Disa prej tyre janë në thelb operacione të mbledhjes së të dhënave konfidenciale.

Por një pjesë e tyre synon sabotimin, dhe të tilla janë sulmet ndaj hekurudhave çeke këtë vit apo alarmet e rreme të vazhdueshme për vendosje bombash, që sjellin një hipervigjilencë nga autoritetet. Sidomos pas shpërthimeve të fundit të kontrolluara në Glasgow, stacionin Euston dhe pranë ambasadës amerikane, apo edhe dhe një alarmi të madh mbi sigurinë në aeroportin Gatwick.

Po si ia dalin rusët të mbajnë një ritëm të tillë sulmesh? Ata e bënë këtë pjesërisht, duke kontraktuar një grup të larmishëm “hakerash patriotë” dhe kriminelësh kibernetikë. Dhe ky bashkëpunim nuk kufizohet vetëm në sferën online.

Siç paralajmëroi drejtori i përgjithshëm i shërbimit sekret britanik MI5 Ken Mccallum muajin e kaluar, këtë vit “aktorët shtetërorë rusë po i drejtohen palëve të treta për të kryer punët e tyre të pista, përfshirë operativë privatë të inteligjencës dhe kriminelë si nga Britania e Madhe por edhe vende të tjera”.

Kjo është veçanërisht e dukshme në botën online, ku grupimeve kibernetike ruse që merren me shantazhet, u lihet dorë e lirë për sa kohë që ata synojnë të godasin Perëndimin. Megjithatë, është gjithashtu e qartë se kriminelët po përdoren më gjerësisht, në çdo gjë, nga kryerja e mbikëqyrjes në emër të agjencive të shërbimeve sekrete të Moskës deri tek mbulimi i mureve anembanë Evropës me mbishkrime përçarëse dhe antisemite, nga vendosja e zjarreve deri te kontrabanda e mikroçipave që janë nën sanksionet e SHBA-së dhe BE-së.

Kjo qasje e Moskës nuk duhet të jetë e habitshme. Sepse që pas fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, rreth 750 diplomatë rusë janë dëbuar nga të gjitha vendet perëndimore. Meqë shumica e spiunëve punojnë nën mbulesën diplomatike, dëbimi i tyre i dha një goditje të rëndë rrjeteve ruse të spiunazhit.

Megjithatë, do të ishte naive të mendohej se kjo do ta ndalonte Kremlinin nga përpjekjet për a gjetur mënyra të reja veprimi. Shumë të rekrutuar, punësohen në mënyrë anonime në internet, në mënyrë që ata as të mos e dinë se po bëjnë punën e pistë të Vladimir Putinit.

Disa preh tyre kanë kryer mbikëqyrje, me besimin se klientët e tyre janë të bindur se bashkëshortët e tyre po i tradhtojnë apo se punonjësit e tyre po i vjedhin biznesin. Pyetja e vërtetë është: Përse Moska e ka zgjeruar fushatën e saj këtë vit, dhe çfarë shpreson të arrijë?

A beson ajo sinqerisht se djegia e një qendre tregtare apo disa grafite propagandistike do të bëjnë vërtet diferencën? Përgjigja qëndron në perceptimin e situatës nga Putin. Presidenti rus duket se beson se një Perëndim i paepur “rusofob”, është i përkushtuar për ta kufizuar apo copëtuar Rusinë, dhe se Ukraina është në thelb një armë që synon të godasë atdheun.

Shërbimet sekrete të Kievit, kanë kryer një sërë sulmesh ndaj objektivave ushtarake ruse, zyrtarëve dhe nxitësve të zëshëm të luftës. Për shembull këtë muaj, një oficer i marinës ruse u vra nga shpërthimi i një bombe të vendosur nën makinën e tij në Krime.

Për Putinin - një njeri që beson se Ukraina është një krijesë artificiale e Leninit pas revolucionit bolshevik të 1917-ës nga “ajo që është historikisht toka ruse - këto sulme mund të ndodhin vetëm me urdhrin tonë, ose të paktën me miratimin tonë në Perëndim.

Një ekspert rus, i afërt me administratën presidenciale, më tha: ”Ju mendoni se mund t’i detyroni terroristët ukrainas të bëjnë punët tuaja të pista, dhe që ne rusët të pretendojmë me mirësjellje se nuk fshiheni ju pas tyre? Ka ardhur koha që edhe ju të mësoni se si është të jesh në luftë!”.

Pastaj shtoi: “E çfarë tjetër janë sanksionet, përveç një luftë ekonomike dhe politike? Ju po përpiqeni të falimentoni ekonominë tonë, dhe pastaj ankoheni nëse hakërroheni prej nesh!?”.

Duket se në mesin e vitit të kaluar, Kremlini vendosi të lejojë agjencitë e tij të inteligjencës që të “vepronin pak më ashpër” siç u shpreh dhe drejtori i MI6, Sër Richard Moore. Pjesërisht, kjo në formë hakmarrje ndaj aleatëve të Ukrainës; por edhe për diçka më strategjike, për të që mund të quhet përdorimi si armë i bezdisjes.

Në Moskë, dominon mendimi se Perëndimi është mësuar të jetë shumë rehat me luftën, se ne u dërgojmë rregullisht ukrainasve një sasi të caktuar parash dhe një pjesë të arsenalit tonë ushtarak që ata të vazhdojnë të luftojnë, por pa i ndjerë vërtet kostot e luftës.

Prandaj fushata e sulmeve kibernetike dhe atyre përmes palëve të treta, synon jo vetëm të çojë përpara synimet e zakonshme të Moskës për thellimin e ndarjeve dhe demoralizimit, por t’u përcjellë evropianëve ndjenjën se mbështetja e vazhdueshme e vendeve të tyre për Ukrainën, po ndikon negativisht në jetën e tyre.

Një sulm i madh kibernetik, si ai që përshkroi McFadden, dhe që nxjerr jashtë loje rrjetin energjitik kombëtar nuk ka gjasa të ndodhë, sepse përfshihet brenda kushteve të garancisë së ndihmës reciproke të nenit 5 të NATO-s. Po ashtu, ai nxit hakmarrjen ndaj Rusisë, dhe do të ishte naive të supozohej se Perëndimi nuk po kërkon mënyrat e tij për të sabotuar infrastrukturën kombëtare jetike të Rusisë.

Por ç’mund të themi për një sulm kibernetik kriminal ndaj sistemit shëndetësor britanik në qershor, NHS, që detyroi shtyrjen e më shumë se 10.000 vizitave shëndetësore? Po për pakot shpërthyese në fluturimet e DHL që krijojnë vonesa për të gjitha dërgesat? Po sulmet kibernetike në sistemet e sinjalizimit dhe biletave në hekurudha, që mund të imponojnë një kalvar për qindra mijëra pasagjerë dhe humbje të mëdha për kompanitë?

Asnjëra prej tyre nuk i afrohet kushteve për një hakmarrje të drejtpërdrejtë, megjithatë ato kanë një ndikim, veçanërisht nëse i frikësohemi aq shumë hijes së Putinit, saqë çdo shqetësim dhe aksident ia atribuojmë makinacioneve të tij. Kjo strategji, na ndihmon të kuptojmë arsyen pse deri më tani amerikanët i kanë shmangur sulmet më të këqija.

Në pragun e zgjedhjeve presidenciale, Moska nuk kishte dëshirë të ishte në qendër të vëmendjes, ndërsa tani nuk dëshiron të rrezikojë ta detyrojë Trumpin të ketë një qasje më të ashpër. Ndërsa Evropa nuk ka një imunitet të tillë. Atëherë, si duhet të kundërpërgjigjet ajo?

Këtë muaj, raporti im “Gangsterët në luftë:Përdorimi i krimit të organizuar nga Rusia” u botua nga Nism Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional dhe unë nisa raundin e zakonshëm të takimeve informuese. Pas njërit prej tyre, në selinë e NATO-s, m’u afruan përfaqësues të 2 vendeve.

Njëri nga Evropa Jugore, ndërsa tjetri nga shtetet baltike. I pari ishte i shqetësuar: “Çfarë mund të bëjmë kundër një fushate të tillë? Vështirë se mund të reagojmë në të njëjtën mënyrë”. Reagimi i homologut të tij më të kalitur nga Baltiku ishte e prerë: “Ne i njohim rusët. Ata do të vazhdojnë presionin, për aq kohë sa mendojnë se po funksionon. Ndaj duhet të mos e lejojmë të funksionojë, të forcojmë rezistencën, të mos dorëzohemi”. Pra ruaj qetësinë dhe ec përpara./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Spectator”

Shënim:Mark Galeotti, drejton kompaninë e konsulencës “Mayak Intelligence”, dhe është profesor në Shkollën e Studimeve Sllave dhe të Evropës Lindore në Universitetin e Kalifornisë.

Si po përgatitet Perëndimi të kundërveprojë ndaj

 

rusia spiunazhi rus

Lini një Përgjigje