TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Maj 2026, 19:43

7 minutat që tronditën Francën! Grabitja e Luvrit do të pushtojë kinematë, regjisorët nisin filmin

Shkruar nga Pamfleti
7 minutat që tronditën Francën! Grabitja e Luvrit do të
Muzeu i Luvrit në Paris

Vjedhja spektakolare e bizhuterive historike të Napoleon Bonapartit nga Muzeu i Luvrit në Paris do të kthehet në një film hollivudian, që pritet të sjellë në ekran një nga grabitjet më të bujshme të viteve të fundit.

Sipas mediave franceze, projekti kinematografik do të drejtohet nga regjisori Romain Gavras dhe do të bazohet në librin investigativ “Main basse sur le Louvre”, i cili publikohet më 27 maj.

Libri është shkruar nga gazetarët Jean-Michel Décugis, Jérémie Pham-Lê dhe Nicolas-Charles Torrent dhe rikthen në detaje grabitjen e ndodhur më 19 tetor 2025 në Galerinë Apollo të muzeut.

Sipas hetimeve, katër persona arritën të hynin në ambientet e muzeut dhe të vidhnin nëntë bizhuteri historike të lidhura me Napoleonin, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 88 milionë eurosh.

Operacioni, sipas autoriteteve franceze, zgjati më pak se shtatë minuta dhe u realizua mes qindra vizitorëve pa ngritur dyshime. Edhe pse policia kreu disa arrestime pas grabitjes, bizhuteritë nuk janë gjetur ende.

Filmi pritet të dalë në kinema gjatë vitit 2028, ndërsa deri tani nuk janë zbuluar emrat e aktorëve apo titulli zyrtar i produksionit. Për skenarin, Gavras do të bashkëpunojë me Simon Winter dhe Mourad Winter.

Pas grabitjes, autoritetet franceze evidentuan probleme serioze në sistemin e sigurisë së Luvrit, çka solli edhe dorëheqjen e drejtoreshës së muzeut, Laurence des Cars.

Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron ka prezantuar një plan modernizimi me vlerë rreth 800 milionë euro për muzeun e famshëm, ku një pjesë e konsiderueshme e investimeve do të fokusohet në forcimin e sigurisë në kuadër të projektit “Luvri – Rilindja e Re”.

grabitja e luvrit film

Lini një Përgjigje