
Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 4 korrikun, Ditën e Pavarësisë. Në vitin 1776, delegatët nga 13 kolonitë e Shteteve të Bashkuara miratuan “Deklaratën e Pavarësisë”, duke njoftuar shkëputjen nga Britania.
Kjo ditë është festë federale në Shtetet e Bashkuara që nga viti 1941 dhe tradicionalisht është një ditë kur amerikanët festojnë me fishekzjarre, parada, koncerte dhe piknikë. SHBA festojnë sot 247 vjetorin e Pavarësisë.
Më 2 korrik 1776, Kongresi Kontinental votoi në favor të pavarësisë. Dy ditë më vonë, delegatët nga 13 kolonitë amerikane miratuan Deklaratën e Pavarësisë, të hartuar nga Thomas Jefferson.
Rebelimi i Shteteve të Bashkuara kundër britanikëve kishte filluar një vit më parë, më 1775 dhe vazhdoi derisa Shtetet e Bashkuara dhe Britania nënshkruan Traktatin e Parisit në vitin 1783, i cili zyrtarisht njohu pavarësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me këtë ditë të rëndësishme për SHBA-në ka reaguar edhe politika shqiptare.
Përmes një postimi me një kolazh fotosh nga vizita e djeshme e ish-Presidentit të SHBA, Bill Clinton, kryeministri Rama shkruan: “Gëzuar 4 Korrikun Amerikë! Zoti të bekoftë”.
Presidenti Bajram Begaj gjithashtu ka uruar pavarësinë e SHBA-ve dhe shpreh mirënjohjen për historinë që lidh vendin tonë me SHBA ndërsa shton se si partnerë strategjikë, Shqipëria është e vendosur për një të ardhme me vlerat e përbashkëta të demokracisë.
“Gëzuar 4 Korrikun US! Mirënjohës dhe krenarë për historinë që lidh Shqipërinë dhe Shtetet e Bashkuara. Si partnerë strategjikë, jemi të vendosur për të ndërtuar një të ardhme në të cilën ruajmë dhe forcojmë së bashku vlerat e demokracisë”, ka shkruar presidenti Begaj në postimin e tij në Facebook.
Lini një Përgjigje