
Një grup prej 21 shtetesh, mes tyre Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, kanë dënuar ashpër vendimin e qeverisë izraelite për ndërtimin e një projekti të madh të ri kolonizues në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Në një deklaratë të përbashkët, vendet e quajtën planin për ndërtimin e rreth 3.400 banesave “të papranueshëm” dhe “një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare”. Sipas tyre, ky projekt do të priste në dysh territorin palestinez, duke vënë në rrezik kontinuitetin gjeografik të një shteti të ardhshëm palestinez. “Dënojmë këtë vendim dhe kërkojmë me forcë që ai të tërhiqet menjëherë”, thuhet në deklaratë.
Edhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni reagoi kundër planit, duke e cilësuar atë si një rrezik serioz për perspektivën e paqes.
“Italia dënon vendimin izraelit për të autorizuar insedime të reja në Bregun Perëndimor. Ky vendim bie ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe rrezikon të minojë përfundimisht zgjidhjen me dy shtete dhe, më gjerë, çdo perspektivë politike për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Meloni.
Ajo shprehu gjithashtu shqetësim për zhvillimet në Rripin e Gazës, duke e quajtur pushtimin izraelit një “eskalim të mëtejshëm” pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, që po përkeqëson edhe më shumë krizën humanitare.
Në vend të përshkallëzimit, sipas Melonit, është i domosdoshëm “një angazhim kolektiv për arritjen e një armëpushimi, lirimin e pengjeve dhe forcimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të garantuar ndihmën humanitare urgjentisht të nevojshme për civilët palestinezë”.
“Italia do të vazhdojë të mbështesë ndërmjetësit ndërkombëtarë dhe është gati të japë kontributin e saj në një skenar pas konfliktit”, tha ajo.
Lini një Përgjigje