
Viti 2025, mund të jetë vendimtar për Perëndimin dhe Evropën. A kemi mësuar ne nga gabimet e së kaluarës? A mund t’i shmangim kurthet që na presin? Mësimet e historisë na kujtojnë se paqja nuk mund të blihet me lëshime. Ajo duhet të sigurohet. Në një botë të ndërlidhur, asnjë komb nuk është një ishull...
Për të ardhmen ekzistojnë dy qasje kryesore: parashikimi dhe planifikimi. Shpeshherë parashikimi është i vështirë përballë një bote gjithnjë e më komplekse dhe të ndërlidhur, ku variabla të panumërt i shmangen të kuptuarit të plotë.
Ndërkohë edhe pse jo pa të meta, planifikimi ofron një shans për të arritur rezultate të dëshirueshme përmes politikave pro-aktive. Ndërsa jemi në mesin e viteve 2020 (dhe po mbyllin çerekun e parë të shekullit XXI), është e qartë se trashëgimia e kësaj dekade do të formësohet nga mësimet që mësojmë dhe veprimet që ndërmarrim. Ja cilat janë 5 leksionet kryesore, që mund të nxirren nga gjysma e parë e dekadës, dhe që mund ta na shërbejnë për të përballuar sfidat e ardhshme.
1. Domosdoshmëria e vlerave
Që nga Marrëveshja e Mynihut e vitit 1938, nuk ka qenë aq shumë i dukshëm fakti, që nuk mund të negociohet mbi vlerat themelore. Përpjekjet për të mbajtur një qëndrim të butë ndaj diktatorëve me synim shmangien veprimeve të tyre të paligjshme, kanë dështuar vazhdimisht që të garantojnë paqen.
Historia na tregon se lëshime të tilla, vetëm sa i inkurajojnë agresorët. Konfliktet në Gjeorgji (2008), Krime dhe Ukrainën Lindore (2014), ishin pararendëse të pushtimit rus në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022. Përgjigjet e ndrojtura të Perëndimit, e inkurajuan Moskën të synonte më shumë përfitime territoriale. Pra kompromisi mbi parimet dhe detyrimet thelbësore, çon drejt rezultateve shumë më shkatërruese sesa një ndërhyrje pro-aktive dhe vendimtare.
2. Besimi i gabuar tek ndërvarësia ekonomike
Shumë njerëz në Perëndim kanë besuar për vite më radhë, se lidhjet ekonomike me Rusinë do ta pengonin atë të shkelte normat ndërkombëtare. Koncepti i Wandel durch Handel (ndryshim përmes tregtisë), një trashëgimi e diplomacisë së pas Luftës së Ftohtë, e përmbledh më së miri atë bindje.
Për disa breza politikanësh, dukej gati e padiskutueshme që interesat e përbashkëta tregtare, të kishin një prioritet më të lartë për Kremlinin sesa ambiciet imperialiste. Megjithatë, më 24 shkurt 2022, imazhet e raketave ruse që bien mbi qytetet ukrainase, e zhdukën atë iluzion.
Rusia e shihte varësinë e Perëndimit nga hidrokarburet e saj, që u shfaq përmes tregtisë së gazit dhe naftës, si një dobësi që duhej shfrytëzuar. Në vitet para Luftës së Parë Botërore, një besim i ngjashëm tek interesat vetjake ekonomike të shteteve, doli të ishte i gabuar.
Edh gjatë viteve para luftës aktuale, vendet evropiane financuan në mënyrë indirekte ambiciet ushtarake të Rusisë, duke blerë lëndët djegëse fosile të saj. Evropës iu deshën 3 vite që të reduktonte varësinë e saj nga energjia ruse. Një hap ky i dhimbshëm, por i domosdoshëm. Në tetor 2024, Komisioneri i BE-së për Energjinë deklaroi se tani blloku mund të mbijetojë pa gazin rus, dhe se importimi i tij nuk është më i nevojshëm.
3. Ringjallja e autoritarizmit
Pavarësisht nga tregtia globale dhe marrëveshjet ndërkombëtare, regjimet autoritare mbeten të pa shqetësuara në kursin e tyre. Demokracitë vlerësojnë paqen; ndërsa autokracitë respektojnë fuqinë. Këto botëkuptime të kundërta krijojnë një përplasje të vazhdueshme.
Indeksi i Demokracisë i vitit 2023 nga Economist Intelligence Unit, raportoi se rezultati mesatar global është më i ulëti që nga fillimi i hartimit të këtij indeksi në vitin 2006. Sot, vetëm 8 për qind e popullsisë së botës jeton në “vende plotësisht demokratike”, ndërsa gati 40 për qind jetojnë nën sundime autoritare.
Çdo vit hedh më shumë dritë mbi realitetin e zymtë: kur regjimet autoritare shohin mundësi për të zgjeruar pushtetin e tyre, ato i shfrytëzojnë menjëherë ato. Konfliktet e ngrira dhe pauzat politike nuk janë frenues, por shanse që autokratët të rigrupohen dhe rivendosin dominimin.
4. Nevoja urgjente për të mbrojtur demokracinë
Rritja e lëvizjeve të ekstremit të djathtë në demokracitë kryesore të Evropës, siç u pa në zgjedhjet e fundit në Gjermani dhe Francë në vitin 2024, tregon se demokracia është e rrethuar edhe në “shtëpinë” e saj. Përparimet e shpejta teknologjike, sidomos në inteligjencën artificiale, po e përkeqësojnë problemin.
Keqinformimi dhe falsifikimet e sofistikuara po përhapen me shpejtësi, duke e gërryer besimin tek institucionet, dhe duke i bërë shoqëritë më të prekshme ndaj teorive konspirative. Dikur të cilësuara si aleate të angazhimit demokratik dhe lirisë, teknologjitë e reja dixhitale janë shndërruar tani në vegla, të cilat regjimet autoritare po i përdorin për t’i minuar pikërisht ato vlera.
Fushatat ruse të keqinformimit në platforma si YouTube, Telegram, X (dikur Tëitter) dhe TikTok, e ilustrojnë shumë qartë këtë. Zgjedhjet presidenciale në Rumani në fund të vitit 2024, të dëmtuara nga ndërhyrja e Moskës, treguan shkallën dhe sofistikimin e këtyre përpjekjeve. Pa një “kundërsulm” të bashkërenduar të organeve demokratike, vitet 2030 mund të jenë të ngjashme me vitet 1930, një epokë e karakterizuar nga kolapsi i demokracive.
5. Roli kyç i shoqërisë civile
Në vitin 2024, shtypja e dhunshme e protestave në Tbilisi të Gjeorgjisë, na kujtoi shtypjen brutale të demonstratave në Kiev të Ukrainës në vitin 2014. Modelet e represionit autoritar janë të pa ngatërrueshme. Dhjetë vjet më parë, Ukraina u rezistoi për shkak të lidhjeve të saj të forta horizontale.
Qëndrueshmëria aktuale e Ukrainës përballë luftës së Rusisë, i detyrohet shumë edhe shoqërisë së saj të fortë civile. Organizata si Fondacioni i Evropës Lindore, Fondacioni Ndërkombëtar i Rilindjes, ISAR Ednannia etj, kanë krijuar një ambient që është i aftë të forcojë qëndrueshmërinë kombëtare.
Kështu, vetëm rrjeti i EEF përfshin tani mbi 600 organizata lokale. Mjerisht, në rrezik nuk janë vetëm demokracitë në zhvillim. Ringjallja e të djathtës ekstreme populiste në sistemet e vjetra politike demokratike, na rikujton me forcë nevojën për një shoqëri civile vigjilente dhe të fuqizuar. Në epokën e një propagande të pamëshirshme, shoqëria civile shërben si një ndërprerës jetik i saj, duke parandaluar degradimin e demokracisë.
Një moment kyç
Viti 2025, mund të jetë vendimtar për Perëndimin dhe Evropën. A kemi mësuar ne nga gabimet e së kaluarës? A mund t’i shmangim kurthet që na presin? Mësimet e historisë na kujtojnë se paqja nuk mund të blihet me lëshime. Ajo duhet të sigurohet. Në një botë të ndërlidhur, asnjë komb nuk është një ishull.
Edhe një frakturë e vetme rrezikon shembjen e të gjithë strukturës. Këto 5 leksione nuk janë shteruese, por ato ofrojnë një hartë informuese për vendimmarrësit se si t’i përballojnë këto sfida shumë të vështira. Në rast se veprojmë me vendosmëri, e ardhmja është ende në duart tona.
Shënim: Victor Liakh, drejtues i Fondacionit të Evropës Lindore. Gjatë viteve 2005-2008, ka qenë drejtor ekzekutiv i Fondit të Mirëqenies së Fëmijëve në Ukrainë.
Lini një Përgjigje