
Teksa armiku i regjimit, Donald Trump, është gati të marrë sërish detyrën në Uashington, a do të qëllojë ushtria mbi iranianët nëse shpërthejnë sërish protestat popullore, apo është tashmë në prag një skenar si që ai rrëzoi Assadin pak javë më parë?
Refuzimi i ushtrisë siriane për të luftuar në mbrojtje të regjimit të Bashar Al-Assadit, nuk kaloi pa u vënë re në Teheran. Javët e fundit, ka pasur shenja se udhëheqësit politikë dhe ushtarakë iranianë janë gjithnjë e më të shqetësuar për një skenar të ngjashëm që mund të ndodhë edhe në Iran.
A do të refuzonin të luftonin mijëra ushtarë iranianë, duke ulur armët si homologët e tyre sirianë, gjë që çoi në rrëzimin e rrufeshëm të regjimit dhe arratisjen e Assadit në Rusi? Çfarë do të ndodhte nëse do të përsëriteshin trazirat e mëdha që e tronditën Iranin në vitin 2022?
Zëvendës/komandanti i ushtrisë iraniane, përgjegjës për stërvitjet, Alireza Sheikh, deklaroi së fundi në një tubim para kadetëve në Teheran se “ngjarjet e fundit në rajon, kanë treguar se ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj plumbave që po lëshon armiku ndaj nesh”.
“Mbrojtja e vërtetë që ka ushtari kundër zjarrit të armikut është bindja e tij e fortë”- shtoi ai. Për këtë arsye, shpjegoi ai, mësimi i parimeve dhe zakoneve fetare është një pjesë e rëndësishme e stërvitjes ushtarake, dhe ushtarët duhet të përpiqen të ruajnë “besimet e tyre themelore”.
Po ashtu, Sheikh paralajmëroi mbi rreziqet e “shfrytëzimit armiqësor” të internetit, duke shtuar se sjellja e njerëzve “në jetën reale”, pasqyron në fakt sjelljen e tyre në internet, dhe se parimet morale dhe fetare duhet të mbrohen me fanatizëm në të dyja sferat.
Ndërkohë, kreu i Komitetit të Sigurisë Kombëtare në parlamentin iranian, Ismail Kowsari, tha për portalin e lajmeve Jamaran muajin e kaluar, se ushtria siriane e kishte “tradhtuar” Assadin, dhe se “kur forcat ushtarake në një vend nuk janë në lartësinë e detyrës, mund të jeni të sigurt se qeveria do të bjerë papritur, pasi nuk ka se kush ta mbrojë vendin”.
Duke ndjekur me kujdes zhvillimet
Kowsari, një ish-oficer i Gardës Revolucionare Iraniane, i bëri në fakt jehonë fjalëve të komandantit aktual të Gardës, Hussein Salami, i cili kohët e fundit sulmoi kritikët që kishin guxuar të pyesnin se përse Irani nuk kishte nxituar të ndihmonte Assadin.
Këto kritika nuk kanë kuptim, tha Salami, kur “ushtria jonë është duke e vëzhguar me kujdes këtë çështje”. Kowsari vuri në dukje se ushtria e Sirisë “e kundërshtoi fillimisht” krijimin nga Irani të një milicie ‘patriotike” në Siri, me përfshirjen e Hezbollahut dhe të luftëtarëve të tjerë të huaj.
Megjithatë ajo ishte dorëzuar nën urdhrat e Assadit, që vetë iu nënshtrua presionit iranian. Por milicia “patriotike” u shpërbë gradualisht, tha ai pa dhënë detaje, duke e lënë ushtrinë siriane të paaftë për të ndalur përparimin e rebelëve.
Irani e ka përdorur vetë milicinë Basij, madje raportohet edhe për anëtarë të Hezbollahut dhe të huaj të tjerë, për të shuar trazirat e brendshme në të kaluarën. Ndonëse për këtë pretendim ka pak prova konkrete, pasi agjentët e supozuar ishin pa uniforma ose vepronin si eleminues në prapaskenë.
Të paktën deri më tani, regjimi duket se nuk ka përdorur trupa të rregullta për t’i shtypur protestat. Midis drejtuesve të regjimit, nuk ka asnjë konsensus mbi arsyet e sakta pse ra aleati i tyre i ngushtë Bashar Al-Assad.
E përditshmja e Teheranit Jomhuri-e Islami, shkroi në një editorial të 17 dhjetorit me titull “Ata kanë plane për ne”, se problemet ekonomike do të minonin herët a vonë mbështetjen e publikut “duke i hapur rrugën dobësimit dhe madje kolapsit të tij”.
Në fakt, nuk ishte nevoja t’i referoheshin kushteve ekonomike të mjerueshme të Iranit, përfshirë ndërprerjet e vazhdueshme të energjisë elektrike. Asnjë regjim nuk mund të shpresojë të rezistojë pa mbështetjen popullore, theksoi e përditshmja, duke shtuar se “disa njerëz të përfshirë në Boshtin e Rezistencës” e shpjegojnë rënien e shpejtë të Assadit me gjendjen e vështirë ekonomike të shumë sirianëve, përfshirë shërbëtorët e vetë regjimit.
Përveç problemeve ekonomike, zyrtarët iranianë janë të shqetësuar edhe nga infiltrimi i inteligjencës së huaj në agjencitë shtetërore, veçanërisht nga ato të Izraeli. Ata nuk kanë të dhëna të sakta mbi përmasat e këtij depërtimi, por kanë qenë dëshmitarë të veprimeve të shumta izraelite vitet e fundit për të vrarë zyrtarë të lartë brenda Iranit.
Kreu i gjyqësorit Gholamhussein Mohseni-Ejei, paralajmëroi që në qershor 2024 për “depërtim” brenda vetë departamentit të inteligjencës të Gardës Revolucionare. Ndërsa në fillim të nëntorit 2024, Ali Larijani, ndihmës për politikën e jashtme i Udhëheqësit Suprem, u shpreh në televizion se agjencitë e huaja të inteligjencës kishin depërtuar brenda regjimit falë “viteve të neglizhencës” dhe paaftësisë së regjimit për të penguar atë.
Po kujt mund t’i besohet?
Një shembull i dukshëm i shqetësimeve të tilla, pasqyrohet tek thashethemet që qarkullojnë rreth fatit të kreut të task-forcës rajonale të Gardës Revolucionare Quds, Ismail Qaani. Ende nuk është plotësisht e qartë nëse ai u vra, u plagos në Liban, apo u arrestua dhe u kthye në Teheran nën dyshimin se kishte ndihmuar izraelitët.
Sidoqoftë, Qaani është parë rrallë në publik ditët e fundit. Atëherë kujt mund t’i besohet në një kontekst të dobësisë rajonale, në kushtet e një perceptimi në rritje se fati i regjimit është vulosur tashmë, dhe se në raste të përsëritura një Izrael që zakonisht vepron si të dojë, ka tani mbështetjen e plotë të SHBA-së?
Teksa armiku i regjimit, Donald Trump, është gati të marrë sërish detyrën në Uashington, a do të qëllojë ushtria mbi iranianët nëse shpërthejnë sërish protestat popullore, apo është tashmë në prag një skenar si që ai rrëzoi Assadin pak javë më parë?/Pamfleti
Lini një Përgjigje