TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Nëntor 2025, 21:18

2 mijë vite burg për të mbajtur në këmbë Sulltanin!

Shkruar nga Pamfleti
2 mijë vite burg për të mbajtur në këmbë
"Sulltan" Erdogani

Imamoglu, njeriu që i kujtoi Erdoganit se pushteti nuk është përjetësisht i tij

Më shumë se dy mijë vjet burg. Kaq ka kërkuar Prokuroria e Stambollit për Ekrem Imamoglu, ish-kryetarin e bashkisë së qytetit më të madh të Turqisë dhe kundërshtarin kryesor politik të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Një dënim që duket i marrë nga faqet e një romani të Franz Kafkës, dhe që tregon përmasat e represionit gjyqësor në një vend ku drejtësia përdoret gjithnjë e më hapur si armë politike.

Sipas aktakuzës, Imamoglu përballet me 142 akuza, ka 402 bashkëpunëtorë të dyshuar, dhe dosja përmban plot 3.900 faqe. Ai është arrestuar në mars të këtij viti, pak ditë para se të shpallej zyrtarisht si kandidat për president në emër të Partisë Republikane të Popullit (CHP), forca kryesore opozitare në vend.

Nga kryebashkiak i Stambollit në “armik të shtetit”

Ekrem Imamoglu, 54 vjeç, akuzohet për drejtimin e një “organizatë kriminale”, për marrje ryshfeti, pastrim parash dhe manipulim tenderësh publikë. Një tjetër hetim e lidh atë me “aktivitet spiunazhi”, duke pretenduar se ka kërkuar fonde nga jashtë gjatë fushatës elektorale.

Prokurori Akin Gürlek e përshkruan organizatën e tij si një “oktapod që ka mbështjellë Stambollin”, të njëjtën metaforë që, dikur, vetë Erdogan e përdori për ta përshkruar qytetin kur ai e drejtonte.

Nga Stambolli, në vitin 1994, nisi ngjitja politike e Erdogan-it. Sot, i njëjti qytet është bërë simboli i rezistencës ndaj tij.

Mandati aktual i presidentit përfundon në 2028, dhe sipas kushtetutës, ai nuk mund të kandidojë sërish pa ndryshime ligjore apo zgjedhje të parakohshme, një skenar që shumë analistë e lidhin me përpjekjet për të neutralizuar Imamoglu.

Fitoret që tronditën pushtetin

Si kryebashkiak i Stambollit, Imamoglu ka fituar tre zgjedhje radhazi, çdo herë kundër kandidatëve të mbështetur nga pallati presidencial. Ai përfaqëson një rrezik të dyfishtë për Erdoganin: nga njëra anë, është një figurë moderate dhe urbane, që arrin të flasë edhe me elektoratin konservator; nga ana tjetër, përbën kërcënimin më të madh për kontrollin e pushtetit mbi Stambollin, zemrën politike dhe ekonomike të Turqisë.

Që prej vitit 2019, nën drejtimin e tij, qyteti është bërë një vitrinë alternative ndaj modelit të qeverisjes së AKP-së: administratë efikase, ton i matur, dhe një vizion shtetëror më i hapur e pluralist. Pikërisht për këtë arsye, shumë shohin në Imamoglu-n shpresën e fundit për një ndryshim demokratik real në Turqi.

Kreu i CHP-së, Özgür Özel, e ka cilësuar rastin si “një grusht shteti civil”. Në një fjalim në parlament, ai ka deklaruar se Imamoglu do të mbetet kandidati zyrtar i partisë për zgjedhjet presidenciale të ardhshme, pavarësisht përpjekjeve për ta ndaluar me procedura gjyqësore.

Nga ana tjetër, qeveria mohon çdo motiv politik dhe e justifikon procesin si pjesë të “luftës kundër korrupsionit”. Megjithatë, kronologjia e hetimeve tregon të kundërtën: çdo herë që Imamoglu afrohet me një garë zgjedhore, hapet një dosje e re kundër tij.

Drejtësia si zgjatim i pushtetit

Ky nuk është rasti i parë kur sistemi gjyqësor turk shihet si vegël e pushtetit politik. Pas zgjedhjeve lokale të vitit 2024, ku CHP ruajti kontrollin mbi qytetet kryesore si Stambolli, Izmiri dhe Ankaraja, dhjetëra kryetarë bashkish e zyrtarë lokalë të opozitës u arrestuan ose pezulluan nga detyra. Tani, kërkesa për 2.352 vite burg ndaj Imamoglu-s shihet si një mesazh i qartë politik: “Kurrë më”.

Nga burgu, Imamoglu ka dërguar një mesazh të shkurtër që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale: “Rri në këmbë. Nuk do të përkulem.”

Një frazë që po kthehet në slogan për mijëra qytetarë turq që besojnë ende se demokracia në vendin e tyre mund të ringjallet edhe përballë një dënimi që zgjat më shumë se vetë historia. /Përshtati “Pamfleti” nga “Il Foglio”

3 Komente

  1. P
    PIR-SULTAN

    Ekonomi e madhe, buxhet i madh, parlament i madh (600), tokë e madhe (do të jetë më e madhe), bukë e madhe, qytete të mëdha, krime të mëdha, ndëshkime të mëdha dhe zbritje të mëdha penalitetesh. Shifra të mëdha në para! Çdo gjë është thjesht shumë e madhe! Sulltani duhet ta bëjë këtë për 4000 vjet! Burgosja e çdo opozite është mënyra se si ai e përdor "politikën demokratike"! Por stili i tij është demokracia! Era ka ndryshuar drejtim dhe kundërshtarët e tij do të mendojnë "të mëdhenj" për të këtë herë :-) Ata thonë: "Nëse mbjell erë, korr stuhi"

    1. T
      Tony

      Mire e ke por stuhia sjell shume peshq ne tigan per alabaket.

    2. T
      Tony Politiqeni

      NUk e di pse keni ambasada me keta qelbesirat Otomane, pse? Sa naive paskemi qene kur na dukeshin si goja grash fshati 3 mundesite e perfundimit te Shqiperise pas Dhjerokracise. 1) Shqiperia te bashkohej me ish mutin Ottomanet. 2) Shqiperia te copetohej nga qelbesirat fqinje e te zhdukej. 3) Te behej Shqiperia e Madhe (nje mut). Dikur i kane pas thene: " O katnar kry parure, me te rrjep 7 lekurei qytetar nuk behesh kurre. Ne se me gjeni nje Shqiptar qe eshte me shume se 3 breza qytetar me varni ne mes te Tirones. Cfare mund te presesh nga injoranca e padituria qe edhe kur i shet vellait te vet 1kg fiq i ha ne kandar.

      Lini një Përgjigje