
Për buxhetin e ardhshëm, Trump ka kërkuar shumën astronomike prej 1.5 trilion dollarësh. Në vitet 1944 dhe 1945, me vlerën e sotme, u buxhetuan 1.4 trilion dollarë...
Asnjëherë, madje as gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shpenzuar kaq shumë për forcat e tyre të armatosura. Shifra astronomike e kërkuar nga presidenti Donald Trump për buxhetin e ardhshëm, 1.5 trilion dollarë, tejkalon madje edhe atë prej 1.4 trilion dollarësh në vit (e përshtatur me vlerën e sotme) të viteve 1944 dhe 1945, në kulmin e konfliktit.
Shpenzimet ushtarake të SHBA-së kanë pasur gjithmonë një ecuri të luhatshme. Kjo edhe sepse deri në vitin 1940 forcat e armatosura kishin pak ushtarë: mobilizimet gjatë luftërave ndiqeshin nga demobilizime të shpejta pas përfundimit të tyre.
Kështu, nga tetë miliardë dollarë në vitin 1916 u arrit në 181 miliardë në vitin 1919 (Lufta e Parë Botërore), për t’u rikthyer më pas në dhjetë miliardë në vitin 1924.
Në vitin 1935 shpenzimet ishin 16 miliardë dollarë dhe u shumëfishuan vetëm pas Pearl Harbor: nga 121 miliardë në vitin 1941 në 439 miliardë në vitin 1942.
Në vitin 1948 shpenzimet kishin rënë sërish në 104 miliardë, por pesë vjet më vonë lufta e Koresë i çoi në 529 miliardë. Lufta e Ftohtë dhe qindra baza të ndërtuara në të gjithë botën e mbajtën buxhetin rreth 400 miliardë dollarë deri në periudhën e luftës në Vietnam, në vitin 1968.
Më pas pati një tjetër rënie deri në 436 miliardë dollarë gjatë presidencës së Jimmy Carter në vitin 1977, e ndjekur nga një rritje e fortë gjatë viteve ’80 nën Ronald Reagan, kur arriti në 671 miliardë.
Rënia e komunizmit solli të ashtuquajturat “dividendë të paqes”: 444 miliardë dollarë nën Bill Clinton në vitin 1999. Por luftërat në Afganistan dhe Irak gjatë presidencës së George W. Bush e dyfishuan shpenzimin në 800 miliardë dollarë, për të zbritur më pas në 646 miliardë gjatë presidencës së Barack Obama.
Trump, që në fillim të mandatit të tij, e rriti sërish në 850 miliardë në vitin 2020, për të arritur tani në 1.5 trilion dollarë. Një shifër e jashtëzakonshme, që shërben për të mbajtur dy milionë e gjysmë ushtarë. Por mbi të gjitha për të prodhuar armatime gjithnjë e më të kushtueshme.
Në vitet ’80, studiuesja britanike Mary Kaldor llogariti në librin e saj “Arsenale barok” se, me ritmin e rritjes së çmimeve për anije, avionë dhe raketa, një ditë për të ndërtuar një aeroplanmbajtëse do të nevojitej buxheti vjetor i një fuqie të mesme si Italia. Sot, ky parashikim është pothuajse realitet. Përveç nëse revolucioni i dronëve e ndryshon këtë prirje./Përshtati “Pamfleti” nga “Huffpost”
Lini një Përgjigje