
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmussen, i cili është në Konferencën e Sigurisë në Mynih, deklaroi se Britania dhe Franca duhet të udhëheqin një forcë prej 100,000 trupash si pjesë e një përpjekjeje afatgjatë paqeruajtëse në Ukrainë kur të përfundojë lufta.
"Një numër vendesh evropiane duhet të bëjnë hapa përpara. Ne duhet të krijojmë një koalicion të vullnetarëve nën udhëheqjen e Francës dhe Britanisë së Madhe për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën dhe për të vendosur trupa në tokën ukrainase" tha ai, gjatë një interviste për Newsnight të BBC-së.
Ai thotë se do t'i lihet ekspertëve ushtarakë të përcaktojnë numrin e saktë, por vlerëson se duhet të dislokohen diku midis 50,000 dhe 100,000 trupa.
I pyetur nëse ky do të duhej të ishte një angazhim pa fund, ai thotë se vendosjet e tjera të ngjashme kishin zgjatur për dekada dhe kështu ne duhet të jemi më të durueshëm.
Rasmussen, gjithashtu një ish-kryeministër danez, sugjeron që Gjermania, Holanda, Polonia dhe shtetet baltike mund t'i bashkohen gjithashtu këtij koalicioni - duke shtuar se SHBA mund të mbështesë përpjekjet paqeruajtëse pa trupa në terren duke ofruar transport dhe mbikëqyrje.
Lini një Përgjigje