TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Shkurt 2025, 19:12

Depozitat e mëdha të gazit në det, arsyeja tjetër pse Trump e do me çdo kusht Gazën

Shkruar nga Mohamed Abu Shahma

Depozitat e mëdha të gazit në det, arsyeja tjetër pse Trump

Nën ujërat e detit përballë Gazës gjenden fusha gazi të pashfrytëzuara, të cilat mund t’i interesojnë presidentit amerikan më shumë se hotelet dhe plazhet.

Në territorin e Rripit të Gazës, nuk ka gjë tjetër veçse shtëpi të shkatërruara, tonelata të panumërta rrënojash, fusha bujqësore të rrafshuara dhe zero prodhim ekonomik. Kjo është panorama pas 15 muaj luftë. Por këto janë çështje që nuk e shqetësojnë aspak Donald Trumpin.

Sytë e presidentit të SHBA-së janë përqendruar tek deti dhe pasuria ekonomike e pashfrytëzuar që ai fsheh poshtë, pra brenda potencialit të madh të fushave të gazit.

Ai u shfaq papritmas shumë i interesuar për Gazën, një zonë e vogël e shkatërruar nga ushtria izraelite. Sa herë që ka folur për të  2 javët e fundit, ai e përshkruan Gazën si pjesë të një marrëveshje ekonomike, duke folur për të njëlloj si për Kanadanë, me sipërfaqen e saj të madhe dhe Grenlandën, ishullin më të madh në botë.

Në një raport të botuar nga The Wall Street Journal më 5 shkurt, burimet amerikane zbuluan se Trump e përshkroi Gazën gjatë një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si “pronën e paluajtshme kryesore”, duke i kërkuar atij që të kishte parasysh llojet e hoteleve dhe resorteve që mund të ndërtoheshin atje.

Që nga ai moment, ka folur vazhdimisht për dëbimin e popullsisë palestineze nga Gaza për t’i hapur rrugë vizionit të tij për një destinacion të ri turistik si një “Rivierë” e re në Mesdhe. Por Trump ka në mendje një marrëveshje tjetër.

Nën ujërat e detit përballë Gazës gjenden fusha gazi të pashfrytëzuara, të cilat mund t’i interesojnë presidentit amerikan më shumë se hotelet dhe plazhet. Fusha “Gaza Marine” në Mesdheun Lindor, e zbuluar nga British Petroleum që në vitin 1999, ndodhet 36 kilometra në perëndim të bregut të Gazës, duke u shtrirë një sipërfaqe mbi 1000 kilometra katrorë.

Sipas të dhënave nga Fondi i Investimeve të Palestinës, krahu ekonomik i Organizatës për Çlirimin e Palestinës, rezervat e gazit në fushën “Gaza Marine” vlerësohen në afro 31 miliardë metra kub. Kjo fushë mund të kontribuojë në arritjen e vetë-mjaftueshmërisë energjetike, duke e reduktuar varësinë nga burimet e importuara të energjisë.

Kostot e zhvillimit të saj vlerësohen në rreth 1.4 miliardë dollarë. Fusha e gazit ka mbetur e pashfrytëzuar që pas zbulimit të saj. Ajo është e para e zbuluar në këtë pjesë të Mesdheut, para fushës së gazit egjiptian dhe izraelit, duke i nxitur vendet e Mesdheut Lindor që të shpeshtojnë kërkimet në zonë.

Në vitin 1999, Autoriteti Palestinez i dha British Gas (BG Group) dhe partnerit të tij, Consolidated Contractors Company (CCC), licencën për 90 për qind të aksioneve për eksplorimin e gazit natyror në brigjet e Gazës, miratuar nga presidenti i ndjerë palestinez Yasser Arafat.

Sipas marrëveshjes, kompania kreu studime sizmike dhe shpoi 2 puse në fillim të vitit 2000 për të gjetur burimet e gazit natyror, duke çuar në zbulimin e fushës “Gaza Marine” në një thellësi prej 603 metrash nën nivelin e detit, 22 milje në perëndim të Gazës.

Ky zbulim u dha shpresë palestinezëve për burime të konsiderueshme të ardhurash, një nxitje të konsiderueshme për ekonominë palestineze, të ardhura shtesë për qeverinë dhe për krijimin e mundësive të shumta të punësimit.

Pranë fushës “Gaza Marine” ndodhet një fushë tjetër, “Marine 2”, me përmasa më të vogla, me një rezervë prej rreth 3 miliardë metra kub. Krahas “Gaza Marine” dhe Marine 2”, Izraeli zbuloi në vitin 2000 fushën “Maria-B” me ndihmën e kompanisë amerikane Noble Energy.

Kjo fushë, ishte në atë kohë një nga burimet kryesore të furnizimit me gaz në tregun izraelit të energjisë, edhe pse prodhimi intensiv çoi në shterimin e shpejtë të saj.

Ekonomisti Mohamed Maqdad vlerëson se të ardhurat e gazit palestinez mund t’i tejkalojnë 500 milionë dollarët në vit, dhe kjo do të thotë se Rripi i Gazës nuk do të ketë më nevojë për ndihmën ndërkombëtare.

Por gazi i Gazës nuk është i vetmi burim i pashfrytëzuar në Mesdheun Lindor. Studimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) zbuloi më parë praninë e dy pellgjeve: Basenit të Levantit dhe Basenit të Deltës së Nilit. Këto studime përfshinin vlerësime të burimeve natyrore të nxjerra brenda tyre.

Egjipti, një nga vendet e Mesdheut Lindor që kufizohet me Gazën, ka rezerva gazi  të vlerësuara në rreth 8.5 trilion metra kub, sipas Shërbimit Informativ Shtetëror Egjiptian. Hassan Nafaa, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kajros, thotë se fushat e pashfrytëzuara të gazit në ujërat e Gazës, janë një nga arsyet prapa politikave të SHBA-së, sidomos duke pasur parasysh rezervat e tyre të mëdha.

Por Nafaa shton se deklaratat e Trump për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza janë “një paralajmërim edhe për zhvendosjen e popullsisë së Bregut Perëndimor, duke treguat se presidenti amerikan është më i përkushtuar ndaj projektit sionist sesa vetë kryeministri izraelit Netanyahu, prandaj deklaratat e tij duhet të merren seriozisht”.

Nafaa beson se planet e Trump janë të parealizueshme, duke pasur parasysh vendosmërinë e jashtëzakonshme të palestinezëve për të luftuar për tokën e tyre dhe për të qëndruar në Palestinë deri në vdekje. “Kjo vendosmëri është pengesa kryesore kundër të gjitha skemave amerikano-izraelite të zhvendosjes së tyre”, thekson ai./Përshtati “Pamfleti” nga “Worldcrunch”

Lini një Përgjigje