Të shtënat e së shtunës ndodhin pas një muaj pas asaj që autoritetet amerikane e cilësuan si një tentativë për atentat ndaj presidentit, më 25 prill, gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në një hotel në Uashington.

Një person i armatosur u vra mbrëmjen e së shtunës pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan dhe FBI-së pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, kanë konfirmuar autoritetet amerikane.
Sipas mediave amerikane, i dyshuari është identifikuar si Nasire Best, 21 vjeç, i njohur më parë nga Shërbimi Sekret dhe me histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Sipas Shërbimit Sekret, pak para orës 18:00 me orën lokale, i riu nxori një armë nga çanta dhe hapi zjarr. Agjentët iu kundërpërgjigjën menjëherë, duke e plagosur rëndë autorin, i cili më vonë u shpall i vdekur në spital.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se një kalimtar mbeti i plagosur gjatë incidentit, por nuk janë dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Asnjë efektiv i Shërbimit Sekret nuk u lëndua gjatë përplasjes.
Nasire Best kishte tentuar të hynte në Shtëpinë e Bardhë në korrik të vitit 2025 dhe ishte arrestuar pranë saj nga agjentët federalë. Pas arrestimit, ai kishte kaluar një periudhë në një institucion psikiatrik.
Sipas të njëjtave burime, 21-vjeçari jetonte në Uashington prej rreth 18 muajsh dhe përdori një revolver gjatë sulmit.
Presidenti Donald Trump ishte brenda Shtëpisë së Bardhë por nuk u vu kurrë në rrezik. Sipas burimeve hetimore, ai kishte postuar më parë në mediat sociale se donte t'i dëmtonte Trump.
Drejtori i FBI-së, Kash Patel, publikoi një mesazh ku tha: “FBI ndodhet në vendngjarje dhe po mbështet Shërbimin Sekret në reagimin ndaj të shtënave pranë kompleksit të Shtëpisë së Bardhë do të informojmë publikun sapo të kemi më shumë të dhëna.”
Chris Flanagan, prezantues i kanalit lokal DC News Now, i cili u strehua në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë, raportoi se ishin dëgjuar rreth 30 të shtëna, ndërsa masat e bllokimit të sigurisë më pas u hoqën.
Një producent i CBS News vlerësoi gjithashtu se ishin qëlluar të paktën 20 plumba.
Ngjarja ndodh më pak se tre javë pas një incidenti tjetër, kur një person i armatosur hapi zjarr ndaj një agjenti të Shërbimit Sekret pranë itinerarit të autokolonës së JD Vance, jashtë Shtëpisë së Bardhë.
“Një civil që ndodhej pas agjentit mbeti i plagosur në këmbë”, njoftoi Departamenti i Drejtësisë. Agjentët iu kundërpërgjigjën sulmit, duke plagosur autorin në dorë, krahun e majtë dhe në pjesën e sipërme të barkut.
Të shtënat e së shtunës ndodhin gjithashtu afro një muaj pas asaj që autoritetet amerikane e cilësuan si një tentativë për atentat ndaj presidentit, më 25 prill, gjatë darkës vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë në një hotel në Uashington.
Lini një Përgjigje