Bashkëshortja e kreut të Policisë së Shtetit, Zhanina Proda, e emëruar në krye të Drejtorisë së Tokave në Qarkun Tiranë, ka firmosur qindra ndarje të paligjshme me dokumente të falsifikuara. Ndërsa policia mban dosjet në sirtar, drejtësia hesht dhe grabitja vazhdon...
Vetëm gjatë periudhës nëntor 2024 – maj 2025, në Seksionin për Krimet kundër Pasurisë të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë, janë depozituar 93 denoncime nga qytetarë dhe nga komisariatet e Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe Rrogozhinës, me objekt grabitje tokash përmes falsifikimeve të kryera nga njësitë vendore në bashkëpunim me zyrtarët e Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokave (DAMT) në Këshillin e Qarkut Tiranë.
Policia nuk ka nisur asnjë veprim verifikues për këto denoncime dhe nuk i ka referuar asnjë prokurorisë, për shkak se drejtoresha e kësaj strukture është Zhanina Proda (Bajrami), bashkëshortja e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda.
Zhanina Proda është autoriteti përgjegjës për administrimin e tokave në territorin e Bashkisë së Tiranës, Vorës, Kamzës, Kavajës dhe Rrogozhinës, ku janë konstatuar 340 raste me parregullsi ligjore, falsifikime dhe vendime të paligjshme. Edhe pse ndarja e tokës në këtë qark ka përfunduar prej vitesh me akt-marrëveshje pronësie, drejtoresha Proda ka nisur një proces të ri aplikimesh me vërtetime e vetëdeklarime të banorëve dhe zaptuesve të tokave, përmes Formularit Nr. 6 dhe bazuar në periudha para dhe pas vitit 1946.
Një raport i auditit të Ministrisë së Bujqësisë i muajit shkurt 2025, i trajtuar zyrtarisht më 30 prill, evidenton grabitjen e 427 hektarëve tokë nga fondi shtetëror në njësitë administrative Dajt, Kashar, Baldushk, Farkë, Petrelë, Zall-Herr, Vorë, Vaqarr, Pezë, Ndroq dhe në bashkitë Kavajë dhe Rrogozhinë. Këto sipërfaqe janë rindarë përmes akteve të reja dhe dokumenteve të falsifikuara të trashëgimisë, të cilat janë pranuar, azhornuar dhe miratuar me urdhra të drejtpërdrejtë nga Zhanina Proda.
Në një mbledhje të Ministrisë së Bujqësisë me drejtues të policisë dhe DAMT, ku u trajtuan këto abuzime, përfaqësuesit e Policisë së Qarkut Tiranë nuk paraqitën asnjë nga 93 denoncimet për grabitjet e tokave, duke mbajtur qëndrim të heshtur dhe mospërfillës. Po ashtu, raporti i auditit i KLSH-së në gusht 2023, për njësitë administrative Petrelë, Dajt, Zall-Herr dhe Farkë, zbuloi 53 raste të ndarjes së paligjshme të tokave, përmes AMTP-ve të falsifikuara, akteve të trashëgimisë dhe vetëdeklarimeve të rreme. Zhanina Proda ka refuzuar të zbatojë rekomandimet dhe detyrat e lëna nga KLSH.
Sipas burimeve zyrtare, drejtoresha Proda ka bashkëpunuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me persona që kanë përfituar toka dhe më pas kanë ndërtuar pallate, vila, resorte dhe komplekse banimi, ose ka vepruar me diktat nga drejtues politikë të qarkut dhe të qeverisë. Për më tepër, ajo ka përdorur edhe studion e saj private “Diva” me dy licenca aktive për projektim (Nr. A.1091, datë 06.02.2012 dhe Nr. A.1091/1, datë 14.05.2018), për të hartuar projekte për përfituesit e paligjshëm.
Emërimi i Zhanina Prodës si drejtoreshë e Administrimit të Tokave në Qarkun Tiranë është bërë pas një “karriere” të gjatë në pozicione të ngjashme, përfshirë ALUIZNI-Tiranë Urban dhe Rural, ALUIZNI Tiranë 5 dhe më vonë në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës. Ndërkohë që policia nuk reagon ndaj këtij rrjeti abuziv dhe falsifikues, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me drejtuesin e saj të lartë, bashkëshortin e saj, Ilir Proda, skema e grabitjes së tokave po vazhdon pa asnjë pengesë./Pamfleti
Lini një Përgjigje