TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia30 Dhjetor 2024, 21:27

Udhëzimi i Dumanit/ SPAK “gjueti” për telefonat e politikës, si do përdoret teknologjia për të zbuluar milionat e pushtetarëve

Shkruar nga Pamfleti
Udhëzimi i Dumanit/ SPAK “gjueti” për telefonat e
Altin Dumani

“Pamfleti” prej dy ditësh ka nxjerrë detaje nga një udhëzim i firmosur nga Altin Dumani, mbi hetimin financiar të subjekteve të SPAK, pra të pushtetarëve dhe grupeve kriminale. Sot po japim detaje mbi provat digjitale të cilat do të kërkohen nga SPAK.

Skema që po ndjek SPAK kohët e fundit, duke sekuestruar celularët, kompjuterët dhe pajiset teknologjike, ka futur në panik pushtetarët.

Ilir Meta sot është në burg vetëm nga një telefon që u gjet në banesën e nënës së Monika Kryemadhit. Po ashtu dhe në shumë raste të tjera, janë ngritur akuza ndaj pushtetarëve falë të dhënave që janë gjetur në pajisjet elektronike.

Por SPAK duket se do të përdorë këtë metodë proaktive, për të shkuar dhe te pasuritë e politikës dhe të botës së krimit. “Pamfleti” prej dy ditësh ka nxjerrë detaje nga një udhëzim i firmosur nga Altin Dumani, mbi hetimin financiar të subjekteve të SPAK, pra të pushtetarëve dhe grupeve kriminale.

Sot po japim detaje mbi provat digjitale të cilat do të kërkohen nga SPAK. Në nenin 16 thuhet se prokurorët dhe hetuesit përdorin metoda të avancuara dhe specifike për sigurimin, ruajtjen dhe analizimin e provave digjitale në respektim të Kodit të Procedurës penale, me qëllim mbledhjen e provave në mënyrë të sigurt, të plotë dhe të pandryshueshme. Shembuj të këtyre teknikave dhe metodave janë: Këqyrja digjitale, e cila konsiston në këqyrjen dhe analizimin e pajisjeve elektronike dhe sistemeve kompjuterike për të gjetur, ruajtur dhe analizuar të dhënat digjitale. Kjo përfshin skanimin e hard diskut, analizën e sistemeve të llogarive elektronike dhe të dhënat e ruajtura në cloud.

Një tjetër metodë që do të përdorë SPAK është përdorimi i teknologjive të enkriptimit për të mbrojtur të dhënat digjitale gjatë transmetimit dhe ruajtjes, duke siguruar që të dhënat të jenë të paaksesueshme nga persona të paautorizuar. Apo  krijimi i një kopje saktë të një memorie (klonimi), si për shembull një hard disk ose një kartë memorie, për të siguruar që të dhënat origjinale të mbeten të pandryshuara gjatë procesit të analizës.

Në udhëzim kërkohet përdorimi i mjeteve për të monitoruar dhe analizuar trafikun në rrjetet kompjuterike për të identifikuar veprimtari të dyshimta ose transaksione të paligjshme. Po ashtu do përdoren teknikat që lejojnë dekodimin dhe analizën e mesazheve të enkriptuara për të zbuluar përmbajtje të fshehur ose informacione kyçe për hetimin. Me pak fjalë SPAK do shkojë dhe te aplikacionet e koduara.

Dumani bën me dije se programe kompjuterike të veçanta që janë zhvilluar për të ndihmuar në analizën e të dhënave komplekse, identifikimin e modeleve ose veprimtarive të dyshimta dhe nxjerrjen e informacioneve të rëndësishme nga baza të mëdha të të dhënave.

Çdo mbledhje e provave digjitale duhet të kryhet nga personel i trajnuar dhe i certifikuar në fushën e kibernetikës dhe sigurisë digjitale për të minimizuar rrezikun e dëmtimit ose ndryshimit të të dhënave. . Provat digjitale duhet të ruhen në mjedise të sigurta dhe të enkriptuara për t'i mbrojtur nga ndërhyrjet e paautorizuara dhe humbja e të dhënave. Prokurori ose hetuesi duhet të krijojnë rregullisht kopje rezervë (backups) të provave digjitale dhe t'i ruajnë ato në vende të ndryshme për të siguruar ruajtjen e tyre afatgjatë. I gjithë procesi i mbledhjes dhe ruajtjes së provave digjitale duhet të dokumentohet hollësisht, duke përfshirë datën, orën, metodat e përdorura për mbledhjen dhe çdo veprim që është kryer me provat. Dokumentimi duhet të përfshijë gjithashtu identifikimin e personelit që ka kryer mbledhjen dhe ruajtjen e provave, si dhe çdo masë sigurie që është marrë gjatë këtyre proceseve”, thekson udhëzimi.

Në udhëzim jepen dhe metoda të tjera për të shkuar te provat, që nga simulimi, mbikëqyrja apo gjurmimi i llogarive. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje