SPAK e ka detyrim të hetojë se në çfarë mënyre dhe me çfarë letrash i ka marrë trafikanti Roland Ziu, 22 mijë m2 tokë shteti për ndërtimin e Terminalit Jug-Lindor koncesion me afat 30 vite; si e ka marrë Kepin e Rodonit bashkë me Bled Çuçin, dhe ku do t’i gjejnë 150 milionë Euro për investimin e portit të veliera- jahteve- skafeve dhe kompleks rezidencial vilash, restorantesh e hotelesh te Kepi i Rodonit...
Në listën e lejeve të ndërtimit për kulla, pallate, vila, ferma e resorte, që kryeministri Edi Rama firmosi më 18 tetor 2023, Leja nr. 52 i është dhënë kompanisë “Praslin Investment”, për ndërtim port jahtesh dhe kompleks rezidencial vila, hotele e bar-restorante te Kepi i Rodonit në Durrës.
Sipas regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit, rezulton se kompania “Praslin Investment Sh.p.k” që ka marrë këtë leje ndërtimi e investimi, me letra është 100% në pronësi të shtetasit Roland Ziu, trafikantit ndërkombëtar i kokainës e qenieve njerëzore.

Po sipas regjistrit të Qendrës së Biznesit, trafikanti Roland Ziu aktualisht në kërkim nga “Interpol” për llogari të 3 shteteve të BE e 2 shteteve të tjera, është ortak me ish-ministrin Bledar Çuçi në biznesin e velierave, jahteve e skafeve “Albanian Sailing Club Sh.p.k” me adresë “Kepi i Rodonit”, krijuar më 20 qershor 2019, të deklaruar si gjoja shoqatë sportive e mjedisore detare.
Por sipas informacionit që ka SPAK dhe po gjurmohet nga Byroja Kombëtare e Hetimit, nën mbikëqyrjen e hetuesve të FBI që janë brenda saj, thuhet se ministri Bledar Çuçi dhe trafikanti Roland Ziu kanë ortakëri të fshehtë dhe në këto 2 koncesione:
1. Te investimi strategjik koncensionar 35-vjeçar “Porti i Jahte-Velierave “Marina Kepi i Rodonit” në Durrës; për të cilin, më 18 tetor 2023, kryeministri Edi Rama i dha leje për ndërtim porti të jahte-velierave, vilave, restoranteve e hoteleve.
2. Te koncesioni 30-vjeçar i Terminalit Jug-Lindor të Udhëtarëve të zonës Tiranë-Elbasan-Pogradec-Korçë-Ersekë, dhënë nga Babloku e Lali Eri, i ndërtuar mbi 22 mijë m2 tokë pronë shteti, të cilën Bledar Çuci kur ishte Ministër i Bujqësisë, e hoqi nga inventari i shtetit; dhe me letra false e ka marrë ortaku i tij trafikant Roland Ziu, sikur gjoja e ka blerë nga fshatarët e zonës.
Ndërsa së fundi, me leje ndërtimi të dhënë nga kryeministri Edi Rama, dy ortakët Roland Ziu e Bledar Çuçi, kanë nisur investimin e vlerë 110 milionë Euro për ndërtimin e portit të veliera-jahteve-skafeve dhe kompleks rezidencial vilash, restorantesh e hotelesh te Kepi i Rodonit, të cilin e kanë marrë falas si investitor strategjik.
Saktësojmë, se trafikanti investitor strategjik Roland Ziu, ka qenë pjesë e grupit mafioz të trafikut ndërkombëtar të kokainës e qenie njerëzore, bashkë me trafikantët investitorë strategjik Gjergj Luca e Pëllumb Gjoka, ky i fundit i arrestuar si porositës vrasjesh me pagesë.
SPAK e ka detyrim të hetojë se në çfarë mënyre dhe me çfarë letrash i ka marrë trafikanti Roland Ziu, 22 mijë m2 tokë shteti për ndërtimin e Terminalit Jug-Lindor koncesion me afat 30 vite; si e ka marrë Kepin e Rodonit bashkë me Bledar Çuçin, dhe ku do t’i gjejnë 150 milionë Euro për investimin e portit të veliera-jahteve-skafeve dhe kompleks rezidencial vilash, restorantesh e hotelesh te Kepi i Rodonit./Pamfleti
Lini një Përgjigje