TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia22 Tetor 2023, 10:35

Skeda/ 15 dokumenta e dëshmi, që çuan në pranga Jamarbër Malltezin dhe izoluan Saliun brenda kufijve

Shkruar nga Pamfleti
Skeda/ 15 dokumenta e dëshmi, që çuan në pranga
Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha

Brenda 5 ditësh më 21-26 mars 2007, janë marrë 5 vendime nga Komisioni i Kthim-Kompensimit të Pronave, për kthimin e truallit të kompleksit “Partizani”, sipas skemës dhe ndarjes së pjesëve që kishte përcaktuar dhëndri i Sali Berishës me ortakun Fatmir Bektashi

Kallëzimi i Taulant Ballës për kompleksin “Partizani” dhe Procedimi Penal nr. 287, datë 1.12.2020 nga prokurori i SPAK, Arben Kraja, ishin pikënisja për hetimin e ndërtuesit Jamarbër Malltezi e vjehrrit të tij, ish-kryeministrit Sali Berisha.

Më 10 shtator 2022, BKH përfundoi fazën e grumbullimit të provave të kësaj afere shtetërore me përfitues dhëndrin e Sali Berishës; më 21 shtator, SPAK filloi marrjen e dëshmive nga ish-ministrat, ndërsa më pas bëri analizën e provave dhe ndërtoi akuzën.

Nga burime brenda Byrosë Kombëtare e Hetimit, “Pamfleti” ka siguruar dhe po publikon dokumentet e dëshmitë kryesore, që çuan në pranga Jamarbër Malltezin dhe izoluan Sali Berishën brenda kufijve të Shqipërisë, duke i sekuestruar pasaportën.

Ja 15 nga dokumentet dhe dëshmitë që ka përdorur SPAK:

1. Shkresa Nr. 280/1, datë 31.10. 2005 e Ministrit të Ekonomisë, Genc Ruli, drejtuar Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me objekt: “Propozim për privatizimin e kompleksit “Partizani”.

2. Shkresë-Përgjigje Nr. 9549, datë 14.11.2005 e ministrit Fatmir Mediu, kthyer ministrit Genc Ruli, me objekt pranimin e propozim-kërkesës për heqjen e kompleksit “Partizani” nga inventari pronave të ushtrisë dhe privatizimin e tij.

3. Pesë vendimet e marra brenda 5 ditësh nga Komisioni i Kthim-Kompensimit të Pronave: konkretisht, Vendimet Nr. 5. Nr. 6 e Nr. 7 të datës 21 Mars 2007; Vendimi Nr. 8 i datës 23 mars 2007 dhe Vendimi Nr. 9 i datës 26 mars 2007, për kthimin e truallit të kompleksit “Partizani”, sipas skemës dhe ndarjes së pjesëve që kishte përcaktuar dhëndri i Sali Berishës.

4. Shkresë Nr. 638/2, Nr. 638/3 dhe Shkresë Nr. 638/4, datë 29.08.2007, që ish-Presidenti Bamir Topi 1 muaj pas marrjes së detyrës, i dërgoi kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave Mediu e Ruli, që kompleksi “Partizani” hiqej nga inventari i ushtrisë.

5. Urdhri Nr. 50/1, datë 3.09.2007 i ministrit Genc Ruli, për miratimin e privatizimit të kompleksit “Partizani” dhe fillimin e procedurave të shitjes.

6. Vendim i Qeverisë Nr. 794, datë 21 nëntor 2007, firmosur nga ish-kryeministri Sali Berisha, me objekt: “Kriteret e vlerësimit të pronës shtetërore që privatizohet dhe procedura e shitjes”, shoqëruar me akte në favor të grabitjes nga dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.

7. Urdhri nr. 9508, datë 18 dhjetor 2007 i Genc Rulit, nxjerrë 1 muaj pas vendimit të qeverisë, për ngritjen e Komisionit të Vlerësimit të kompleksit “Partizani” me qëllim privatizimin e tij.

8. Njezetë e tre shkresat që gjeneral Vladimir Qirjazi i ka dërguar ministrave Fatmir Mediu, Gazmend Oketa e Arben Imami dhe 6 shkresat që i ka dërgar kryeministrit Sali Berisha e presidentit Bamir Topi, me refuzimin e privatizimit si akt i paligjshëm e me letra pronësie false.

9. Lista e përfituesve të truallit të kompleksit “Partizani”, ku nr. 22 është Jamarbër Malltezit, i cili kishte 1/64 pjesë të truallit, ndërsa 1 javë pas privatizimit, doli pronar me 1/3 e sipërfaqes.

10. Akti i Ekspertimit datë 17 qershor 2008 për vlerën e kompleksit “Partizani” me çmime false.

11. Dëshmia me 28 faqe dhe 113 fashikuj dokumente zyrtare, dhënë në SPAK nga ish-Ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu me 21 shtator 2022.

12. Dëshmia me 18 faqe dhe 52 fashikuj dokumente zyrtare dhënë nga SPAK nga ish-Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa më 22 shtator 2022.

13. Dëshmia me 52 faqe dhe 223 faqe fashikuj dokumente zyrtare dhënë SPAK nga ish-Shefi i Komandës së Mbështetjes Logjistike të Ushtrisë, Vladimir Qirjazi më 26 shtator 2022.

14. Dëshmia me 26 faqe dhe 86 fashikuj dokumente zyrtare, dhënë në SPAK nga ish-Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli më 27 shtator 2022

15. Dëshmia me 16 faqe dhënë nga ish-Drejtori i Klubit “Partizani” Isa Tare më 21 dhjetor 2022.

Po kështu, SPAK ka marrë si prova, të dhënat nga Arkiva Qendrore, Kadastra dhe Qëndra Kombëtare e Biznesit, lidhur me mënyrën e pëfitimit nga Jamarbër Malltezi, të pronësisë së 33% të truallit dhe ortakërisë së aksioneve 35% në kompanitë “Homeplan Sh.p.k” e “Kontakt Sh.p.k” të kullave me ndërtuesin Fatmir Bektashi./Pamfleti

 

jamarbër malltezi sali berisha

Lini një Përgjigje