Paçka se janë miq e ortakë të Bablokut, përveç Pëllumb Gjokës, SPAK duhet të prangosë dhe Gjergj Lucën e Roland Ziun, si bashkë-trafikantë, eleminues rivalësh e pastrues parash; dhe t’i rikthehen shtetit pasuritë e koncesionet që këta kanë marrë falas nën maskën e investitorëve strategjikë...
Po e fillojmë me 2 fakte, që lidhen me trafikantë të një grupi me aktivitet ndërkombëtar e akuza për shumë vrasje rivalësh të kokainës, kazinove e prostitucionit në vitet 1998-2005, të cilat pas vitit 2013, kryeministri Edi Rama i ka bërë investitorë strategjikë:
1. Një ditë pas arrestimit të oligarkut trafikant Pëllumb Gjoka, ‘peshkatari’ Gjergj Luca, publikoi një video duke punuar në një nga objektet që i ka dhuruar qeveria, ku deklaronte: - Po punoj vetë, sepse gjithçka e kam me djersën e ballit, me punë të ndershme e jo me punë të pista.
2. Më 20 qershor 2019, trafikanti Roland Ziu krijoi një kompani jahtesh e velerash të quajtur “Albanian Sailing Club”, në ortakëri me Bledi Çuçin, i cili kur ishte Ministër Bujqësie i ka dhënë afro 5 milionë Euro tenderë e dhjetëra hektarë toka bujqësore falas.
Drejtuesit të SPAK, Altin Dumanit, duke e përshëndetur për “zgjimin”, po i kujtojmë një raport të përbashkët të DEA, FBI e Agjencisë Anti-Trafik të BE, dërguar Prokurorisë së Përgjithshme e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe publikuar në vitin 2008, ku thuhet:
- Gjatë viteve 1998-2005, në Shqipëri, Ballkan, Turqi e disa vende të BE, një grup i strukturuar kriminal, ka ushtruar veprimtari trafikimi kokaine, femrash e vrasje rivalësh. Grupi përbëhej nga: Gjergj Luca (drejtues), Pëllumb Gjoka, Roland Ziu, Jani Morava, Artur Gjini e Arjan Andoni.
Krerët e grupit Gjergj Luca, Pëllumb Gjoka e Roland Ziu, me të ardhurat nga veprimtaria kriminale, kanë krijuar biznese peshkimi, kazino, restorante, shitje-makinash, aktivitete ndërtimi pallatesh e hoteleri në Tiranë, Durrës, Vlorë, Lezhë, Shkodër.
Në vitet 2005-2013, Luca, Gjoka e Ziu janë arrestuar disa herë e janë liruar për gjoja mungesë provash, ose janë dënuar simbolikisht me kohën e paraburgimit.
Mirëpo SPAK, ka arrestuar vetëm Pëllumb Gjokën, një nga “ushtarët” e Gjergj Lucës, të akuzuar për pastrim parash e porositës vrasjesh, por nuk prek shefin e grupit mafioz Gjergj Luca dhe krahun e tij të djathtë Roland Ziu.
Prej lidhjeve me krerët e pushtetit, këta janë tej mbushur me tenderë miliona Euro dhe kanë marrë pasuri e koncesione falas, madje Babloku i ka bërë “Investitorë strategjikë” me pasuritë publike.
P.sh. me Vendim nr. 19/6, datë 15.7.2021 të firmosur nga kryeministri Edi Rama, trafikantit Pëllumb Gjoka, nëpërmjet kompanisë së tij të bixhozit “Imperial Group” në ortakëri me Gjergj Lucën, iu dha statusi investitor strategjik për resortin “Silver Sand” me sipërfaqe 13 hektarë pyll tokë shteti në Velipojë, por iu dha dhe leja për kazino në një nga bodrumet e restorant “Rozafa”.
Trafikantit Roland Ziu Babloku i ka dhënë falas koncesionin 35-vjeçar “Porti e Jahte-Veleriave “Marina Rodon” te Kepi i Rodonit, si dhe koncensionin 30-vjeçar “Terminali i udhëtarëve e taksive Tiranë-Elbasan-Pogradec-Korçë-Devoll-Kapshticë-Ersekë” duke i dhuruar 25 mijë m2 tokë shteti, ndërsa Bashkia e Tiranës financoi ndërtimin e 11 mijë m2 objekte.
Trafikantit Gjergj Luca, Babloku i ka dhuruar 105 mijë m2 sipërfaqe objekte të Rezervave të Shtetit në Labinot-Elbasan; 29 mijë m2 repart ushtarak në Gramsh; 11 mijë Park i Mjeteve të Minierës së Përrenjasit; 400 m2 në ish-Fabrikën e Sheqerit-Maliq., liqenin e Xarrës në Butrint dhe 5 zona detare për peshkim e zhvillim rasat peshku në Vlorë, Sarandë e Kavajë.
Para disa ditësh u arrestua Pëllumb Gjoka. SPAK duhet të prangosë edhe Gjergj Lucën e Roland Ziun, si bashkë-trafikantë eleminues rivalësh e pastrues parash me Pëllumb Gjokën; dhe t’i rikthejë shtetit pasuritë e koncesionet që këta kanë marrë falas nën maskën e investitorit strategjik./Pamfleti
Lini një Përgjigje