TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 4 Shtator 2024, 15:30

SPAK kopsit dosjen ndaj Metës dhe Kryemadhit, mbyll marrjen në pyetje të dëshmitarëve; a do të ketë arrestime?

Shkruar nga Pamfleti

SPAK kopsit dosjen ndaj Metës dhe Kryemadhit, mbyll marrjen në pyetje

SPAK ka dërguar letër-porosi të paktën në 7 shtete për Ilir Metën dhe Kryemadhin

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme të nisura ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi janë në fazën përfundimtare. Mësohet se SPAK ka përfunduar marrjen në pyetje të personave që kanë dhënë sqarime mbi hetimet e SPAK të nisura ndaj ish-presidentit Meta dhe deputetes së Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi për veprat penale të pastrimit të parave dhe mos deklarimit të pasurisë.

Tashmë hetuesit janë duke shqyrtuar dokumentet e sekuestruara që pritet t’i vijnë në ndihmë hetimeve të nisura ndaj çiftit Meta-Kryemadhi, raporton “ABC News”.

Gjatë muajit korrik në prokurorinë e posaçme u pyetën edhe Meta e Kryemadhi në cilësinë e personave që kanë dijeni. Në atë kohë vetë Kryemadhi pranoi se ishte thirrur për të dhënë sqarime për hetimet e nisura mbi verifikimin e pasurisë, ndërsa ish-presidenti Meta nuk dha sqarime.

Gjithashtu në pyetje është marrë edhe nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, por edhe persona të tjerë, që kanë lidhje me disa transaksione bankare që janë trasferuar në drejtim të fëmijëve të çiftit Meta-Kryemadhi.

Mësohet se gjatë verifikimeve ka rezultuar se Fatime Kryemadhi, por edhe persona të tjerë, kanë lidhje me disa transaksione parash te trasferuara në drejtim të fëmijëve të çiftit Meta-Kryemadhi. Po kështu në banesën e saj gjate  një kontrolli me urdhër të SPAK, janë sekuestruar 5 telefona celularë, 1 prej të cilëve në pronësi të Monika Kryemadhit. Tani pyetja që shtrohet është: A do të ketë arrestime?

Ilir Meta po hetohet për disa afera, të cilat janë bashkuar më pas në një dosje. Kemi lobimet në SHBA, ndërhyrjet estetike dhe fshehja e pasurisë, të cilat janë grupuar. Ndërsa në një dosje tjetër është afera e famshme CEZ-DIA, raporton "Pamfleti".

Përveç provave dhe të dhënave në vend, në të dyja dosjet është kërkuar bashkëpunimi me shtetet aleate. Sipas informacioneve, SPAK ka dërguar letër-porosi të paktën në 7 shtete për Ilir Metën dhe Kryemadhin (SHBA, Britani, Qipro, Itali, Austri, San Marino dhe Çeki). Dhe thuajse të gjitha kanë kthyer përgjigje.

Sa i takon aferës CEZ-DIA, është dërguar disa kohë më parë një letër porosi në shtetin çek, aty ku dhe ka origjinën kompania CEZ. Historikisht Meta ka tentuar të mbajë raporte të mira me çekët, pasi e dinte se ata kishin në dorë fatin e tij. Duhet theksuar se ndaj CEZ ka pasur hetime dhe në Pragë.

Letër-porosi tjetër është dërguar në SHBA për çështjen e lobimeve. Ka dyshime se Meta ka shpenzuar mbi 700 mijë dollarë për tu afruar me administratën e Trump dhe këtë nuk e ka deklaruar. Departamenti i Drejtësisë ka vënë në dispozicion të SPAK të gjitha dokumentet.

Goditja më bujshme pritet të vijë nga Britania e Madhe. SPAK ka dëguar aty një letër-porosi për pasurinë e Metës, shkollimin e fëmijëve, etj. Ka zëra që thonë se Meta ka shumë pasuri aty dhe fati i tij varet pikërisht nga autoritete londineze.

Pjesa tjetër e kërkesave lidhen me ndërhyrjet estetike që kanë bërë si Meta ashtu dhe Kryemadhi, të cilat janë dërguar në Qipro, San Marino, Itali dhe Austri.

Rezulton se, në shtetin e San Marinos, ekziston një spital/klinikë private e quajtur “Casa di Cura Privata Domus Medica”, me adresë “Strada Genghe di Atto, 101 Acquaviva RSM”. Në këtë spital kryhen kryesisht trajtime dhe ndërhyrje estetike nga persona “VIP” të botës së artit, sportit, show biz-it por jo vetëm. Ky spital është frekuentuar dhe nga dyshja Meta-Kryemadhi.

Pagesat aty janë bërë nga një bankë në Qipro. Prandaj SPAK ka dërguar kërkesa si në San Marino ashtu dhe në Qipro.

Po kështu, Ilir Meta rreth vitit 2013 -2014, ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në Vjenë, e cila i ka shërbyer për t’u dobësuar. Këto ndërhyrje janë kryer nga shefi i pavionit të obezitetit në spitalin e Vjenës. SPAK ka kërkuar ndihmë nga autoritet austriake.

Lini një Përgjigje