Ndaj Pezës ka një padi në SPAK dhe me gjasë prokuroria do i zbulojë aferat, por duket se tani është kujtuar dhe Kuvendi që t’i kërkojë llogari...
Kuvendi është kujtuar më në fund t’i kërkojë llogari Alfred Pezës për abuzimet dhe batërdinë në krye të RTSH. Me qindra gazetarë janë shkarkuar nga puna, teksa ka shumë zëra se është abuzuar me paranë publike që është përdorur për festivale dhe projekte private.
Festivali i fundit i Këngës ishte një dështim total, por u hodhën miliona dhe ka pasur zero tansparencë. Po ashtu janë dhënë para për filma, emisione dhe aktivitete të tjera, të cilat nuk dihet se sa kanë kushtuar. Ndaj Pezës ka një padi në SPAK dhe me gjasë prokuroria do e zbulojë, por duket se tani është kujtuar dhe Kuvendi që t’i kërkojë llogari. Në Kuvend pritet të miratohet një rezolutë për punën e RTSH për vitin që lamë pas, teksa janë dhënë dhe disa detyra për vitin aktual.
“Kuvendi kërkon që Radiotelevizioni Shqiptar për vitin 2024 të angazhohet edhe në këto drejtime: 1. Të publikojë në faqe shpenzimet e festivaleve, si dhe shpenzimet për prodhimet e pavarura audiovizive, në funksion të transparencës për përdorimin e fondeve publike. Të informojë sa më parë Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në lidhje me arsyet e numrit të lartë të largimeve nga puna, numrin e rasteve që i janë drejtuar gjykatës dhe efektet financiare që kanë për institucionin këto largime”, theksohet në rezolutë.
Kërkohet gjithashtu që të bëhet transparente veprimtaria e KDRTSH-së në faqen zyrtare ueb duke publikuar të gjitha vendimet e marra, të shoqëruara me relacionet përkatëse, procesverbalet e mbledhjeve dhe mënyrën e votimit. Tjetër kërkesë është të bëhet transparente përbërja dhe veprimtaria e Bordit të Administrimit, duke publikuar aktivitetin e këtij bordi dhe të gjitha vendimet e marra dhe aktet e miratuara.
“Të bëhet transparente përbërja dhe veprimtaria e Këshillit për shikuesit dhe dëgjuesit, si dhe të publikohen të gjitha vendimet e tij; Në kuadër të transparencës, të publikohet në faqen zyrtare struktura organizative dhe organika e RTSH-së, të shpallen vakancat e krijuara dhe të jetë transparente e gjithë procedura e rekrutimit deri në publikimin e fituesit. KDRTSH-ja të investohet në hartimin e planit strategjik të institucionit për të siguruar qëndrueshmëri dhe vizion në drejtimin e transmetuesit publik”, theksohet më tej.
Alfred Peza e ka kthyer RTSH në një institucion ku ka futur vetëm njerëzit besnikë të tij dhe profesionistët kanë ikur. Shpresojmë që Kuvendi ta ketë seriozisht dhe t’i kërkojë llogari në vazhdimësi. /Pamfleti
Lini një Përgjigje