Sipas Kodit të Procedurës Penale, ish-Kryetarja e Bashkisë së Patosit, Rajmonda Balili, duhej të ishte arrestuar si ish-kolegët e saj, mirëpo SPAK e GJKKO vendosën vetëm ta pezullojnë nga detyra si Prefekte e Fierit, kur pezullimi nuk masë penale por administrative që mund ta zbatonte kryeministri...
Vendimi për ish-Kryetaren e Bashkisë-Patos, Rajmonda Balilaj, është rasti tjetër që tregon se SPAK dhe Gjykata e Posaçme, veprojnë me dy standarde në goditjen e korrupsionit të zyrtarëve.
Me 9 mars 2024, me kërkesë të SPAK dhe vendim të gjykatës, u pezullua nga detyra Prefektja e Qarkut të Fierit, Rajmonda Balilaj, me akuzën se kur ishte kryetare Bashkie, ka kryer veprën penale të korrupsionit e favorizimit në tenderë.
Vendimi ndaj ish-kryetares Rajmonda Balilaj të Patosit, krahasuar me vendimet për krye-bashkiakë të tjerë; tregon se SPAK dhe Gjykata e Posaçme, veprojnë me dy standarde në masat penale, duke krijuar dyshime për ndikime klienteliste e politike te drejtësia e re.

RASTI I PARË/ Kryetari i Bashkisë së Lushnjës, socialisti Fatos Tushe, u arrestua më 6 korrik 2021 në detyrë, vetëm për 1 rast tenderi pastrimi kanali me vlerë 24 milionë lekë, me akuzën neglizhencë në kontrollin e procedurave.
Por u hetua në masë arresti me burg dhe u dënua me 2.4 vite burg, ndërsa pas lirimit nga burgu i kryer plotësisht, SPAK dhe Gjykata e Posaçme e Apelit e ri-dënuan edhe me 1 vit burg shtesë.
RASTI I DYTË/ Më 16 mars 2023, SPAK dhe Gjykata e Posaçme, arrestuan në detyrë Kryetarin e Bashkisë-Bulqizë, socialistin Lefter Alla, me akuzën e korrupsionit në tenderin e ujësjellësit, të cilin e hetuan në masë arresti me burg dhe e dënuan 2 vite burg.
Në këto dy raste, referuar akuzave të ngritura, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë arrestuar në detyrë, kanë hetuar në masën arrest me burg dhe kanë dënuar, ish-Kryetarin e Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe e të Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla.
Ndërsa për të njëjtat vepra penale me këta, SPAK dhe Gjykata e Posaçme, nuk arrestuan në detyrë Kryetaren e Bashkisë së Patosit, socialisten Rajmonda Balilaj, njëherazi Anëtare e Asamblesë Qendrore të PS.
Nuk e arrestuan, as pas muajit qershor 2023, kur ajo dorëzoi detyrën e kryetares së Bashkisë Patos, megjithëse qysh atëherë i ishte provuar akuza dhe kishte nisur procedimi penal, ndërsa më 20 dhjetor 2023, kryeministri Edi Rama e emëroi Prefekte të Qarkut Fier.
Më 9 mars 2024, ndaj saj u vendos pezullimi nga detyra Prefekte e Qarkut-Fier, kur sipas Kodit të Procedurës Penale, duhej të ishte arrestuar, siç u veprua me dy kolegët e saj socialistë të Lushnjës e Bulqizës për të njëjtat vepra penale.
Por SPAK dhe Gjykata e Posaçme, vendosën vetëm ta pezullojnë nga detyra e të lënë të lirë, kur pezullimi nga detyra nuk është masë penale, por masë administrative të cilën mund ta zbatonte kryeministri, si titullari që e ka emëruar./Pamfleti
Lini një Përgjigje