Ish-reparti ushtarak në Gramsh, 29 mijë m² truall dhe 4185 m² ndërtesa, u dha fillimisht me kontratë “1 euro” kompanisë “Rozafa”, por pas katër vitesh rezulton i shitur nga qeveria, ndërkohë që dosja financiare mungon në arkiv...
Një nga shtatë pasuritë shtetërore që Edi Rama i ka dhuruar Gjergj Lucës është ish-reparti ushtarak në Çekrez të Gramshit.
Pasuria përfshin afro 29 mijë m² truall dhe 4185 m² ndërtesa dhe iu dha me Vendim nr. 526, datë 25 korrik 2019, nëpërmjet kontratës “1 Euro” mes ministrisë së Financave dhe kompanisë “Rozafa Sh.p.k”. Kontrata kishte afat 20-vjeçar dhe përcaktonte rikthimin e pronës në shtet, së bashku me investimet, pa detyrime financiare pas përfundimit të saj.

Pavarësisht këtij ligji, vetëm katër vite më vonë, më 21 qershor 2023, qeveria miratoi Vendimin nr. 376, me të cilin Luca bleu ish-repartin ushtarak. Problemi fillon këtu: në arkivën e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit mungon dosja financiare e shitjes.
Zyrtarisht, ajo “humbi nga pakujdesia” gjatë transferimit të dokumenteve të koncesioneve “1 Euro” nga Ministria e Financave te ministria që sot drejton Blendi Gonxhe.

Pyetjet që SPAK duhet të hetojë:
A ka kryer vërtetë blerje Gjergj Luca, apo është thjesht formalizim i dhurimit?
Pse humbi pikërisht dosja e këtij privatizimi gjatë transferimit të arkivës?
A ka pasur proces real shitje nga Drejtoria e Pronës Publike?
Nëse është shitur, cila është vlera dhe a është paguar ndonjë qindarkë në shtet?
Ku është raporti i ekspertëve financiarë për vlerën e 29 mijë m² truall dhe 4185 m² ndërtesa?
Pse më 6 maj 2020 qeveria nxori vendim për shembjen e objekteve, vetëm një vit pas dhënies së pronës me “1 Euro”?
Pse Rama urdhëroi shitjen pas katër vitesh, kur ligji parashikon shndërrimin e kontratës në pronësi vetëm pas 20 vitesh?
Nga kontratë “1 Euro” për përpunim peshku, pasuria shtetërore në Çekrez është kthyer në pronë private të Gjergj Lucës brenda katër vitesh. Dosja financiare është zhdukur, shumat e blerjes nuk dihen dhe procesi është bërë në shkelje të hapur të ligjit. Ky është një rast tipik i asaj që Rama e quan “reformë ekonomike”, por që në të vërtetë është privatizim i pasurive publike për klientët e tij./Pamfleti
Lini një Përgjigje