
Sot Rexhë Byberi është paraqitur në zyrë, ndonëse e ka të ndaluar një gjë të tillë. Ja fotoja që e nxjerr blof...
Nuk kanë fund skandalet e Rexhë Byberit të Tropojës. Edhe pse është në “arrest shtëpie”, xhambazi i tenderëve vijon të sfidojë ligjin dhe SPAK.
Përveçse udhëzon vartësit të japin tenderë për familjarët e tij, kryebashkiaku së fundmi mësohet se ka thyer “arrestin shtëpiak”.
Sot ai është paraqitur në zyrë, ndonëse ka të ndaluar një gjë të tillë. Mësohet se arsyeja është për të shpëtuar mandatin e kryebashkiakut. Në datë 9 Dhjetor bëhen tre muaj që nuk është paraqitur në detyrë dhe kjo përbënte precedent për shkarkimin e tij sipas nenit 62 të ligjit të qeverisjes vendore.
Byberi mësohet se ka zhvilluar një mbledhje me drejtuesit e administratës, e më pas është larguar. Në Facebook, është postuar edhe një foto e tij me një prej personave që kanë marrë pjesë në mbledhje. Por fotoja është zhdukur me shpejtësi më pas.

Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, është vënë nën akuzë nga SPAK për tre vepra penale dhe gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Shkatërrimi i pronës”, bashkë me nënkryetarin e bashkisë, Abedin Kërrnaja.
Sipas SPAK, nga veprimet procedurale të kryera deri në këtë fazë të hetimit ekzistojnë dyshime të arsyeshme se të dy zyrtarët kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 11 Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për miratimin e rregullores së zhvillimit të territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.
Sipas SPAK, punimet për ndërtimin e rrugëve “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” dhe “Stacioni i Anijes Palç- Guri i Lules” janë bërë në kundërshtim me aktet ligjore dhe nënligjore. “Konkretisht për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) për hapjen e një rruge të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje, pranë Bashkisë Tropojë, si institucion vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi që parashikon legjislacioni për këto lloj punimesh. Konkretisht në nenin 15 të VKM nr. 408 datë 13.05.2015 (e ndryshuar) janë saktësuar dokumentet tekniko-ligjor që duhen depozituar në sistemin e-leje, gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës”, shprehet SPAK.
Nga kryerja e aktit të ekspertimit ka rezultuar se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 Lekë.
Tani duhet të shohim nëse SPAK do kërkojë arrest me burg, pasi ligji e përcakton qartë se kur thyhet një masë sigurie, aplikohet një më e rëndë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje