Pasi firmosi miliona euro vjedhje me vendime abuzive në favor të oligarkëve të Bablokut, kreu i Komisionit të Prokurimeve Publike u flijua nga vetë Rama për të shmangur trazira politike nga hetimet e SPAK...
Në korrik 2020, qeveria dhe deputetët e PS, përmes një gare fiktive në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, emëruan Jonaid Myzyrin si Kryetar të Komisionit të Prokurimeve Publike (KPP), duke shkelur çdo kriter profesional dhe ligjor për këtë detyrë të lartë dhe delikate. Një emërim që nuk ishte fryt karriere, por urdhri direkt i Edi Ramës, i cili përmes kërkesave të biznesmenëve oligarkë, e çoi në atë post një noter të bindur të tenderëve të mëdhenj publikë.
Prej 5 vitesh në këtë detyrë, Jonaid Myzyri, i etiketuar nga mediat si “xhuxhi i të gjatit” , shërbeu besnikërisht për të certifikuar çdo vjedhje në tenderë, ankande dhe koncesione. KPP, nën drejtimin e tij, u shndërrua në gjykatën e mafias së fondeve publike, ku çdo ankesë e ligjshme firmosej si “e pabazuar”, ndërsa çdo shkelje ligjore e kompanive të pushtetit “arkivohej”.
Por, më 2024, SPAK nisi hetimin, dhe më 14 qershor 2025, Jonaid Myzyri u morr i pandehur nga GJKKO për “Shkelje të barazisë në tenderë në bashkëpunim”, ndërkohë që ndaj tij u vendos masa “pezullim nga detyra” dhe “detyrim paraqitje”. Rruga drejt arrestimit është vetëm çështje kohe.
Babloku e sakrifikon: Nga besnik në kurban
Kjo lëvizje e SPAK nuk është pritur me histeri nga Rama, si në rastin e Beqajt, Xhaçkës apo Manastirliut. Përkundrazi. Rama heshti, ndërsa qeveria nxitoi të dorëzonte dosjet në BKH, një sinjal i qartë se Jonaid Myzyri ishte bërë barrë.
Përtej fasadës së përzgjedhjes për një mandat të dytë në krye të KPP, e vërteta është se Babloku e kishte vendosur ta flijonte. Dosja e tenderit 2.29 milionë euro ku është marrë i pandehur, ishte vetëm preteksti, në telefonin e sekuestruar nga BKH, janë zbuluar shkelje sistematike, komunikime komprometuese dhe ndërhyrje të hapura në vendimmarrje, që lidhen me një sërë tenderësh strategjikë të favorizuar politikisht.
Si u përdor dhe si u hodh poshtë
Për 5 vite, Jonaid Myzyri mbuloi me firmë të gjitha aferat që i kalonin në tryezë:
· Legalizoi fitore pa garë për klientët e qeverisë
· Hodhi poshtë çdo ankesë për tenderët e ARRSH, Shëndetësisë, Rindërtimit e Bashkive
· Firmosi vendime për koncesione strategjike pa dokumentacion ligjor
Tani që e ka konsumuar, Edi Rama po e përdor si alibi për të shpëtuar sistemin nga tronditjet e SPAK. Nuk është rastësi që e njëjta media që dikur e lavdëronte, tani thotë se “ka qenë peng i disa grupeve të interesit”, duke e shitur si hall personal të Myzyrit, çka është një skemë shtetërore me firmë politike.
Çfarë ndodh më tej?
Sipas ligjit, një person i hetuar nuk mund të kandidojë për një mandat të dytë në KPP. Kjo do të thotë se Rama do të bëjë një proces të ri përzgjedhjeje, ku ose do të emërojë një tjetër noter të bindur, ose nëse presioni ndërkombëtar vijon, mund të tolerojë një figurë “neutrale” për t’u dukur se po reformon.
Por një gjë është e sigurt: KPP është kthyer në një nga nyjet e korrupsionit shtetëror shqiptar, dhe rënia e Myzyrit është vetëm maja e ajsbergut.
Tani, i vetmi institucion që mund ta çojë këtë dosje deri në fund, është SPAK. Ndryshe, “xhuxhi” tjetër do të jetë thjesht më i shkurtër, por do të mbajë të njëjtën penë./Pamfleti
Lini një Përgjigje