TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 2 Korrik 2025, 12:37

Erald Elezi në sulm, edhe pasi u mor i pandehur nga SPAK: 2.5 milionë euro tenderë të dyshimtë në KESH

Shkruar nga Pamfleti
Erald Elezi në sulm, edhe pasi u mor i pandehur nga SPAK: 2.5 milionë
Drejtori i KESH erald Elezi /

Pasi u përfshi në dosjen e rrugëve me Evis Berberin, drejtori i KESH vijon të firmosë tenderë jashtë planifikimit buxhetor, për riparime dhe investime fiktive në hidrocentralet Fierzë dhe Vau i Dejës, me fond të dyshimtë prej 2.5 milionë eurosh...

Nuk dihet nëse drejtori i KESH, Erald Elezi, nuk ka frikë nga SPAK sepse është “hajdut trim”, apo sepse ka marrë garanci nga vetë kryeministri Edi Rama, që nuk do të preket, edhe pse ndaj tij ka nisur zyrtarisht procedimi penal.

Më 14 maj 2025, Erald Elezi u mor zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi nga përgjimet dhe dokumentet e siguruara gjatë hetimeve për aferat në Autoritetin Rrugor Shqiptar (ARRSH), rezulton se si kryetar i komisionit të tenderëve, është përfshirë në skema korrupsioni dhe shpërdorim fondesh, në bashkëpunim me ish-drejtorin e arrestuar Evis Berberi dhe drejtorin aktual Gentian Gjyli.

Por, vetëm një muaj pas marrjes së statusit “i pandehur”, më 20 dhe 26 qershor 2025, drejtori aktual i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), ka shpallur dy tenderë me fond të përgjithshëm 2.5 milionë euro me TVSH, të dyshuar si tenderë fiktivë.

Tenderi i parë, shpallur më 20 qershor, parashikon një fond prej 700 mijë eurosh me TVSH për “riparimin e dëmtimeve të turbinave në Agregatin nr. 1 dhe nr. 3 në hidrocentralin e Fierzës, si dhe të pesë agregatëve në hidrocentralin e Vaut të Dejës”.

Erald Elezi në sulm, edhe pasi u mor i pandehur nga SPAK: 2.5 milionë

Tenderi i dytë, shpallur më 26 qershor, ka një fond prej 1.8 milionë eurosh me TVSH, për “rinovimin e impiantit shpërndarës 10kV në hidrocentralin e Vaut të Dejës”. Ky investim përfshin re-konfigurimin e skemës me dy seksione për të ruajtur redundancën, instalimin e dy transformatorëve 10/0.4kV, si dhe punime ndërtimi për krijimin e hapësirave për instalimet.

Sipas burimeve brenda vetë KESH, këto tenderë janë shpallur pa qenë të planifikuar në buxhet, dhe në bashkëpunim të ngushtë mes Erald Elezit dhe drejtuesve teknikë të qendrës dhe të hidrocentraleve respektive. Në dokumentacion është deklaruar nevoja për shërbime emergjente dhe dëmtime agregatësh që nuk ekzistojnë dhe për investime të cilat janë realizuar më parë e janë paguar tashmë përmes tenderëve të kaluar.

Për shembull, agregatët për të cilët thuhet se janë dëmtuar nuk kanë pësuar asnjë defekt; ndërsa impianti shpërndarës 10kV në hidrocentralin e Vaut të Dejës është rinovuar pjesërisht në vitin 2023 përmes një tenderi tjetër.

Sipas Buletinit të Prokurimeve Publike, tenderi i parë do të zhvillohet më 14 korrik 2025, ndërsa tenderi i dytë më 21 korrik, që të dy nga komisione të emëruara direkt nga Erald Elezi.

Ky është një rikthim i stilit të vjetër të Elezit në skemat e prokurimeve, që e karakterizuan gjatë kohës kur ai ishte Drejtor i Projekteve Strategjike në ARRSH dhe anëtar i komisioneve të tenderëve, veprimtari për të cilën tashmë është nën hetim penal nga SPAK, në të njëjtën dosje me ish-drejtorin e arrestuar Evis Berberi.

Në vend që të ndalet apo të pezullohet nga detyra, Erald Elezi vijon të shpallë tenderë të mëdhenj në sektorin strategjik të energjisë, madje të dyshuar si fiktivë, nën hijen e garancive politike dhe pandëshkueshmërisë që deri më sot e ka shoqëruar. Nëse SPAK nuk vepron me urgjencë për këto kontrata të reja, do të jetë bashkëfajtor për çdo qindarkë të abuzuar me fondet publike./Pamfleti

erald elezi

Lini një Përgjigje