TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia25 Gusht 2025, 13:32

Rexhep Tarba, i dënuar për abuzim në rrugën Tiranë–Elbasan; tenderë dhe licenca shtetërore për energjinë e erës

Shkruar nga Pamfleti

Nga kompania Zenit&Co me 118 tendera publikë, tek E VENTO me projektin e erës në Konispol, Tarba vijon të përfitojë në një sektor strategjik të mbështetur nga shteti, duke përdorur familjen dhe ortakë të lidhur me skema evazioni

Rexhep Tarba, i dënuar për abuzim në rrugën

Në vitin 2016, Prokuroria e Elbasanit dërgoi në gjyq drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe administratorë kompanish për abuzimet në ndërtimin e rrugës Tiranë–Elbasan. Mes tyre ishte Rexhep Tarba, pronar i Zenit-06 shpk, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe arrestuar si mbikëqyrës i punimeve. Akuzat tregonin se përmes kolaudimeve të manipuluara dhe certifikimeve të rreme, shtetit i ishte shkaktuar një dëm prej 37 milionë dollarësh. Në të njëjtën dosje, si subjekte të akuzuara figuronin edhe vetë kompania Zenit-06, si dhe shoqëritë “Vëllezërit Hysa” e “Arifaj”.

Në vend që kjo çështje të mbyllte rrugën e tij në tregun publik, Tarba përdori një skemë të thjeshtë transferimi. Në janar 2019, vetëm një vit pas arrestimit, ai ia kaloi 100% të kuotave të Zenit&Co bashkëshortes së tij Luiza Tarba. Ky transaksion fshiu emrin e tij nga dokumentet e pronësisë, por i lejoi kompanisë të vazhdonte aktivitetin normalisht dhe të merrte tendera publikë pa pengesë.

Rezultatet flasin qartë; pas këtij transferimi formal, Zenit&Co siguroi 118 kontrata publike, me një vlerë totale mbi 147 milionë lekë. Vetëm me Bashkinë e Tiranës janë lidhur 60 kontrata, me vlerë mbi 39 milionë lekë, ndërsa kontrata të tjera të mëdha janë marrë nga Bashkia Kamëz (12 tendera, rreth 10% e totalit) dhe Bashkia Durrës (8 tendera). Tenderat janë kryesisht për mbikëqyrje punimesh (50%), studim-projektim (30%) dhe supervizion (20%). Me fjalë të thjeshta, kompania vijon të fitojë pikërisht në sektorin ku themeluesi i saj u kap duke abuzuar.

Ndërkohë, Rexhep Tarba figuron sot ortak me 19% të kuotave në E VENTO srl Albania NIPT K81419015N, kompani e licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë për prodhimin e energjisë nga era. E VENTO ka marrë leje mjedisore nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit në maj 2022 për projektin në Konispol dhe ndodhet në fazë implementimi. Administrator është Florian Peri, ndërsa 80% e kapitalit zotërohet nga G.P.G. Company, e kontrolluar nga 'peshkaqeni' i tendereve Paqsor Buzi. Ky i fundit, në vitin 2019, u vendos në arrest shtëpie si pjesë e një grupi prej 15 biznesmenësh të kapur në një skemë evazioni fiskal prej 30 milionë eurosh gjatë operacionit “Informaliteti”.

Kjo do të thotë se një biznesmen i akuzuar për abuzime që i shkaktuan shtetit 37 milionë dollarë dëm në projektin e rrugës Tiranë–Elbasan, jo vetëm që nuk u shkëput nga fondet publike, por vazhdon të marrë kontrata. Zenit&Co, kompania e tij e kaluar në emër të bashkëshortes, ka fituar mbi 118 tendera me një vlerë të kontraktuar prej 147.6 milionë lekësh, shumica për mbikëqyrje punimesh, pra pikërisht në të njëjtin sektor ku Tarba u dënua për shpërdorim detyre. Në krah, përmes E VENTO, ai është futur edhe në sektorin strategjik të energjisë së erës, duke bashkëpunuar me ortakë të kapur në mashtrime fiskale me shifra kolosale.

Asgjë nuk ka ndryshuar përveç emrit në letra. Nga abuzimet në rrugë, tek tenderat e sotëm për mbikëqyrje punimesh dhe projektet e erës në Konispol, Tarba vazhdon të përfitojë qetësisht nga shteti, duke përdorur familjen dhe ortakët si mburojë.

 

rexhep tarba zenit&co tiranë–elbasan e vento srl albania

Lini një Përgjigje