
Drejtuesi i Transportit Rrugor dhe ministri aktual i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, ka përfituar miliona nga shteti, ndërsa hetimi mbi tenderët e landfillit të Tiranës mbetet i bllokuar prej 3 vitesh…
Blendi Gonxhe, aktualisht ministër i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, është përfshirë në një skandal të madh financiar, ku miliona lekë nga buxheti i shtetit dhe nga landfilli i Tiranës janë përfituar përmes kompanive të tij dhe të të birit.

Nëpërmjet “Albarent Sh.p.k” dhe firmës së djalit të tij, “D.G-Dante Gonxhja”, Gonxhe ka përfituar miliona lekë nga institucionet shtetërore dhe nga landfilli i Tiranës, për shërbime që shpesh rezultojnë të jenë fiktive ose kontrata të tenderëve të manipuluar.
Përveç përfitimeve, dokumentet tregojnë një fshirje sistematike të pagesave dhe bilanceve në regjistrat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, duke zhdukur çdo gjurmë të transparencës dhe llogaridhënies.
Kontratat për qiradhënie automjetesh me “Integrated Energy BV SPV Sh.p.k” dhe pagesat e shumta për shërbime ndaj institucioneve të ndryshme, përfshirë Agjencinë e Planifikimit të Territorit, Akademinë e Shkencave, Kuvendin dhe Ministritë, shfaqin një model të hapur të përfitimit të paligjshëm, duke shfrytëzuar pushtetin publik për pasurim privat.

Fshirja e bilanceve dhe ndryshimi i emrit të kompanisë së djalit nga “Rental Cars Albania” në “D.G-Dante Gonxhja-Person Fizik” pas denoncimeve mediatike, është një tjetër element i qartë i manipulimit dhe fshehjes së fondeve publike. Pavarësisht se u thirr në SPAK më 22 korrik 2022 për kontratën me landfillin e Tiranës dhe tenderët e tjerë, hetimi për Blendi Gonxhen ka mbetur i pezulluar prej tre vitesh.
Pyetja që lind është e thjeshtë dhe e rëndësishme: A do të shkoj ndonjëherë para drejtësisë një zyrtar i pushtetit, i përfshirë në skema korruptive dhe pastrime parash, apo do të mbetet simbol i impunitetit që sundon në hierarkinë e lartë të shtetit?/Pamfleti
Lini një Përgjigje