TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia16 Shkurt 2025, 21:27

Prokuroria e Posaçme depërton edhe në universitete, 7 pedagogë nën hetim për afera!

Shkruar nga Pamfleti
Prokuroria e Posaçme depërton edhe në universitete, 7
Foto ilustruese

SPAK valë hetimesh gjatë 2024-ës për pedagogët...

Prokuroria e Posaçme duket se i ka alarmuar të gjithë. Deri më tani, janë vënë në pranga afro 135 zyrtarë dhe janë me qindra e qindra të tjerë nën hetim.

Kjo ka bërë që ata që firmosin tenderë dhe marrin ryshfet ta mendojnë dy herë hedhjen e firmës. Po ashtu, shumë të tjerë kanë frenuar bisedat me celular dhe me aplikacione të ndryshme.

Por nuk janë vetëm zyrtarët në ministri apo bashki ata që bëjnë afera, pasi të gjithë e dimë se korrupsion ka në arsim, shëndetësi e shumë fusha të tjera, në të cilat SPAK, ka nisur të trokasë pak nga pak.

Sa i takon arsimit, korrupsioni më i madh është në universitete. Edhe sot që flasim, ka shumë pedagogë që marrin para në këmbim të notave në provime. Sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të SPAK, janë hapur hetime për 7 pedagogë në universitetet e vendit, pasi janë të dyshuar për afera korrupsioni dhe shpërdorim detyre.

Nuk dihet se për cilat universitete bëhet fjalë dhe kush janë emrat nën hetim, por me gjasë do të dalin kur të kopsiten dosjet.

Për periudhën kohore 2021 – 2024, janë kallëzuar gjithsej 2 persona me funksion pedagog dhe janë hetuar gjithsej 7 persona me funksion pedagogë, nga të cilët 1 pedagog është regjistruar në vitin 2021, 1 pedagog në vitin 2023 dhe 5 pedagogë janë regjistruar në vitin 2024”, njofton SPAK.

Përveç marrjes së parave në këmbim të notave, universitetet janë dhe çerdhe abuzimi me fondet. Kanë qenë jo të pakta rastet e denoncimit mediatik të abuzimeve me tenderët. Po ashtu edhe prokuroritë e rretheve kanë kryer hetime për abuzime. Një rast flagrant ka qenë në Universitetin e Kamzëz. Në vitin 2022 u arrestuan 4 persona pasi vidhnin produktet e destinuara për universitetin. Po ashtu, vetë KLSH ka zbuluar shumë shkelje. Mbetet të shohim nëse SPAK do i trembë akademikët që preferojnë të marrin më shumë sesa rroga që u takon. /Pamfleti

Lini një Përgjigje