TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Shkurt 2025, 13:36

Luftërat mbi mbeturinat: ana e errët e industrisë globale të riciklimit

Shkruar nga Roula Khalaf

Luftërat mbi mbeturinat: ana e errët e industrisë globale të

Kushdo që ka lexuar librin “Gomorra” të Roberto Savianos , një investigim i imtësishëm dhe i tmerrshëm mbi marrëdhëniet e biznesit të Camorra-s, mafies napolitane, e kupton se lordët e mbeturinave nuk priren të mirëpresin mbikëqyrjen nga autoritetet apo hetimet gazetareske...

Mund të duket jo pak e çuditshme që ne në Perëndim, ku rrugët janë të bllokuara shpesh nga furgonat e Amazon, dhe ku gati të gjitha mallrat na vijnë në shtëpi të mbuluara me ambalazhe të tepërta, mendojmë se jemi bërë më të përgjegjshëm për mbetjet tona dhe mënyrën e menaxhimit të tyre.

E megjithatë, ky është mesazhi zyrtar që na jepet. Për shembull, në Britani qeveria mburret për reduktimin e sasisë së plehrave që çon në vend-depozitimet brenda vendit. Më shumë se 50 për qind më pak se 25 vite më parë. Dhe kjo është një histori e ngjashme në vende të tjera të pasura.

Me sa duket, gjithçka varet nga “parandalimi më i mirë i krijimit të mbeturinave” - mos blerja e artikujve të panevojshëm - dhe riciklimi më i kujdesshëm. Por sa nga kjo panoramë rozë është reale, dhe sa një mit komod për qeveritë?

Alexander Clapp, autor i librit “Lufta mbi Mbeturinat”, thotë se kemi të bëjmë më shumë me një mit. Një gazetar me banim në kryeqytetin grek Athinë, që ka shpenzuar shumë vite duke hulumtuar strukturën e errët të menaxhimit global të plehrave, Clapp argumenton se vetëvlerësimi ynë nuk është vetëm mashtrues, por edhe i rrezikshëm.

Lënia në hije e një realitetit shumë më pak të virtytshëm, na pengon të kuptojmë se sa larg është “veriu global” konsumator nga administrimi i përgjegjshëm i mbetjeve të tij. Libri është pjesërisht një histori, se si mbetjet u shndërruan në një tregti ndërkombëtare.

Kjo filloi me përpjekjet e SHBA-së në vitet 1970 për të pastruar qytetet e saj dhe rritur standardet mjedisore. Një pasojë e saj, ishte shtrenjtimi i depozitimit të mbetjeve të rrezikshme brenda vendit, ndaj kompanitë u detyruan të kërkonin alternativa.

Ato do të gjendeshin në Karaibe, Amerikën Latine dhe Afrikë, ku azbesti mund të depozitohej për një kosto vetëm disa dollarë për ton, në vend të 250 dollarëve për ton në SHBA. Anijet filluan që të udhëtonin në mbarë globin, në kërkim të marrësve të gatshëm të mbetjeve (ose që e pranonin ryshfetin).

Clapp tregon historinë e Khian Sea, një anije mallrash e ndryshkur që u nis nga Gjiri Delaware në vitin 1986 me një ngarkesë hiri toksik, dhe që ashtu si “Holandezi Fluturues”, lundroi nëpër botë për vite me radhë, duke kërkuar një vend të dëshpëruar ose mjaftueshëm të korruptuar për t’i pranuar mbetjet.

Ai ishte edhe momenti, shkruan Clapp, kur “mbeturinat u shndërruan në diçka që nuk duhej thjesht të hidhej brenda natyrës, por të shkarkohej në një shoqëri tjetër, pra u kthyen në një objekt shkëmbimi dhe jo thjesht mbeturina”.

Në fund, llumi toksik ishte i vështirë për t’u shitur, dhe Khian Sea përfundoi duke e hedhur në oqean pjesën më të madhe të ngarkesës së tij. Kongresi i SHBA-së e kundërshtoi këtë lloj tregtie, nga frika e dëmtimit të marrëdhënieve të jashtme të Amerikës në kulmin e Luftës së Ftohtë.

Kështu, agjentët e plehrave, fillimisht sipërmarrës të dyshimtë, e rafinuan ofertën: në vend të mbeturinave për t’u hedhur, ata e rivlerësuan tregtinë si një mundësi riciklimi.

Kur u shemb Bashkimi Sovjetik dhe u rrëzua regjimi komunist tek vendet e tij satelite, u rrit shumë numri i kombeve potenciale përfituese, dhe qëndrimet ndaj tregtisë së mbetjeve u bënë më lejuese.

Madje disa ekonomistë nisën të bënin shaka. Në vitin 1991, një memo e nënshkruar nga Lawrence Summers, atëherë krye-ekonomist i Bankës Botërore, deklaroi: “Logjika e dërgimit të një ngarkese me mbetje toksike në vendet me paga më të ulëta është e saktë. . . Gjithmonë kam menduar se vendet jo shumë të populluara në Afrikë janë jashtëzakonisht të ndotura”.

Më vonë Summers, tha se synonte vetëm të ishte “sarkastik” dhe kërkoi falje “për çdo keqkuptim që mund të kishte krijuar”. Por disa e morën seriozisht logjikën e tij ekonomike, dhe kështu lindi ekonomia globale e plehrave.

Clapp ka udhëtuar kudo nëpër botë, për të parë mënyrën se si plehrat e vendeve perëndimore ndikojnë aq shumë mbi ekonomitë kombëtare vendeve të varfra. Vende si Gana, ku zona të tëra të kryeqytetit Akra jetojnë me biznesin e mbeturinave, dhe ku punëtorët paguhen disa dollarë në ditë për të nxjerrë nga smartfonët e vjetër metalet e vlefshme brenda tyre.

Riciklimi është paksa si një gjethe fiku. Pasi mblidhen thesaret e tyre, telefonat inteligjentë digjen dhe materialet toksike nga anijet groposen në zonat rurale. Edhe kur ndodh një riciklim, si në Indonezi, ku fabrikat e letrës importojnë letër të përdorur nga jashtë për ta përdorur si lëndë ushqyese, pjesët e rikuperuara përmbajnë përgjithësisht sasi të mëdha mbetjesh plastike.

Kështu ka lindur një tregti dytësore rreth këtij materiali të padëshiruar. Clapp përmend fshatra të tërë në ishullin Java në Indonezi që tregtojnë plastikën e hedhur, duke e tharë dhe shitur atë si lëndë djegëse (shumë toksike) për fabrikat e shumta në vend.

Kushdo që ka lexuar librin “Gomorra” të Roberto Savianos , një investigim i imtësishëm dhe i tmerrshëm mbi marrëdhëniet e biznesit të Camorra-s, mafies napolitane, e kupton se lordët e mbeturinave nuk priren të mirëpresin mbikëqyrjen nga autoritetet apo hetimet gazetareske.

Clapp ka kryer një shërbim të rëndësishëm dhe të guximshëm duke ekspozuar funksionimin e këtij aktiviteti të fshehtë. Dikush mund të mendojë se në thelb s’ka asgjë të gabuar tek zhvendosja e plehrave përtej kufijve për t’i menaxhuar ato.

Por vështirë se mund të gjenden gjëra pozitive tek mënyra se si ka evoluar kjo lloj tregtie. Ajo mund të sjellë disa para për vendet në zhvillim, por kjo vetëm me koston e korrupsionit të shfrenuar dhe degradimit të madh të mjedisit. Kjo është edh ana e errët e industrisë së riciklimit.

Ç’është më e keqja, vendet e pasura duken të paafta për të frenuar valën e mbeturinave që po hedhin, shumica e tyre në formën e mbetjeve plastike, që janë pothuajse të pabiodegradueshme dhe rezistente ndaj riciklimit.

Në fakt, Clapp percepton një simbiozë të zymtë, me konsumin e shfrenuar të Perëndimit dhe miopinë mjedisore, që të dyja të mundësuara nga aftësia për të larguar mbeturinat e tij në vende që ne nuk i shohim kurrë./Pamfleti nga “Financial Times”

industria e riciklimit mbeturinat

Lini një Përgjigje