
Pse DEA reagoi pas aksionit të zhvilluar një ditë më parë?
Nëse dikur në Portin e Durrësit kapeshin qindra arka me banane të mbushura me kokainë, prej tre vitesh policia shqiptare zyrtarisht nuk ka kapur më asnjë sasi të madhe droge në këtë pikë kyçe.
Në letër, gjithçka duket “nën kontroll”. Por faktet, dosjet dhe reagimet ndërkombëtare tregojnë të kundërtën. Dhe sinjali më i fundit vjen pikërisht nga Uashingtoni.
Sot, Ambasada Amerikane në Tiranë njoftoi zyrtarisht se linja e sinjalizimit të DEA-s (Agjencia amerikane kundër drogës) është vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë. Përmes një kontakti të drejtpërdrejtë në WhatsApp dhe një adrese e-maili, DEA kërkon që çdo individ që ka informacion për trafik droge apo pastrim parash, të bashkëpunojë direkt me agjentët e saj. Pse tani?
"Linja e sinjalizimit të Agjencisë së ShBA Kundër Narkotikëve është aktive. DEA nxit këdo që ka informacion në lidhje me trafikun e drogës ose pastrimin e të ardhurave nga droga ta ndajë informacionin me personelin e DEA-s në WhatsApp në: +1 571 502-7846 ose me email në: [email protected]. Të gjitha të dhënat do të mbahen të fshehta. Falënderimet tona për të gjithë ata individë që kanë dorëzuar të dhëna të besueshme që kanë mbështetur operacionet e DEA-s.
Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë me Shqipërinë për të luftuar trafikun e drogës dhe pastrimin e parave të lidhura me të, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve të të dy vendeve tona dhe parandalimin e hyrjes së drogave të paligjshme në Shtetet e Bashkuara", thuhet në njoftimin e Ambasadës.
Ky reagim vjen menjëherë pas aksionit të një dite më parë në Durrës, në bashkëpunim me Antimafien italiane, ku goditja ndaj grupit të Troplinëve risolli edhe njëherë në vëmendje rrugët e trafikut ndërkombëtar që kalojnë përmes Shqipërisë. Dosjet italiane flasin qartë për tonelata kokainë të futura përmes Durrësit. Ky port është rugë kyçe trafiku edhe sipas DASH. Madje vetë Nuredin Dumani tregoi te italianët se si "Visi i Pojës" bënte namin me kokainë. Por, në terren, që nga viti 2022, nuk është raportuar asnjë kapje e madhe. Në maj 2024, autoritetet gjetën rastësisht 7 kg kokainë në një furgon; një pikë uji në oqeanin e trafikut që kalon nën radar.
Këto të dhëna tregojnë për një realitet të frikshëm: porti vazhdon të përdoret nga rrjetet ndërkombëtare të trafikut, por shteti nuk arrin (apo nuk dëshiron) të kapë asgjë. Dhe DEA nuk ka më durim për të pritur “rastësitë” e Policisë së Shtetit. Kjo linjë sinjalizimi është një formë denoncimi paralel – jo për të ndihmuar policinë shqiptare, por për ta anashkaluar atë. Edhe zyrtarët e Antimafies e bënë të qartë dje se ka policë të lidhur me bandat.
Mesazhi është i qartë: SHBA nuk ka më besim të plotë te institucionet shqiptare, dhe për këtë arsye po kërkon ndërveprim të drejtpërdrejtë me qytetarët. Është një thirrje urgjente për informacion, por edhe një sinjal që rrjetet e drogës janë ende aktive dhe të mbrojtura – diku mes Tiranës dhe Durrësit. /Pamfleti
Lini një Përgjigje