TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia19 Maj 2025, 16:47

Pa para në bankë, por me leje për të ndërtuar gjithë Shqipërinë, kush fshihet pas Dajlan Avdias?

Shkruar nga Pamfleti

Me bilance bosh dhe xhiro fiktive, tre kompani pa të ardhura po ndërtojnë si të kishin miliarda. Tiranën e kanë marrë me leje, bregdetin me status strategjik...

Pa para në bankë, por me leje për të ndërtuar

Në korrik të vitit 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit i dha dritën jeshile një prej projekteve më të mëdha ndërtimore të dekadës: ndërtimin e një resorti turistik me dy hotele 5 yje, një zonë të madhe rezidenciale dhe një hapësirë komerciale në zemër të Lëkurësit në Sarandë. Sipas dokumenteve zyrtare, vlera e këtij investimi shkon në 447.1 milionë euro. Por pyetja themelore që del përpara çdo qytetari është kjo: kush janë këta “investitorë” që premtojnë ndërtimin e një gjysmë-miliard euroshi në një nga zonat më strategjike të vendit, dhe mbi të gjitha; me çfarë parash?

Pa para në bankë, por me leje për të ndërtuar

Në vendimin zyrtar të KKT-së, resorti në Lëkurës figuron si një “Investim Strategjik”, me subjekt zhvillues kompanitë TDT & Partners dhe Techno-ALB, në pronësi të vëllezërve Dajlan Avdia dhe Glendi Abdi. Të njëjtët individë qëndrojnë pas një tufe të frikshme projektesh të tjera ndërtimi të miratuara gjatë vitit 2024, të gjitha në zona me potencial të jashtëzakonshëm financiar.

Brenda një periudhe më pak se 12-mujore, kjo dyshe ka marrë leje ndërtimi për:

Kullë 100-katëshe në rrugën e Barrikadave (Techno-ALB + Delta)

“Im Rezidence” në Komunën e Parisit (TDT & Partners)

Godinë 16-katëshe në rrugën Fortuzi (TDT & Partners)

Resort në Gjirin e Krorëzës (Invest Society)

Resort në Lëkurës (TDT & Partners + Techno-ALB)

Le të marrim në shqyrtim kompanitë e përfshira, duke u bazuar vetëm në pasqyrat zyrtare financiare që ato kanë dorëzuar vetë në QKB.

Techno-ALB SHPK, me NIPT K71822006R, rezulton se për vitin 2024 ka të ardhura nga aktiviteti ndërtimor zero lekë. E vetmja shumë që figuron si “e ardhur tjetër” është 328 mijë lekë, më pak se një qira dyjavore në plazhin e Ksamilit. Sakaq, në të njëjtin vit, kjo kompani deklaron se ka kapitalizuar 1.89 miliardë lekë si investime në proces ndërtimi dhe 484 milionë të tjera si shpenzime të shtyra. Por këto nuk janë para të paguara, janë thjesht vlera që fshihen nën termin “në proces”, për të mbajtur lart vlerën në bilanc. Në bankë, Techno-ALB ka më pak se 500 mijë lekë. Vetëm dy punonjës të deklaruar. Nuk ka kontrata shitjeje. Nuk ka cash flow. Ka vetëm letra.

E njëjta situatë paraqitet me TDT & Partners SHPK (NIPT L61814005P). Kjo kompani deklaron mbi 681 milionë lekë në shitje për 2024, por përfundon me një fitim të pastër prej vetëm 5.2 milionë lekësh, më pak se 1% e xhiros. Në bankë, ka vetëm 5 milionë lekë cash. Dalja monetare nga aktiviteti është minus 87 milionë lekë. E gjithë “ekonomia” e kompanisë është e bazuar në të arkëtueshme fiktive, mbi 1 miliard lekë në letra, që nuk janë kthyer kurrë në para të prekshme. Ky është modeli i një subjekti që ekziston vetëm për të administruar tokë, për të mbajtur leje, për të blerë kohë; jo për të ndërtuar.

Invest Society SHPK, kompania që do të ndërtojë resortin në Krorëz, ka një histori të ngjashme. Të ardhurat e deklaruara janë 132 milionë lekë, ndërsa kostoja e materialeve e tejkalon këtë shumë. Çuditërisht, edhe pse ka dalë me humbje operacionale, deklaron një fitim kontabël prej 41 milionë lekësh. Në cash? Vetëm 9.3 milionë. Dhe sërish: mbi gjysmë miliardë lekë të arkëtueshme në fletë.

Pa para në bankë, por me leje për të ndërtuar
Gjiri i Krorëzës

Të tria kompanitë bashkë nuk kanë në bankë më shumë se 15 milionë lekë. Asnjëra nuk ka linjë kredie të deklaruar, asnjëra nuk ka financim bankar, asnjëra nuk ka marrëveshje për bashkëfinancim apo mbështetje nga kompani ndërkombëtare. Por të tria bashkë zotërojnë bregdetin shqiptar dhe kanë në dorë leje për të ngritur një pjesë të konsiderueshme të resorteve dhe kullave për 10 vitet e ardhshme.

Skandali merr një dimension të ri kur kupton se edhe Kalaja e Lëkurësit është përfshirë në projektin e ndërtimit. Edhe pse me vendim zyrtar të Qeverisë Shqiptare (Nr. 501, datë 24 gusht 2023), kjo pasuri shtetërore duhet t’i ishte kthyer Ministrisë së Kulturës, ajo vazhdon të qëndrojë në duart e një trafikanti të njohur, Andrea Çaushi, i cili e përdor për aktivitet biznesi të paregjistruar. Në realitet, kalaja po mbahet peng që të përfshihet më vonë në resortin e ndërtuar nga Avdia, duke “përtypur” në heshtje një pasuri kombëtare si të ishte territor i braktisur.

Në fund të ditës, ka vetëm dy mundësi logjike:

Ose këto kompani nuk kanë në plan të investojnë asgjë dhe thjesht po marrin në dorë pronat, bregdetin dhe asetet strategjike të Shqipërisë si “tokë e xanun”, ose kemi të bëjmë me një skemë të pastër pastrimi parash në nivelet më të larta të pushtetit.

Në çdo rast, Shqipëria po ndërtohet nga kompani që nuk ndërtojnë, po zhvillohet nga kompani që nuk zhvillojnë, dhe po “përparon” nga emra që në çdo vend tjetër do të ishin nën hetim penal. Dhe për sa kohë strukturat e shtetit i japin tokën, lejen dhe heshtjen, ajo që duket si rritje ekonomike, nuk është gjë tjetër veçse një grabitje me firmë e me vulë. 

Krahasuar me këtë aferë, inceneratorët do të na duken ''lule''. Këtu nuk po zhduken fonde, por po grabitet bregdeti me leje shtetërore. /Pamfleti

dajlan avdia glendi abdi tdt & partners invest society techno-alb

Lini një Përgjigje