
Shpallja në kërkim e noteres Majlinta Demollari është vetëm maja e një ajsbergu shumë më të madh që po fundos prej vitesh sistemin noterial në Shqipëri. Ky sistem, që në teori duhet të garantojë sigurinë juridike të kontratave, pronave dhe pasurive, është shndërruar në një prej hallkave më të rrezikshme për legjitimitetin e shtetit ligjor. Noterët sot nuk janë më garantues të besimit publik, por aksesorë të preferuar të krimit të organizuar, pastrues të parave të pista dhe firmëtarë të mashtrimeve shumëmilionëshe.
Në praktikë, një pjesë e madhe e noterëve janë bërë “shërbim ekskluziv” për elitat kriminale dhe politike, që përdorin vulat e tyre për të legalizuar pasuri të paligjshme, për të rregulluar fiktivisht trashëgimi të shfrytëzueshme për zhvillime ndërtimore, për të bërë transaksione të mbuluara me firmë noteriale, duke i dhënë krimit një pamje legale.
Të gjithë e dinë. Askush nuk vepron.
SPAK deri tani është treguar selektiv në hetimin e noterëve, duke u fokusuar në raste të izoluara, vetëm kur presioni publik është bërë i papërballueshëm. Por kur në tavolinën e një noteri kalojnë miliona euro, prona shtetërore dhe kompani me pronësi offshore, nuk mund të bëhet fjalë më për “rastësi”. Kjo është një skemë kombëtare për legalizimin e paligjshmërisë, me firmë e vulë.
Ndaj sot kërkohet më shumë se një arrestim apo një shpallje në kërkim. Kërkohet një auditim i plotë i sistemit noterial nga një trupë e pavarur dhe hetim i thelluar i të gjitha kontratave dhe akt-marrëveshjeve të firmosura nga noterë që janë përmendur në dosje kriminale. Kërkohet që Ministria e Drejtësisë të mos mjaftohet me një deklaratë për shtyp, por të çojë për ndjekje penale çdo rast të tolerimit institucional.
Nëse shteti nuk vepron, atëherë ka vetëm një konkluzion: noterët janë shndërruar në “noterë të shtetit kriminal”./Pamfleti
Lini një Përgjigje