“Butoni” i SPAK-ut në dorën e Edit…
Në veprimet hetimore të SPAK-ut, ka qendrim me dy standarde, lidhur me dosjet për qeveritaeët e njohur si miq të afërt të kryeministrit Edi Rama dhe të promovuar e emëruar prej tij.
Disa që i ka piketuar Babloku si “armiq” të tij, përfundojnë menjëherë në pranga edhe pa akuzë zyrtare; ndërsa të dëshiruarit prej tij, megjithëse kanë rekorde korrupsioni e aferash ekonomiko-financiare bashkë me të, SPAK i lë të lirë, bën sikur i heton dhe i zvarrit pa fund.
Ky standard i dyfishtë, krijon bindje, se “butoni” i Altin Dumanit dhe vartësve të tij, është në dorën e Ramës, i cili, me psiko-paranojën e tij, po e përdor SPAK-un, si “kobure” për eleminuar politikisht ata që i krijojnë makthe sikur duan t’i marrin kolltukun e partisë e qeverisë.
Skenari që kryqëzoi “armiqtë” Erjon Veliaj e Arben Ahmetaj
Është fakt, që Erjon Veliaj u arrestua me dyshime e pa akuzë penale, dhe brenda 4 muajve, prokurori Olsi Dado i “qepi” dosjen e me miratim të drejtuesit Altin Dumani e çoi për gjykim.
Paralelisht me shpejtësinë rekord të SPAK, Edi Rama mori drejtimin e Bashkisë-Tiranë, largoi të skeduarit si “besnikë” të Erjonit dhe po bën gati zgjedhje të parakohëshme për kryetar.
Ndërkohë që sipas ligjit për pushtetin vendor, kryebashkiakut i mbaron mandati kur kryen një krim të rëndë të vërtetuar, kur shkarkohet nga kryeministri për shkelje të ligjit, kur dënohet me vendim të formës së prerë, kur vërtetohet nga një komision mjeko-ligjor që është i paaftë mendërisht e fizikisht për të kryer detyrën, ose kur mungon 3 muaj radhazi pa arësye në detyrë.
Në rastin e Erjon Veliajt, nuk ekziston asnjë nga këto përcaktime ligjore e rrethana, madje edhe mungesa 3 muaj në detyrë, ka si arësye arrestimin e tij dhe klasifikohet “mos paraqitje me arësye në detyrë”; ashtu siç Rama dhe grupi parlamentar i PS-ës, mungesën e Sali Berishës 6 muaj në parlamant gjatë arrestit shtëpiak, e quajtën “me arësye” dhe nuk ia hoqën mandatin e deputetit.
Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, brenda 1 muaji pas kërcënimit që i bëri Kryeministri për ta çuar në burg, u arrestua nga SPAK dhe brenda 4 muajve iu mbyll hetimi e u çua për gjykim, ndërsa Rama dhe deputetët e PS-së, 24 orë pas plotësimit të 6 muajve mungesë në parlament, i hoqën mandatin, ndërkohë që mungesa e tij kishte si arësye urdhër-arrestin nga SPAK.
Paprekshmëria e Frida Krifcës, Ogerta Manastirliut e Olta Xhaçkës
Faktet tregojnë, se “butoni” i SPAK-ut, është në dorën e Edit edhe për dosjet e 3 ministreshave Frida Krifca, Ogerta Manastirliu e Olta Xhaçka, të cilat, janë të paprekshme nga drejtësia, megjithëse kanë firmosur shumë afera të rënda financiare.
P.sh., në muajin qershor 2021, BE përmes Zyrës Anti-Mashtrim (OLAF), dorëzoi kallëzim penal në SPAK ndaj Frida Krifcës, për abuzim me fondet e BE për fermerët.
Ndërsa sot e kësaj dite kur kanë kaluar 4 vite, SPAK nuk ka e ka marrë asnjëherë në pyetje Krifcën e nuk ka filluar hetim për të, mos veprim që krijon dyshime të forta, se dosja po groposet nga kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me Altin Dumanin.
Prej 4 vitesh, SPAK nuk po përfundon hetimin për ish-Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, lidhur me tenderët sekret fiktivë gjatë pandemisë “Covid 19” dhe për koncesionet e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e laboratorëve; megjithëse për pajisje kirurgjikale, janë arrestuar ish-ministri Ilir Beqja, 3 zyrtarë të shëndetësisë dhe një prej koncesionarëve.
Gjatë 4 viteve hetim të 3 dosjeve, ish-ministrja Ogerta Manastirliu është thirrur vetëm 1 herë nga SPAK më 19 shkurt 2024, si “person në dijeni”, kur ajo ka firmosur 30 milionë Euro tenderë sekret fiktivë të ilaçeve, ndryshimin dhe falsifikimin e kontratës me 70 milionë Euro në favor të privatit dhe vjedhjet nëpërmjet koncesionit të laboratorëve.
Por Manastirliu nuk është marrë “person nën hetim” për këto 3 afera, sepse Babloku nuk ia ka shtypur akoma “butonin” SPAK-ut, madje e ka emëruar ministre Arsimi dhe e bëri pësëri deputete.
Prej afro 3 vitesh, SPAK nuk po mbyll hetimin për ish-ministren Olta Xhaçka, kallëzuar për përdorim të helikopterit të ushtrisë, gjatë takimeve elektorale dhe për aferën e koncesionit të Portit Detar Ushtarak të Limionit në Sarandë.
Ajo është thirrur vetëm 1 herë nga SPAK më 7 prill 2023, si “person në dijeni”, ndërsa dosjen me bashkëshortin Artan Gaçi, për resortin “Investim Strategjik” në 10 mijë m2 tokë pasuri shtetërore e private të grabitura me dokumente false në Himarë, SPAK e pushoi si çështje./Pamfleti
Lini një Përgjigje