Ndërsa qeveria premton çlirimin e hapësirave publike, një trafikant shndërron një monument kulture dhe 3200 m² tokë publike në biznes personal, me heshtjen e shtetit dhe bekimin e ministrave…

Ndërsa kryeministri Edi Rama deklaron publikisht luftë për lirimin e hapësirave publike, në realitet ndodh e kundërta: Kalaja e Lëkurësit në Sarandë dhe 3200 m² tokë publike përreth saj janë aktualisht të pushtuara dhe shfrytëzohen për biznes privat nga trafikanti Andrea Çaushi. Brenda këtij territori publik funksionon një kompleks që përfshin bar-kafe, restorant, hotel, parking, si dhe plazh të privatizuar me çadra dhe shezlongë.
Deri në korrik 2023, kjo hapësirë ishte nën kontrollin e djalit dhe nipit të ish-deputetit Vangjel Tavo, të cilët e shfrytëzonin me dokumente të dyshimta. Më pas, nëpërmjet një akti të paraqitur si konvertim borxhi, ata ia kaluan të gjithë kontrollin trafikantit Andrea Çaushi për një shumë prej 1.5 milionë euro, sikur të ishte pronë private.
Sot, qytetarët që kërkojnë të vizitojnë Kalanë e Lëkurësit, përballen me një tra privat të vendosur nga Çaushi dhe detyrohen të paguajnë 5000 lekë biletë për të hyrë, edhe nëse nuk përdorin asnjë nga shërbimet. Ky tarifim aplikohet njësoj edhe për pjesën e plazhit, pavarësisht nëse vizitorët marrin apo jo shezlong e çadër.
Situata është bërë më absurde kur merret parasysh fakti se Kalaja e Lëkurësit është monument kulture nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 501, datë 24 gusht 2023, kjo hapësirë është rikthyer zyrtarisht nën administrim shtetëror, me qëllim çlirimin nga aktivitetet private dhe funksionimin vetëm si aset historik e turistik publik.
Megjithatë, ky vendim qeverie nuk po zbatohet. Ministri Blendi Gonxhe, në vend që të veprojë për lirimin e Kalasë, vijon të lejojë shfrytëzimin privat të saj. Po ashtu, as Bashkia Sarandë e drejtuar nga Oltion Çaci, as Ministria e Turizmit që drejtohet nga Mirela Kumbaro, nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për lirimin e 3200 m² të territorit publik jashtë kalasë, tashmë të kthyer në kompleks turistik me pagesë.
Heshtja e qeverisë, neglizhenca e institucioneve përgjegjëse dhe mungesa e ndërhyrjes nga IKMT apo Policia e Shtetit, ngrenë dyshime serioze se pas këtij pushtimi qëndron një marrëveshje në prapaskenë, ku interesat ekonomike të trafikantëve dhe vendimmarrësve publikë janë ndërthurur në heshtje.
Nëse Rama dhe ministrat e tij nuk reagojnë, atëherë i gjithë diskursi për shtetin ligjor, për çlirimin e hapësirave publike dhe për ndalimin e klientelizmit, mbetet një fasadë, ndërsa Kalaja e Lëkurësit mbetet dëshmia më e qartë se ligji nuk vlen për të gjithë. / Pamfleti
Lini një Përgjigje