TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia18 Dhjetor 2025, 16:30

Nga tenderët korruptivë te kullat shumëkatëshe, si Artur Caushaj ktheu paratë publike në beton përmes një rrjeti kompanish

Shkruar nga Pamfleti

Tenderët korruptivë të fituar nga Artur Caushaj përmes L.T.E Construction shndërrohen në leje ndërtimi dhe kulla shumëkatëshe në Tiranë. Trust Construction dhe Best Construction përdoren për të ricikluar përfitimin dhe për të fshehur rrjedhën e parave publike drejt ndërtimit privat...

Nga tenderët korruptivë te kullat shumëkatëshe, si Artur
Foto ilustruese

Në vitet e fundit, sektori i ndërtimit në Tiranë ka njohur një përqendrim të dukshëm projektesh me vlerë të lartë në duart e një numri të kufizuar subjektesh, të cilat shfaqen paralelisht si përfituese të kontratave publike dhe si zhvilluese të projekteve private në zonat më të shtrenjta të kryeqytetit. Kjo përputhje nuk evidentohet nga një burim i vetëm, por del qartë kur krahasohen pagesat buxhetore, struktura e kompanive dhe lejet e ndërtimit të miratuara nga institucionet qendrore.

Rasti i Artur Caushajt bëhet i dukshëm pikërisht në këtë kryqëzim, ku të njëjtat subjekte juridike shfaqen me funksione të ndryshme, disa si operatorë ekonomikë në procedura publike, disa si zhvillues ndërtimi, dhe disa si kompani të blera e të riorganizuara në momente kyçe. Analiza e këtij rrjeti nuk kërkon interpretime politike, por ndjekje kronologjike të fakteve, nga kontratat e financuara nga Thesari i Shtetit deri te projektet që sot materializohen në beton.

L.T.E Construction shpk është kompania e Artur Caushajt që mban marrëdhënien direkte me shtetin. Ajo është dera hyrëse e parave publike, subjekti që firmos kontrata me Bashkinë e Tiranës, merr pagesa nga Thesari i Shtetit dhe shfaqet formalisht si “fitues tenderash”. Të dhënat zyrtare të publikuara në spending.data.al tregojnë se përmes L.T.E Construction, Artur Caushaj ka përfituar pagesa buxhetore që, të përkthyera në euro, i afrohen 8 milionëve, kryesisht në procedura ku konkurrenca është shuar artificialisht përmes skualifikimeve masive dhe vlerësimeve formale.

Nga tenderët korruptivë te kullat shumëkatëshe, si Artur
L.T.E open.spanding.data

Në këto procedura, emri i Artur Caushajt nuk del rastësisht, por pikërisht aty ku 10, 12 apo 15 kompani të tjera përjashtohen për arsye banale, ndërsa L.T.E Construction mbetet ofertuesi i vetëm “i vlefshëm”, duke garantuar fitoren dhe çmimin më të lartë. Kjo skemë, e përsëritur disa herë, nuk është gabim administrativ, por model funksional që i shërben drejtpërdrejt interesit financiar të Artur Caushajt dhe miqve të tij në politikë.

Por paratë e marra nga tenderat nuk qëndrojnë gjatë brenda L.T.E Construction. Ato zhvendosen tek kompania 'guackë' Trust Construction shpk, e ndërtuar me kujdes si instrument për fazën e dytë të procesit. Trust Construction është regjistruar me kapital 100 lekë, një shifër që në çdo procedurë normale do ta përjashtonte automatikisht nga çdo projekt serioz ndërtimi, por që në rastin e Artur Caushajt shërben si mbulesë perfekte për të marrë leje ndërtimi për kulla dhjetëra milionë euro.

Nga tenderët korruptivë te kullat shumëkatëshe, si Artur
Vendimi

Trust Construction, nën kontrollin real të Artur Caushajt, ka marrë leje për ndërtimin e një kulle deri në 25 kate në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës, përballë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me miratim të Këshillit Kombëtar të Territorit. Një kompani pa kapital, pa histori financiare të qëndrueshme, pa burime të deklaruara financimi, por me akses të drejtpërdrejtë në vendimmarrje shtetërore. Ky fakt, më shumë se çdo deklaratë politike, tregon nivelin e mbrojtjes që gëzon Artur Caushaj në sistem.

Kulla përballë Ambasadës Amerikane nuk është produkt i tregut të lirë, por rezultat i një zinxhiri të qartë veprimesh ku Artur Caushaj përdor L.T.E Construction për të marrë paratë dhe Trust Construction për t’i kthyer ato në leje ndërtimi, duke e ndarë procesin në mënyrë që askush të mos shohë pamjen e plotë. Në këtë skemë, shteti paguan, institucionet heshtin dhe betoni ngrihet.

Pjesa e tretë e kësaj strukture është Best Construction shpk, kompania që Artur Caushaj nuk e krijon vetë, por e blen, e ristrukturon dhe e fut në funksion. Best Construction ka qenë më herët e lidhur me rrethin e Mond Begos, person i dënuar në Itali për trafik droge, dhe më pas kalon në një ortakëri ku shfaqet Dionis Likometa, pronar i Bitex Refinery, kompani që përfiton vazhdimisht ankande shumë milionëshe nga Albpetrol. Marrja e kontrollit nga Artur Caushaj ndodh përmes një serie veprimesh të shpejta, lirimi i pengut bankar, ndryshimi i pronësisë, riorganizimi i menjëhershëm i kompanisë, një skemë që nuk përdoret për investime normale, por për pastrim historie dhe riciklim funksioni. Best Construction shfqet në ndërtimin e një tjeter projekti gjigant si Splendor

Edhe këtu, Artur Caushaj nuk shfaqet si ortak pasiv, por si dirigjenti i procesit. Best Construction futet në rrjet për të zgjeruar kapacitetin e grupit, për të lidhur ndërtimin me interesa të tjera dhe për të krijuar një shtresë shtesë mbrojtjeje, ku përgjegjësia shpërndahet, por kontrolli mbetet i përqendruar.

Tre kompani, një emër, një përfitues real. Artur Caushaj shfaqet në çdo fazë, në çdo vendim dhe në çdo përfitim. Nga tenderat e Bashkisë së Tiranës, te lejet e ndërtimit të KKT-së, te kulla që ngrihet në tokën më të shtrenjtë të kryeqytetit, gjithçka mban gjurmën e tij.

Kjo histori nuk ka nevojë për interpretime politike dhe as për justifikime teknike, por ka nevojë për një pyetje të vetme, të cilës institucionet nuk i janë përgjigjur kurrë: si shndërrohen paratë e tenderave publikë të fituar nga Artur Caushaj në beton dhe tulla, pa kaluar asnjëherë në filtrat e kontrollit financiar, tatimor dhe penal. /Pamfleti

 

artur caushaj l.t.e construction trust construction best construction

1 Komente

  1. A
    Aldo

    Po te hetoni do gjeni çudira!

    Lini një Përgjigje