Elion Mustafaj firmosi akte hetimore kur ishte me leje 1-vjeçare në SHBA, ndërsa institucionet e kontrollit heshtin
Skandaleve që kemi publikuar për aktivitetin e paligjshëm të drejtuesit të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, i është shtuar edhe denoncimi për një abuzim tjetër të rëndë me detyrën, dërguar nga ish-kolegë të tij në Prokurorinë e Vlorës.
Bëhet fjalë për akte dhe vendime procesesh hetimore, të firmosura nga prokurori Elion Mustafaj për periudhën kohore kur ka qenë pjesë e sistemit të drejtësisë si prokuror në Vlorë, por nuk e ka ushtruar realisht detyrën, pasi ndodhej me leje 1-vjeçare të pandërprerë jashtë Shqipërisë.
Me Vendim nr. 37, datë 15 prill 2020, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Elion Mustafaj mori leje pa të drejtë page për periudhën 1 maj 2020 – 30 prill 2021 dhe u largua pranë familjes në SHBA.
Pas kthimit nga SHBA, ai vijoi punën në Prokurorinë e Vlorës, ku sipas informacionit të dërguar nga ish-kolegë të tij në “Pamfleti”, rezulton se prokurori Elion Mustafaj ka firmosur disa akte dhe vendime për periudhën 1-vjeçare që nuk ndodhej në Shqipëri.
Ai ka firmosur procedime penale, fillime, mosfillime dhe pushime çështjesh, si dhe akte të tjera hetimore, sikur veprimet të ishin kryer gjatë kohës që fizikisht ndodhej me leje, me qëllim për të mos humbur afatet procedurale të administrimit dhe hetimit të çështjeve, por edhe për të kryer favore.
Këto akte falsifikimi dhe mashtrimi zyrtar, prokurori Elion Mustafaj i ka kryer në periudhën maj–shtator 2021, kur u rikthye nga SHBA dhe u riemërua në detyrë në Prokurorinë e Vlorës, pas përfundimit të lejes 1-vjeçare të dhënë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ndërvarësia e punës në prokurori është e tillë që veprime të tilla administrative për çështjet hetimore nuk mund të kryhen pa bashkëpunim me shërbimet e Policisë Gjyqësore dhe sektorët mbështetës të prokurorisë, në rastin konkret të Prokurorisë së Vlorës.
Përveçse skandal, këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të detyrës dhe janë raste që duhet të hetohen në bashkëpunim mes Prokurorisë së Përgjithshme, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, si institucione eprore dhe kontrolli të veprimtarisë së prokurorëve.
Për më tepër, prokurori Elion Mustafaj, gjatë ushtrimit të detyrës në prokuroritë e rretheve Durrës, Korçë, Vlorë dhe Lushnje, është kallëzuar 7 herë penalisht dhe është denoncuar 60 herë për falsifikim dhe fshehje provash, zvarritje, mosfillim hetimesh dhe pushim çështjesh në favor të subjekteve të përfshira në krime, çështje që nuk duhej të pushonin.
Pas abuzimeve të kryera në Prokurorinë e Vlorës gjatë viteve 2015–2021, ku ka firmosur edhe akte hetimore për periudhën 1-vjeçare kur ishte me leje në SHBA, më 24 shtator 2021 Elion Mustafaj u transferua si prokuror në Lushnje, ku Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pa asnjë sqarim publik, e komandoi dhe e emëroi 8 herë brenda 16 muajve në të njëjtën detyrë.
Në dosjen e Elion Mustafajt, prej më shumë se 2 vitesh e gjysmë drejtues i Prokurorisë së Fierit, rezultojnë gjithashtu mospërputhje dokumentesh për vitet e studimit, punësimi i bashkëshortes në SHBA në kompaninë e një shtetasi të dënuar për grabitje në Angli dhe nën hetim për trafik dhe pastrim parash, pushime 1-mujore të financuara nga një biznesmen, si dhe një vit pune në SHBA, i padeklaruar në procesin e vettingut./Pamfleti
Lini një Përgjigje