Më 12 nëntor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, shpalli hapjen e garës për postet e Drejtorëve të Policisë në tre qarqe: Shkodër, Gjirokastër dhe Korçë. Në këtë proces aplikuan pesë kandidatë, mes tyre edhe Ulian Shpataraku, i kandiduar për Drejtor të Policisë së Qarkut Korçë. Që në atë moment, burime brenda Policisë sinjalizuan se gara ishte formale dhe se emri i Shpatarakut ishte i paracaktuar për Korçën.
Më 4 dhjetor 2025, “Pamfleti” denoncoi publikisht skenarin e ndërtuar nga Ilir Proda për të emëruar mikun e tij Ulian Shpataraku në krye të Policisë së Korçës, një qark kufitar, strategjik dhe me risk të lartë për trafikun e drogës, kontrabandën dhe kriminalitetin ndërkufitar.
Denoncimi paralajmëronte se synimi i Prodës ishte blindimi i strukturave drejtuese të policisë me persona të besuar të klanit të tij, duke i shndërruar drejtoritë e qarqeve në degë operative të një rrjeti mafioz.
Ngjarjet që pasuan vërtetuan plotësisht këtë denoncim. Ilir Proda e përfshiu Ulian Shpatarakun në garë, i shoqëruar me një CV “të shkëlqyer”, ku paraqitej si kampion i luftës kundër krimit në Elbasan, ndërkohë që faktet flasin për të kundërtën: Shpataraku ka qenë dhe mbetet një figurë e lidhur me bandat kriminale, një “ushtar” i tyre brenda Policisë së Shtetit.
Pas publikimit të denoncimit nga “Pamfleti”, çështja mori përmasa ndërkombëtare.
Sipas burimeve të sigurta, EUROPOL i ka dërguar një ultimatum të qartë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, duke i kërkuar që të mos emërojë Ulian Shpatarakun Drejtor Policie në Korçë, për shkak të rekordeve kriminale dhe rrezikut serioz që një emërim i tillë do të përbënte për sigurinë kombëtare. Përballë këtij presioni, Proda u detyrua të tërhiqet. Ai urdhëroi komisionin e vlerësimit që të skualifikonte Shpatarakun, duke i dhënë më pak pikë se kandidatët e tjerë, tre prej të cilëve pritet të emërohen Drejtorë Policie në Shkodër, Gjirokastër dhe Korçë.

Por historia e përpjekjeve të Prodës për ta emëruar Shpatarakun në Korçë është shumë më e gjatë. Ky personazh ishte piketuar për këtë post që në momentin kur Ilir Proda u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Policisë.
Më 3 tetor 2024, Proda e promovoi Shpatarakun me komandim si Drejtor Policie në Elbasan, ndërsa në maj 2025 i dha gradën “Drejtues”, në shkelje flagrante të ligjit për kriteret e aftësisë, vjetërsisë, karrierës dhe pastërtisë së figurës.
Më 13 korrik 2025, Ilir Proda e emëroi zyrtarisht Ulian Shpatarakun Drejtor të Policisë së Korçës, në vend të Erion Ahmetit, por vendimi u anulua brenda ditës, pa asnjë shpjegim publik. Më pas, më 1 nëntor 2025, duke shfrytëzuar një rast pengmarrjeje në Devoll, Proda shkarkoi Drejtorin e Korçës, Erion Ahmeti, për të krijuar një vend vakant dhe për t’i hapur rrugën emërimit të mikut të tij. Edhe kjo skemë dështoi, falë denoncimit të “Pamfletit” dhe reagimit të EUROPOL.
Dosja penale e Ulian Shpatarakut është e rëndë dhe e dokumentuar. Ai u pezullua nga detyra më 31 janar 2023, kur mbante postin e Shefit të Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë Elbasan, pikërisht në kohën kur Ilir Proda ishte Drejtor i Policisë së Qarkut. Shkak u bë ngjarja e 14 shtatorit 2022, kur Shpataraku kapi në Elbasan një person shumë të kërkuar për trafik droge, E. Filja, por e fshehu arrestimin dhe e la të lirë. Për këtë rast, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e pezulluan dhe e hetuan penalisht, vendim që u la në fuqi nga Gjykata e Elbasanit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. Pavarësisht kësaj, Ilir Proda e riktheu Shpatarakun në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, duke e mbrojtur politikisht dhe institucionalisht.
Deklarata e kreut të SPAK, Altin Dumani, e bërë ditën e premte në Universitetin e Durrësit, se në radhët e policisë ka drejtues të lidhur me grupet kriminale dhe në shërbim të tyre, e vendos këtë çështje në një kontekst edhe më alarmant. Faktet tregojnë se një prej hallkave kryesore të këtij zinxhiri është vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, së bashku me mikun e tij Ulian Shpataraku dhe figura të tjera të ngjashme që vijojnë të qarkullojnë në kupolën e Policisë së Shtetit./Pamfleti
Eshte shume e vertet gjithcka qe ke shkruar. Bravo ju qofte Pamfleti