Ish mësuesi i vizatimit në Voskopojë, Neritan Nallbati, prej vitesh merimanga e grupeve kriminale në Policinë e Shtetit, është një nga lidhjet kryesore të trafikantit Andrea Çaushi në polici...
Gjatë dy viteve të fundit, SPAK ka goditur grupet kriminale shqiptare që veprojnë brenda dhe jashtë vendit; duke nisur nga Çopja, Çela, Çapja dhe Alibej në Elbasan, Bajrat në Shkodër, grupin e Durim Bamit në Nikël, vëllezërit Duka të Freskut etj. Goditjes së SPAK-ut, çuditërisht, vijon t'i shpëtojë një padron i krimit të organizuar në Sarandë, duke mbetur një ishull pandëshkueshmërie. Bëhet fjalë për Andrea Çaushin allias Renato Çaushi, administratori kryesor i parcelave të kanabisit në jug të vendit, emri i të cilit del edhe në komunikimet Sky Ecc të figurave të krimit, herë si subjekt për t'u goditur dhe herë në aktivitet kriminal.
Andrea Çaushi ka lidhje të forta me drejtues dhe ish drejtues policie, në prokurori dhe gjykata. Madje drejtuesit lokal të policisë në Sarandë, Vlorë dhe Tepelenë, i thërret në mbledhje dhe u jep detyra.
Ish mësuesi i vizatimit në Voskopojë, Neritan Nallbati, prej vitesh merimanga e grupeve kriminale në Policinë e Shtetit, është një nga lidhjet kryesore të trafikantit Andrea Çaushi në polici. Në një raport sekret të shërbimeve informative theksohet se në nëntor të vitit 2022, Neritan Nallbati, për të shpëtuar Andrea Çaushin dhe grupin e tij, sabotoi gjurmimin policor për të zbuluar pronarët e fermës së kanabisit në Rërëz të Beratit.
Në katër serat e kanabisit, në një sipërfaqe prej tre hektarë, ishin punësuar edhe 95 gra dhe vajza. Nallbati urdhëroi policinë të ndërhynte me arrestime dhe bastisje, me qëllim për të shpëtuar Çaushin, i cili dyshohej si pronari i fermës.
Nallbati jo vetëm sabotoi zbulimin e kokave, por e shiti operacionin si sukses. “Bazuar në informacionet e grumbulluara, në orët e para të mëngjesit të datës 10.11.2022, nga Drejtoria kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, me mbështetjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, u finalizua megaoperacioni policor i koduar “Stuhia”, tha Nallbati në një konferencë për shtyp. U mbush komisariati me gra dhe në fund u dënuan Blerim Xheka, Sadetin Hasaj, Sidrit Bisha, Endriol Xheka, Jurgen Ujkaj, Suad Smakaj, Samoel Lushaj, Mirvaldo Disha, Hamdi Dyli, Arben Vrapi, Adiol Çifliku, Lulzim Bushataj, Mustaf Manej, Bashkim Mema, Edison Mema, Drita Mema dhe Izmire Mema, që të gjithë ushtarë, ndërsa kapot i shpëtuan edhe një herë drejtësisë.
Ish Shefi i Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Berat, Ardit Hasanbegaj, i arrestuar nga SPAK si pjesë e bandës së Behar Bajrit dhe Pëllumb Gjokës, është skeduar si lidhje e rëndësishme e Andrea Çaushit dhe roje me uniformë policie i parcelave të kanabisit të tij. Edhe drejtori i policisë së qarkut Berat Edmond Tarkaj, i njohur si lidhje e fortë e Bledi Çuçit dhe që u shkarkua pas operacionit policor, dyshohet si segment i besuar i Andrea Çaushit në polici, bashkë me Vilson Bala dhe Alfred Çepajn.
Edhe sikur të mos mjaftonin këto lidhje, skedar të SHISH, rekordet kriminale dhe komunikimet në Sky Ecc, SPAK e ka detyrim ligjor të zbatojë ligjin anti-mafia për pasuritë e Andrea allias Renato Çaushi, bazuar në dosjen në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda për aktivitetin e tij si trafikant droge, grup i strukturuar kriminal, pastrim parash, i kapur disa herë me armë pa leje dhe për plagosje të rëndë me dashje.
Më 6 qershor 2017, u arrestua në Tiranë gjatë një operacioni mes prokurorive të Shqipërisë e Italisë, për trafikimin e 900 kg. drogë kapur në flagrancë në Karaburun, me destinacion Siçilinë. Por pas 1 muaji, Gjykata e Apelit e nxori nga burgu, megjithëse u vërtetua si drejtues i trafikut dhe kishte dosjen e drejtësisë italiane edhe me prova të tjera trafiku droge e financim vrasjesh.
Më 21 qershor 2021, Andrea Çaushi me të vëllain Visi Çaushi, plagosën pronarin e lokal “Orange” në Sarandë, Spiro Iljadhi për pazare droge, por përsëri pagoi e i shpëtoi burgut. Më 13 nëntor 2021, krye trafikanti e vrasësi Andrea Çaushi u arrestua në Sarandë dhe iu gjet një sasi kokaine e një pistoletë gati për qitje, por pas 2 javësh e liruan për mungesë provash, ndërsa sipas raportit të SHISH, ai pagoi 300 mijë Euro ryshfet e la 50 milionë lekë garanci.
Sipas një raporti tjetër sekret të SHISH, Andrea Çaushi vazhdon të drejtojë trafikun e drogës në zonën Tepelenë- Gjirokastër- Sarandë, ndërsa të ardhurat i pastron përmes disa bizneseve. Një nga këto biznese, është resorti brenda Kalasë së Lëkurësit në Sarandë; që me Vendim Qeverie Nr. 501, datë 24 gusht 2023, i është hequr e rikthyer shtetit, por krye trafikanti Andrea Çaushi po e mban të zaptuar e bënë biznes pa leje, sepse është i lidhur me krerët e pushtetit. Andrea Çaushi posedon në emrin e tij dhe të afërmve dhjetëra apartamente, restorante, karburante, hotele dhe makina luksoze, me vlerë miliona euro, produkt i aktivitetit kriminal./Pamfleti
Lini një Përgjigje